Ndërlidhjet

Trump: Sulmi me dron ishte për të ndaluar një luftë


Mijëra persona në Bagdad kanë marrë pjesë në varrimin e gjeneralit iranian Qassem Soleimani, që u vra nga një sulm me dron i SHBA-së.

Mijëra njerëz janë mbledhur në Bagdad më 4 janar, para ceremonisë së varrimit të gjeneralit të vrarë iranian nga sulmet ajrore të kryera nga Shtetet e Bashkuara në ditë më parë, pranë aeroportit të Bagdadit, ngjarje kjo që ka përshkallëzuar situatën në rajon. Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump ka mbrojtur vendimin e tij për këtë sulm, duke thënë se kishte për qëllim të “ndalte luftën” dhe jo të niste një të re.

Komandanti i ushtrisë irakiane, u zotua se vendi i tij "do të ndëshkojë amerikanët kudo që të jenë".

Gjenerali Gholamali Abuhamzeh, komandant i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në provincën Kerman, tha se ka njohur për 35 pozicione të ushtrisë amerikane në rajon.

"Ngushtica e Hormuzit është pikë qenësore e Perëndimit dhe një numër i madh i luftanijeve amerikane kalojnë andej... caqe vitale amerikane në rajon janë identifikuar nga Irani që një kohë të gjatë... rreth 35 caqe të SHBA-së në rajon dhe gjithashtu në Tel Aviv", citohet të ketë thënë Abuhamzeh.

Shumica nga pjesëmarrësit kanë valëvitur flamurin kombëtarë të Iranit ose flamuj të militantëve teksa organizatorët – përfshirë Forcat Popullore të Mobilizimit të Irakut, zëvendëskomandanti i së cilëve u vra në sulmin ku u vra edhe udhëheqësi i Forcave elite iraniane Quds, Qasem Soleimani – planifikojnë që të marshojnë nga Zona e Gjelbër e qytetit drejt vendeve të shenjta shiite të Karbala dhe Al-Najaf.

Makinat ushtarake bartën kufomat e personave të vrarë. Disa prej qytetarëve brohoritën “Vdekje Amerikës”.

Kryeministri i Irakut, Adil Abudal-Mahdi ishte në mesin e personave që ju bashkëngjitën marshit.

Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Majid Takht Ravanchi, ka deklaruar më 3 janar se sulmi “në fakt ishte një akt i luftës nga ana e Shteteve të Bashkuara ndaj popullit iranian”.

“Natën e kaluar ata nisën luftë me vrasje dhe me akt të terrorit ndaj njërit prej gjeneralëve tanë kryesorë. Pra, çfarë tjerët mund të pritet që Irani të bëjë? Ne nuk do të qëndrojmë të heshtur. Ne duhet dhe do të veprojmë”, Ravachi ka thënë për CNN.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei gjithashtu ka paralajmëruar për “kundërpërgjigje të ashpër”.

Nërkaq, një komandant tjetër i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Ali Fadavi, deklaroi për televizionin shtetëror iranian se SHBA-ja “riktheu masat diplomatike të premten në mëngjes”, pas sulmit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha më 3 janar se ai urdhëroi sulmin “për të ndalur një luftë” dhe se sipas tij, gjenerali i vrarë kishte qenë duke organizuar sulme ndaj interesave dhe aleatëve të SHBA-së.

Pamje pas sulmit me dron të SHBA-së më 3 janar në Bagdad.
Pamje pas sulmit me dron të SHBA-së më 3 janar në Bagdad.

Komentet e Trumpit vijnë pasi mediat raportuan se një sulm i dytë me dron mund të ketë goditur sot në afërsi të kampit Taji, në veri të Bagdadit, duke sugjeruar se ky sulm ka pasur për cak një konvoj me milici të mbështetura nga Irani.

Por, zëdhënësi i koalicioni të udhëhequr nga SHBA-ja në Irak, tha se forcat nuk kanë kryer asnjë sulm ajror në afërsi të kampit Taji në ditët e fundit.

Edhe ushtria irakiane ka mohuar se një sulm i tillë ka ndodhur.

Trump i bëri këto komente në një konferencë për media në Florida, teksa mbështetësit e tij e lavdëruan për vendimin e sulmin, por kritikët ngritën shqetësimit dhe bën thirrje për ulje të tensioneve.

Presidenti Trump mbrojti vendimin e tij për vrasjen e Solemanit, duke thënë se ai ndërmori veprime “për të ndalur një luftë”.

“Ne ndërmorën veprime për të ndaluar një luftë. Ne nuk morëm veprime për të nisur një luftë. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e regjimit në Iran”, tha Trump, por shtoi se SHBA-ja dinë vendndodhjen e armiqve të saj dhe se ai është “i gatshëm të ndërmarrë çdo veprim që është i nevojshëm” në veçanti lidhur me Iranin.

Uashingtoni i fajëson milicitë e mbështetura nga Irani për sulme ndaj personelit amerikan dhe irakian, përfshirë edhe sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bagdad, që ndodhi më herët gjatë javës.

Trump dhe shumë vende perëndimore fajësojnë Iranin për sponsporizimin e grupeve terroriste në mbarë rajonin, akuza këto që Teherani i hedh poshtë.

Sekretari maeirkan i shtetit, Mike Pompeo, citoi bisedat me partnerët në Lindje të Mesme dhe të tjerë që ka zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit.

“Kam kaluar dy ditët e fundit duke biseduar me partnerët në rajon, duke ndarë me ta atë që po bënim, pse po e bënim, duke kërkuar ndihmën e tyre. Të gjithë kanë qenë fantastikë”, deklaroi Pompeo për Fox News.

“Dhe kur kemi biseduar me parterët tanë në vendet tjera që nuk kanë qenë aq të mirë. Sinqerisht, evropianët nuk kanë qenë aq përkrahës sa ne do të dëshironim”, shtoi sekretari Pompeo.

Soleimani ishte udhëheqësi i forcave Quds, krah i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, forca këto që janë fajësuar për orkestrimin e sulmeve vdekjeprurëse në gjithë rajonin.

Forcat Quds nga Shtetet e Bashkuara konsideruan organizatë terroriste.

Në sulmin me dron është vrarë edhe Abu Mahdi al-Muhandis, zëvendëskomandanti i Forcat Popullore të Mobilizimit të Irakut, që mbështetën nga Irani.

Sulmi me dron i 3 janarit ndaj njërit prej liderëve më të fuqishëm ushtarak të Iranit, rriti shqetësimet për kundërpërgjigje nga Teherani, që do të mund të çonte në një konflikt të armatosur.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë rreth 3 mijë trupa në Lindje të Mesme dhe pas rritjes së tensioneve, i bën thirrje shtetasve amerikanë që menjëherë të largohen nga Iraku.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG