Ndërlidhjet

Një fazë e re në hetimet e Trumpit


Seanca e parë publike në hetimet për Trumpin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përballet me një proces që mund ta largojë atë nga zyra.

E gjitha ka të bëjë me faktin nëse ai ka kërkuar ose jo ndihmë, në mënyrë të padrejtë, nga Ukraina, për të rritur shanset e tij për rizgjedhje në vitin 2020.

Gjërat janë ende në një fazë të hershme. Seancat e para publike me dëshmi nisën të mërkurën në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, e cila kontrollohet nga demokratët.

Presidenti Trump, i cili është republikan, akuzohet se i ka bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të zbuluar informacione të dëmshme për njërin nga sfiduesit e tij kryesorë demokratë, Joe Biden, dhe djalin e tij, Hunter.

Hunter ka punuar për një kompani ukrainase, kur Joe Biden ka qenë nënkryetar i Shteteve të Bashkuara.

Trump e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA, është akt i paligjshëm.

Në qendër të kësaj ngjarjeje është ankesa e një informatori - zyrtar i paidentifikuar i inteligjencës - i cili ka shkruar një letër, ku ka shprehur shqetësim për bisedën telefonike midis Trumpit dhe Zelenskyt, të zhvilluar më 25 korrik.

Në dëshmitë e para publike, të zhvilluara të mërkurën, një diplomat i lartë amerikan tha se Trump ka kërkuar drejtpërdrejt që Ukraina të hetojë rivalin e tij demokrat, Biden.

Bill Taylor, ushtrues i detyrës së ambasadorit amerikan në Ukrainë, tha se një anëtari të stafit të tij i është thënë se Trump ka qenë i etur për hetime.

Ambasadori Bill Taylor.
Ambasadori Bill Taylor.


“Anëtari i stafit tim e ka dëgjuar presidentin Trump, në një bisedë telefonike, duke e pyetur ambasadorin [amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon] Sondland, në lidhje me hetimet… Pas kësaj bisede, anëtari i stafit tim e ka pyetur ambasadorin Sondland se çfarë mendon presidenti Trump për Ukrainën. Sondland është përgjigjur duke thënë se Trump brengoset më shumë për hetimet për Bidenin”, shpjegoi Taylor.

Kur është pyetur për Sondlandin në fillim të këtij muaji, Trump ka thënë se “vështirë që e njeh zotërinë”.

Hetimet ndaj Trumpit janë zhvilluar për më shumë se një muaj, por të gjitha seancat e mëparshme dëgjimore kanë qenë private. Në lidhje me to ka pasur vetëm raporte që janë bazuar në rrjedhje informacionesh dhe në burimet që kanë folur për mediat.

Trump mohon se e ka shfrytëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën si “kusht për pazar” me Zelenskyn dhe vazhdimisht përsërit se biseda e tij me të ka qenë “perfekte”.

Ai i cilëson hetimet kundër tij, që në anglisht njihen me termin “impeachment”, si “gjueti shtrigash” nga demokratët dhe disa media.

Çfarë është “impeachment”?

“Impeachment” do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se një president largohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rëndë ose kundërvajtje të tjera”.

*Expose: Trump në ujëra të trazuara

Trump në ujëra të trazuara
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:56 0:00

Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.

Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e presidentit nga detyra dhe një gjë e tillë nuk është arritur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Senati aktualisht kontrollohet nga Partia Republikane.

A është përballur ndonjë president tjetër amerikan me procedura shkarkimi?

Kundër Bill Clintonit kanë nisur procedurat për shkarkim, për shkak të mashtrimit dhe pengimit të drejtësisë, pasi ka gënjyer për natyrën e aferës së tij me Monica Lewinskyn dhe më pas dyshohet se i ka kërkuar edhe asaj të gënjejë.

Por, kur gjykimi ka arritur në Senat më 1999, votimi për dënim ka dështuar.

Presidenti tjetër që është përballur me procedura të shkarkimit, ka qenë Andrew Johnson, më 1868. Ai është akuzuar, mes tjerash, për shkarkimin e sekretarit të tij të luftës kundër vullnetit të Kongresit.

Johnson ka shpëtuar për pak, pasi dy të tretat e votave në Senat nuk janë arritur vetëm për një votë.

Richard Nixon, presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara, ka dhënë dorëheqje më 1974, përpara se të mund të fajësohej nga Senati për skandalin e Watergate.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG