Ndërlidhjet

Dorëhiqet ministri i Brendshëm i Shqipërisë


Fatmir Xhafaj
Fatmir Xhafaj

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Lajmin për dorëheqje e ka bërë të ditur kryeministri shqiptar Edi Rama përmes një postimi në Twitter.

Ai ka thënë se ka pranuar dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falënderoi për kontributin e çmuar.

Kryeministri Rama ka bërë të ditur se Gjeneral Sandër Lleshi është emëruar për këtë post.

“[Lleshi] do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, shkruan Rama.

Xhafaj ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për, siç tha ai, “për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme”.

“Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra”, ka thënë Xhafaj.
Ai, ka vlerësuar dhe u ka dhënë mirënjohje për “të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë”.

Dorëheqja e Fatmir Xhafaj vjen një javë pas një aksioni masiv të policisë së Shqipërisë, pas të cilit 34 persona po mbahen në burg.

Opozita e Shqipërisë e ka konsideruar këtë dorëheqje si “fitore të tyre”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ka thënë se largimi i Fatmir Xhafës është një hap i rëndësishëm “në betejën tonë për të pastruar politikën nga krimi”.

“Me Fatmir Xhafën krimi vuri nën kontroll të plotë policinë dhe prokurorinë. Por largimi i tij është vetëm fillimi i shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Beteja për çlirimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë nga krimi do të vazhdojë deri në fitore. Shqiptarët meritojnë një qeveri që punon për njerëzit”, ka shkruar Basha në Facebook.

Edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se “pas një beteje të furishme, opozita shqiptare ia doli t’i japë një goditje të merituar familjes mafioze Xhafaj”, duke hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Rama “se shiti Xhafën për të shpëtuar lëkurën e tij”.

Opozita e Shqipërisë, përmes deklaratave dhe protestave vazhdimisht ka kërkuar dorëheqjen e Xhafajt, pas një përgjimi telefonik qe ishte lëshuar për mediat, ku dyshohet se vëllai i ministrit ishte i implikuar në trafikim ndërkombëtar të drogës.

XS
SM
MD
LG