Ndërlidhjet

Rama për raportin e Dick Martyt: Rrëzoni akuzat kundër Kosovës


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. 12 tetor 2022.

“Rrëzoni akuzat kundër Kosovës, pranoni kërkesën e Shqipërisë për një raport vijues ndaj atij të Dick Martyt”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Shpëtoni integritetin tuaj”, u është drejtuar Rama të pranishmëve në Asamblenë Parlamentare, më 12 tetor.

“Besimi te ndërkombëtarët është thyer. Një lajm i rremë u bë raport, më pas rezolutë. U minua besimi dhe drejtësia. Dështim monumental i këtij institucioni. Nuk jam këtu për të fajësuar paraardhësit tuaj, por për të kërkuar të riktheni besimin e humbur”, tha ai.

Kërkesat e kryeministrit shqiptar shkaktuan debate në seancën plenare, ku disa prej të pranishmëve i cilësuan “akuza të pashembullta” ato që tha Rama.

Rama iu drejtua të mërkurën Këshillit të Evropës, ku kërkoi rishikimin e Rezolutës 1782 (të miratuar në vitin 2011) për raportin e Dick Marty, për t'i shpallur të pabazuara akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.

Në aktakuzën kundër tyre përmenden krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, por nuk figuron “trafikimi i organeve njerëzore”.

Rama prezantoi para Këshillit të Evropës një rezolutë të Shqipërisë, e cila thotë se pretendimet e ngritura nga Dick Marty për “vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë”, janë pretendime që “kanë mbetur të paargumentuara, të paaprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte”. ​

Kjo rezolutë u miratua në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik. Gjatë asaj seance, Rama kishte deklaruar se zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg, duke theksuar se raporti i senatorit zviceran solli një proces hetimesh, por sipas tij nuk solli drejtësi dhe i bëri viktima figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

A do të merret parasysh rezoluta e Shqipërisë?

Të pyetur se a do të merret parasysh rezoluta e Shqipërisë, nga Këshilli i Evropës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë më 22 korrik se “Asambleja e Këshillit të Evropës mund të vendosë që të përgatisë dhe të debatojë raporte – përfshirë edhe raporte vijuese – për çfarëdo teme që është në mandatin e këtij Këshilli".

“Procedura për parashtrim të mocioneve parashihet sipas rregullit të 25-të”.

Ky rregull parashikon që një mocion për rekomandim apo rezolutë (që përmban jo më shumë se 300 fjalë) duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 përfaqësues apo zëvendësues, që u takojnë të paktën pesë delegacioneve kombëtare, apo duhet të miratohet me kuorumin e nevojshëm nga një nga komisionet e Këshillit.

Pasi një raport të jetë diskutuar brenda një komisioni, ai mund të kalojë në votim në komision, të paraqitet dhe të publikohet si dokument i Asamblesë dhe vetëm atëherë mund të vendoset në rendin e ditës të debatit plenar.

Rama: Pranojeni kërkesën e Kosovës për anëtarësim

Në fjalimin që mbajti për rreth një orë, Rama kërkoi gjithashtu që Këshilli i Evropës ta pranojë kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizëm ndërkombëtar, dhe tha se kjo kërkesë duhet të realizohet tani.

Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg.

Aplikimin për anëtarësimin në Këshillin e Evropës e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

XS
SM
MD
LG