Ndërlidhjet

Trump: Procedura për shkarkim, mashtrimi më i madh


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur procedurën për shkarkimin e tij, të nisur nga demokratët, si “mashtrimin më të madh” në historinë e politikës amerikane.

Video-mesazhi i publikuar nga Trump në rrjetet sociale, vjen si kundërpërgjigje pas nisjes së hetimeve ndaj tij lidhur me dyshimet se ai, përmes bllokimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, i ka bërë presion Kievit zyrtar, që të hetojë kundërshtarin e tij politik, ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden.

Trump tha se demokratët - të cilët javën e kaluar nisën procedurat për shkarkimin e presidentit - duan “të marrin gjithçka”.

Ai tha se demokratët “duan të marrin armët tuaja, lirinë tuaj... dhe unë kurrë nuk do të lejoj që një gjë e tillë të ndodhë”.

Në thelb të këtij skandali është publikimi i një raporti të një informatori, i cili ka treguar detaje për telefonatën e 25 korrikut ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Gjatë kësaj bisede, Trump i ka kërkuar ndihmë Zelenskiyt për të hetuar Bidenin - i cili është kandidat demokrat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 – dhe djalin e tij Hunter, i cili ka qenë anëtar i bordit të një kompanie të energjisë në Ukrainë.

Trump, kishte bllokuar ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej 400 milionë dollarësh, para se kjo bisedë telefonike të ndodhte.

Shtëpia e Bardhë, më 25 shtator, publikoi një transkript prej pesë faqesh të bisedës telefonike Trump-Zelenskiy.

*Expose: Trump në ujëra të trazuara

Trump në ujëra të trazuara
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:56 0:00

Sipas një memoje, Trump i ka thënë Zelenskiyt se avokati i tij personal, Rudy Giuliani dhe Prokurori i Përgjithshëm, William Barr do të ndiqnin hetimin në Ukrainë dhe ata do të ishin kontakti kryesor për këtë çështje.

Giuliani ka konfirmuar se ka kontaktuar me autoritetet ukrainase për një hetim të mundshëm ndaj Bidenit dhe djalit të tij.

Në një postim në rrjetet sociale më 28 shtator, Giuliani tha se demokratët dhe mediat, janë bashkuar që ta shkatërrojnë atë.

“E dija se mediat dhe demokratët e korruptuar do të përpiqeshin të më shkatërronin”, tha Giuliani, i cili në të kaluarën ka qenë kryetar i Nju Jorkut.

Presidenti Trump po ashtu ka pranuar se i ka kërkuar Ukrainës që ta hetojë Bidenin, por edhe ai dhe Giuliani mohojnë se kanë bërë ndonjë gjë të gabuar.

Ndërkaq, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, përmes një deklarate, ka thënë se Trump asnjëherë nuk i ka kërkuar atij që ta hetojë Bidenin.

Pas telefonatës së 25 korrikut, sipas raportit të informatorit, Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët, janë munduar "që të fshehin" të dhënat e kësaj telefonate.

Sipas sondazheve, publiku në SHBA është i ndarë lidhur me procesin e shkarkimit të presidentit, i cili njihet me termin “impeachment”.

Sipas legjislacionit në SHBA, procesi i shkarkimit të një presidenti fillimisht iniciohet në Komitetin për Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve, përpara se të kalojë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve.

Më pas, votimi bartet në Senat – i cili aktualisht kontrollohet nga republikanët – dhe për të shkarkuar një president, duhen dy të tretat e votave të senatorëve.

Dy presidentë – Andrew Johnson më 1868 dhe Bill Clinton më 1998 – kanë qenë subjekt i procedurave për shkarkimin e tyre. Por, që të dy janë liruar nga akuzat.

Procedurat për shkarkim kishin nisur edhe ndaj presidentit Richard Nixon më 1974, por ai kishte dhënë dorëheqje para se kjo procedurë të arrinte në Senat. Nixon është presidenti i vetëm amerikan që ka dhënë dorëheqje.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG