Ndërlidhjet

Bashkimi i Doganës dhe ATK-së shtyhet për vitin tjetër


Fotografi ilustruese

Bashkimi i Administratës Tatimore dhe Doganës se Kosovës në një institucion të vetëm, pritet të ndodh në fillim të vitit të ardhshëm dhe jo gjatë këtij viti, siç është thënë më herët.

Ekrem Hysenaj, koordinator i grupit për procesin e bashkimit të këtyre dy agjencive buxhetore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky proces ende nuk ka përfunduar për shkak të prolongimit të miratimit të projektligjit që rregullon këtë çështje.

Ai tregon se në shtator të vitit të kaluar në bashkëpunim më zyrën e Komisionit Evropian është harmonizuar projektligji dhe si tillë është dërguar në Qeveri.

“Për shkak të specifikave të natyrës, që unë nuk i di pse, nuk është miratuar si i tillë ai projektligj që është hartuar nga grupi punues”.

“Duke e parë se po vonohet miratimi i këtij projektligji, atëherë në bashkëpunim më Fondin Monetar Ndërkombëtar që po na asiston në mënyrë të vazhdueshme në këtë proces se bashku edhe më Ministrinë e Financave, ky proces është shtyrë për 1 janar 2018”, ka thënë Hysenaj.

Autoritetet e Kosovës vitin e kaluar kishin miratuar bashkimin formal të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganave të Kosovës (DK) në një agjenci të përbashkët, të quajtur Agjencia e të Hyrave e Kosovës.

Unifikimi i sistemit të mbledhjes së të hyrave për buxhetin e Kosovës, do të përmirësojë shërbimet për tatim-pagues, njëherësh do sjellë rezultate në luftimin e evazionit fiskal, thotë Hysenaj.

“Në planin inicial janë specifikuar edhe objektivat e Qeverisë së Republikës së Kosovës me themelimin e Agjencisë së të Hyrave, që një ndër to janë edhe ofrimi i shërbimeve më të mira për tatim-paguesit”.

“Meqenëse tani shumica e shërbimeve kryhen në të dy agjencitë, në të ardhmen planifikohet të kryhen në një vend, me kosto më të ulët dhe më të shpejtë”, thotë ai.

“Objektiv tjetër është edhe funksionalizimi i përbashkët i disa funksioneve apo departamenteve, siç është Departamenti i hetimeve dhe intelegjencës, analizat dhe vlerësimit të riskut. Objektiv tjetër i radhës është krijimi i kapaciteteve për mbledhje të TVSH-së në brendi të vendit, që do të lehtësonte barrën e biznesit dhe do të rriste likuiditetin e tyre”, thotë Hysenaj.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se funksionimi i këtyre dy agjencive në një institucion të vetëm, do të sillte rezultate pozitive, nëse objektivat e parapara zbatohen në mënyrë efikase.

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati, konsideron se efektet pozitive nga ky projekt do mund të vërehen nëse Tatimi mbi Vlerën e Shtuar grumbullohet brenda në territorin e Kosovës dhe jo në pikat doganore.

“Ajo do të kishte efekte pozitive, sepse bizneset importin nga jashtë nuk do ta paguajn para se ta përdorin, ta shesin ose të përdorin në procesin e prodhimit. Këto do të ishin efektet pozitive nëse bashkohet Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore”, ka thënë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Kastrati thotë se institucionet e reja, të krijuara pas zgjedhjeve të 11 qershorit, duhet të marrin më prioritet miratimin e disa ligjeve të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, rrjedhimisht lehtësimin e kushteve për sektorin privat.

Ndryshe, Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës, janë dy institucionet kryesore, nga të cilat mbushet buxheti i Kosovës. Sipas parashikimeve të ekzekutivit për këtë vit, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë mbi një miliard e 100 milionë euro, kurse Administrata Tatimore e Kosovës duhet të mbledh 423 milionë euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG