Ndërlidhjet

E ardhme e pasigurt për autostradën në Mal të Zi


Autostrada e Malit të Zi që lidh Barin me Serbinë.
Autostrada e Malit të Zi që lidh Barin me Serbinë.

Tetë vjet pas nënshkrimit të kontratës është duke u finalizuar seksioni fillestar i një autostrade kontroverse në Mal të Zi, ndonëse vazhdon të ketë pyetje të vazhdueshme për të ardhmen e projektit.

Autostrada është paguar pas marrjes së një kredie nga Kina në vlerë të 1 miliard dollarëve.

Edhe pse dikur ky projekt është konsideruar historik, për shkak të përfshirjes në Iniciativën kineze Brezi dhe Rruga, autostrada shumë shpejt është kthyer në një përmbledhje të punimeve të dobëta kineze, praktikave të rrezikshme të huadhënies dhe shqetësimeve për korrupsion endemik të nivelit lokal.

Mali i Zi ka marrë hua 1 miliard euro nga një bankë kineze më 2014, për të financuar pjesën e parë të autostradës 163-kilometërshe, për të lidhur qytetin e Barit me Serbinë fqinje.

Për autostradën është thënë se do të rrisë aktivitetin ekonomik, mirëpo Podgorica është zhytur në borxhe ndaj Kinës, që përbëjnë më shumë se një të tretën e buxhetit vjetor qeveritar.

Këtij kapitulli duket se po i vjen fundi, pasi kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka bërë të ditur në muajin maj se seksioni i parë i autostradës – prej 41 kilometrave – do të hapet këtë verë.

Mali i Zi merr vesh çmimin e vërtetë të autostradës 1-miliardëshe
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:59 0:00

Ervin Ibrahimoviq, ministër për Investime Kapitale në Mal të Zi, ka thënë më 16 maj se autostrada mund të lëshohet në korrik, ndonëse nuk ka specifikuar se çfarë ka mbetur pa u kompletuar.

Megjithatë historisë kontroverse për autostradën nuk i shihet fundi, pasi edhe 122 kilometra tjera nuk janë ndërtuar ende për shkak të mungesës së fondeve.

Kjo situatë ka rritur spekulimet nga aktivistët lokalë dhe donatorët ndërkombëtarë për objektivat e Pekinit në Mal të Zi dhe Ballkan, si dhe për motivet e Qeverisë së kaluar, e cila ia ka dhënë dritën jeshile ndërtimit të autostradës.

“Secila vonesë në hapje të autostradës është humbje e drejtpërdrejtë për shtetin dhe qytetarët”, ka thënë Dejan Milovac nga organizata Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS), në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Afati fillestar për përfundim të punimeve të autostradës ka qenë nëntori i vitit 2019, por i cili është shtyrë disa herë nga Korporata e Kinës për Rrugë dhe Ura, kompani shtetërore e cila merret me punimet.

Kjo kompani kineze ka përmendur pandeminë e koronavirusit si burim të vonesave në ndërtim të autostradës.

MANS ka vlerësuar se vonesat në përfundim të projektit kanë rezultuar me humbje të të hyrave, ndërsa Milovac ka thënë se katër qeveritë e kaluara nuk e kanë ditur se kur përfundojnë punimet, situatë që flet “sa joserioze kanë qenë në qasjen e tyre ndaj projektit”.

Rruga e gjatë e Malit të Zi

Pavarësisht dështimit të disa studimeve të fizibilitetit, projekti është nënshkruar nga Qeveria e ish-kryeministrit, Millo Gjukanoviq, i cili ka marrë kredinë kineze për të financuar autostradën.

I gjithë procesi i huamarrjes është përcjellë me një re misteri dhe shumë të panjohura.

Përveç studimeve të fizibilitetit, kanë lindur edhe shumë pyetje për përfitimet dhe nevojën e ndërtimit të këtij projekti.

Qeveria e Gjukanoviqit ka pasur oferta për ndërtim të autostradës edhe nga kompani të huaja, duke përfshirë gjigantin amerikan, Bechtel, kompani e cila ka kërkuar shumë më modeste për të ndërtuar rrugën.

Marrëveshja për kredi e vitit 2014 me Bankën Eksport-Import të Kinës, është bërë publike, mirëpo dokumentet tjera që lidhen me autostradën malazeze janë klasifikuar si sekrete nga Podgorica.

Teksa shtohen vonesat, ashtu sikurse borxhi, projekti inxhinierik e ka gjetur veten në zemër të debatit për ndikimin kinez në Evropë, pasi Podgorica ka ngritur shqetësimet e para më 2021 se nuk do të mund të bëjë pagesat për kompaninë kineze.

Ky shtet i vogël i Ballkanit me vetëm 620,000 banorë, më pas ka arritur marrëveshje me një bankë franceze dhe dy amerikane për të ristrukturuar huanë kineze prej 1 miliard dollarësh, dhe prej atëherë e ka kryer pagesën e parë.

Autostrada, e cila sipas një studimi mund të bëhet rruga më e shtrenjtë në botë, me një çmim prej 23.8 milionë dollarëve për një kilometër, është komentuar edhe për kualitetin, pasi ish-kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, e ka vizituar vendin ku po kryhen punimet në dhjetor të vitit 2021 dhe e ka kritikuar situatën që ka parë aty.

Krivokapiq është rrëzuar nga pushteti përmes një vote mosbesimi në fund të shkurtit të këtij viti dhe është zëvendësuar në muajin prill nga Abazoviq, i cili ka qenë kritik i autostradës dhe ndër të parët që ka lëshuar alarmin për hua, në një udhëtim të realizuar në mars të vitit 2021 në Bruksel.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq pas vizitës në zonën e punimeve për autostradë.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq pas vizitës në zonën e punimeve për autostradë.

Qeveria e Abazoviqit ka dhënë shenja për një linjë më të ashpër sesa paraardhësit, për të shkurtuar vonesat në punime.

Mirosllav Mashiq, drejtor gjeneral për rrugët shtetërore në Ministrinë për Investime Kapitale në Mal të Zi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se përveç vonesave si pasojë e pandemisë, Qeveria beson se arsyet e vonesave nga ana e kompanive kineze janë të pabaza.

“Gjithçka pas afatit të përcaktuar për në nëntor të vitit 2020 është përgjegjësi e kompanive kineze”, ka thënë ai.

Korporata e Kinës për Rrugë dhe Ura, nuk u është përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të komentuar vonesat.

Menaxhimi i dëmit

Mashiq ka thënë se Qeveria veçse ka nisur procedurën për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga vonesat e Korporatës së Kinës për Rrugë dhe Ura, në formë të gjobave.

“Deri në fund të projektit do të lëshohen gjoba të tilla dhe më pas do të ketë një rishikim të kostove të shkaktuara për shkak të vonesave”, ka thënë ai.

Milovac nga MANS, ka thënë se Qeveria aktuale ka të drejtë të kërkojë kompensim nga kompania ndërtuese kineze, mirëpo ka shtuar se Korporata e Kinës për Rrugë dhe Ura nuk është e vetmja përgjegjëse për punimet në autostradë.

Pamje nga punimet për ndërtim të autostradës.
Pamje nga punimet për ndërtim të autostradës.

Milovac ka thënë se vetëm pas publikimit të plotë të dokumenteve dhe kontratave të lidhura me autostradën, do të jetë i qartë përgjegjësi.

“Në disa raste, ne kemi pasur vonesa që janë miratuar nga ministritë e kaluara, ndonëse syri i publikut nuk i ka ditur arsyet e vërteta”, ka thënë ai.

“Meqë janë miratuar, ne mund të themi se faji ka qenë edhe i palës malazeze dhe jo vetëm asaj kineze”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG