Një burrë i ka vrarë dy njerëz dhe e ka plagosur një tjetër me armë zjarri të premten në një fshat të Gjilanit në lindje të Kosovës, dhe më pas është vetëdorëzuar tek autoritetet, njoftoi Policia e Kosovës.
Policia tha se në mesin e të vrarëve janë një burrë 30-vjeçar dhe një grua 30-vjeçare.
Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se viktimat dhe i dyshuari kishin lidhje familjare.
Policia tha se ende nuk dihen motivet e vrasjes së rëndë.
"I dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast", tha Policia.
Rasti ka ndodhur rreth orës 14:25 në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.
Policia tha se pranoi thirrje për të shtëna më armë në këtë fshat dhe kur mbërriti në vendngjarje e gjeti të vrarë brenda një automjeti burrin 30-vjeçar.
Ndërsa, gruaja 30-vjeçare ishte sjellë pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, pasi plagëve të pësuara nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.
Ndërkohë, një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Kjo vrasje vjen më pak se një muaj pasi një burrë u arrestua për vrasjen e motrës dhe plagosjen e nënës në shtator në Prizren.
Ndërkohë, në gusht u vranë dy gra: një 25-vjeçare shtatzënë dhe një 80-vjeçare. Për të dyja vrasjet dyshohen bashkëshortët e viktimave - njëri 26 dhe tjetri 81 vjeç.