Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se vëmendja ndërkombëtare për Zvërnecin nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me përfshirjen në projekt të Jared Kushner dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan, Donald Trump.
Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që ai drejton, Rama tha se një projekti zhvillimi, që pritet të zbatohet në Zvërnec, në bregdetin e jugut të vendit, u bë papritur pjesë e, siç tha ai, një lufte ideologjike, që nuk ka lidhje me Shqipërinë.
“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij [v.j. presidentit Trump], të cilin e urren për vdekje krejt armata globale online, që kujtoi se gjeti në bulevardin e Tiranës Vaterlonë e Donald Trump”, tha Rama.
Në fjalimin e gjatë që mbajti para ministrave dhe deputetëve Rama tha se janë qëllimet e kësaj proteste, që vijon prej 20 ditësh.
“Do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës, ndërsa armata shurdhuese e influencerëve, ndjekësve, analistëve, dialistëve, opinionistëve, urrejtësve kinse patriotikë dhe mercenarëve digjitalë të vënë në dispozicion gojarisht nga armiqtë e Shqipërisë apo nga konkurrentët e saj të egër në industrinë e turizmit, do ta shpëtonte Shqipërinë nga unë”, tha Rama.
Prej 20 ditësh në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera të Shqipërisë po zhvillohen protesta kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për mjedisin dhe hetimeve për pronësinë e tokës.
Kryeministri i Shqipërisë edhe një herë përsëriti se pas protestës qëndrojnë disa aktorë, që nga përdoruesit e rrjeteve sociale e deri, siç pretendoni ai, te parti politike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikë.
“Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni digjital, një vorbull shumëfish më e madhe sesa vetë përmasa e vendit tonë, e cila përfshiu bashkëqytetarët tanë.... njerëz nga çdo anë e botës, media sociale e tradicionale nga të gjitha kontinentet, organizata vendase dhe të huaja, parti politike në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, aktorë të biznesit të turizmit në rajon dhe aktorë shtetërorë malinj ndaj Republikës së Shqipërisë”, pohoi Rama.
Më herët, Rama kishte akuzuar Iranin se është përfshirë në një “luftë hibride” dezinformimi kundër investimit në Zvërnec, i cili mund të arrijë vlerën prej 4 miliardë eurosh.
Protestuesit në Shqipëri po kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e Qeverisë së Ramës.
Duke pranuar se mes protestuesve janë edhe qytetarë të pakënaqur me qeverisjen e tij, Rama tha se Qeveria duhet t'i dëgjojë, por shtoi se “një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma” duke iu referuar protestës. Zërave kritikë brenda partisë që ai drejton, Rama iu përgjigj duke deklaruar se do t'i shkojë deri në fund qëllimit të tij, për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian.
Projekti në Zvërnec është lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas të dhënave zyrtare, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Ndërkaq, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.