Ndërlidhjet

Trump kërcënon me fuqizimin e sanksioneve ndaj Iranit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, gjatë adresimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, gjatë adresimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e filloi fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke u kujtuar liderëve botërorë se SHBA-ja është "kombi më të fuqishëm në botë". Ai përmendi shpenzimet "mbi 2.5 trilion dollarëshe për ushtrinë” që kur ai e mori detyrën, duke thënë se shpreson se nuk do të ketë nevojë të përdorë kurrë këtë fuqi.

Duke folur për pikën më të nxehtë të zhvillimeve në botë, atë të raporteve me Iranin, Trump e fajësoi Iranin për sulmin ndaj objekteve të naftës në Arabinë Saudite.

"Liderët e Iranit po ushqejnë luftërat tragjike si në Siri ashtu edhe në Jemen", tha Trump, duke shtuar se përderisa sjellja e rrezikshme e Iranit vazhdon, sanksionet nuk do të hiqen, por do të fuqizohen.

"Një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë me të cilat përballen vendet e që duan paqen sot është regjimi shtypës në Iran", tha Trump.

Situata në Lindjen e Mesme zuri një pjesë të madhe të fjalimit të presidentit Trump. Duke folur për Afganistanin, pas ndërprerjes së bisedimeve të paqes me talibanët, presidenti Trump tha se “fatkeqësisht talibanët kanë vendosur të vazhdojnë me sulmet e tyre mizore”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerët tjerë të koalicionit në Afganistan, për të luftuar terrorizmin.

Presidenti Trump ka kritikuar praktikat tregtare të Kinës duke thënë se ky vend ka refuzuar të miratojë reformat e premtuara dhe në vend të kësaj, ajo ka përqafuar një model ekonomik të varur nga barrierat masive të tregut, subvencioneve të shtetit, manipulimit të monedhave, e të tjera.

Megjithatë, ai tha se shpreson që të dy superfuqitë ekonomike mund të arrijnë një ujdi, për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes së tyre tregtare.

Presidenti Trump edhe këtë vit ka folur kundër globalizmit duke thënë se “e ardhmja u përket patriotëve dhe jo globalistëve”.

Ai u bëri thirrje liderëve të fuqizojnë vendet e tyre dhe të ngrisin dinjitetin e njerëzve.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG