Ndërlidhjet

Trump e akuzon Iranin për shkelje të armëpushimit

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani lëshoi të paktën katër dronë ndaj anijeve që po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar këtë si një “shkelje të pamatur të marrëveshjes së armëpushimit” midis Uashingtonit dhe Teheranit.

“Njëri prej dronëve goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë të transportit të mallrave. U shkaktuan dëme, por anija arriti të vazhdonte rrugën. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë”, shkroi Trump në një postim në Truth Social më 26 qershor.

Më herët gjatë ditës, kompania tajvaneze e transportit detar, Evergreen Marine njoftoi se njëra prej anijeve të saj të mallrave u godit nga një “objekt i paidentifikuar” gjatë kalimit nëpër këtë rrugë strategjike ujore më 25 qershor, por shtoi se ekuipazhi, anija dhe ngarkesa “nuk pësuan dëme”.

Nuk është e qartë nëse deklaratat e Trumpit i referohen këtij incidenti.

Më 26 qershor, Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëroi se kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit nuk mund të garantohet pa koordinim me Teheranin.

Irani praktikisht e mbylli krejtësisht Ngushticën e Hormuzit pas nisjes së sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Republikës Islamike më 28 shkurt. Nëpër këtë rrugë kalon përafërsisht një e pesta e furnizimit global me naftë.

Pas nisjes së luftës, në prill palët arritën një marrëveshje të brishtë armëpushimi. Ndërkaq, më 17 qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, e cila parasheh një periudhë 60-ditore për negocimin e një marrëveshjeje përfundimtare, që synon dhënien fund të luftës në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG