Ndërlidhjet

Trump sinjalizon se është i përgatitur të largohet nga Shtëpia e Bardhë


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse Joe Biden konfirmohet zyrtarisht si presidenti i ardhshëm i SHBA-së nga ana e Kolegjit Elektoral.

"Sigurisht, do ta bëj. Dhe ti e di atë", tha Trump më 26 nëntor, kur u pyet nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me njohjen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

Nëse Kolegji Zgjedhor zyrtarizon rezultatet e zgjedhjeve, ata do të kenë “bërë gabim", tha Trump.

"Do të jetë një gjë shumë e vështirë për t'u pranuar," shtoi ai.

Trump këmbënguli se "shumë gjëra" do të mund të ndodhnin derisa të certifikohen rezultatet. Presidenti ka refuzuar të pranojë humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit. Trump gjithashtu përsëriti edhe një herë pretendimet - e pabazuara - për manipulim të zgjedhjeve.

Demokrati Biden udhëheq me 306 vota ndaj 232 sa ka Trump në Kolegjin Elektoral, organ që zgjedh presidentin e SHBA-së.

Një kandidati i duhen 270 të Kolegjit për t’u zgjedhur president. Biden gjithashtu kryeson në votën popullore me më shumë se gjashtë milion vota.

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor do të takohen muajin tjetër për të zyrtarizuar rezultatin.

Si funksionon Kolegji Zgjedhor në SHBA?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:04:37 0:00

Presidenti dhe mbështetësit e tij kanë paraqitur një numër padish zgjedhore, por shumica janë hedhur poshtë.

Më parë këtë javë, Trump më në fund ra dakord të lejojë që të fillojë tranzicioni zyrtar i pushtetit presidencial, pas disa javësh pasigurie.

Vendimi do të thotë që Biden është në gjendje të marrë informacione të nivelit të lartë të sigurisë dhe të ketë qasje në miliona dollarë fonde derisa ai përgatitet të marrë përsipër detyrën më 20 janar.

Ligjvënësit kryesorë republikanë dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë më parë Trump do të largohej nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, nëse Kolegji Zgjedhor vërteton rezultatet e zgjedhjeve, por kjo ishte hera e parë që presidenti e komentoi largimin.

Sipas sistemit zgjedhor amerikan, votuesit nuk zgjedhin drejtpërdrejt presidentin e ardhshëm. Në vend të kësaj, ata votojnë për 538 anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, përfaqësimi i të cilëve caktohet bazuar në numrin e popullsisë së shteteve.

Ndërkohë, Biden vazhdon të ndërtojë themelin e administratës së tij, duke njoftuar këtë javë nominimet e tij të para në kabinet, të gjithë veteranë të administratës së ish-presidentit Barack Obama në të ciln Biden shërbeu si nënpresident.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG