Ndërlidhjet

Ekonomia joformale në Kosovë arrin në shkallën prej 30 për qind


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar betejë të pakompromis kundër ekonomisë joformale në vend, e cila vlerësohet të ketë arritur në shkallën prej 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka publikuar të premten, në një konferencë për media, raportin gjashtëmujor ku është theksuar se niveli i ekonomisë joformale është në nivel të lartë, por që si e tillë, përgjatë kësaj periudhe, ka shënuar rënie për shkak të rritjes së të hyrave tatimore.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, thotë se të hyrat nga tatimet kanë arritur vlerën e më shumë se 200 milionë eurove dhe kjo ka ardhur si rezultat i luftimit të ekonomisë joformale dhe mbledhjes së borxheve.

“ATK-ja, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019, ka mbledhur të hyra në vlerë prej 239.5 milionë eurosh, që krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar rezulton se kemi 19.5 milionë euro më shumë të hyra nga tatimet, apo 8.9 për qind”, thekson ai.

ATK-ja, thotë Murtezaj, ka zhvilluar aktivitete edhe për mbledhjen e borxheve. Ai bën të ditur se për herë të parë kanë zhvilluar rreth 155 aktivitete të konfiskimit të pasurisë dhe si rrjedhojë janë inkasuar më shumë 2.7 milionë euro.

“Po ashtu, në gjashtë mujorin e këtij viti, Departamenti i Hetimeve Tatimore në ATK ka zhvilluar 81 aktivitete për shmangie tatimore, 23 raste janë të hapura nën dyshim të shmangies tatimore dhe janë konstatuar 4.58 milionë euro shmangie tatimore”, thekson Murtezaj.

ATK-ja ka prezantuar edhe Planin për Përmirësimin e Përmbushjes në Sektorin e Ndërtimtarisë për vitet 2019-2021, përmes së cilit është bërë e ditur se do të kryejë aktivitete gjithëpërfshirëse në sektorin e ndërtimtarisë, në mënyrë që të shmanget evazioni fiskal.

Muaj më parë, në kuadër të Qeverisë së Kosovës është miratuar Strategjia për luftimin e ekonomisë joformale, e cila përfshin të gjithë aktorët zbatues të ligjit, që duhet të punojnë në këtë drejtim për të zvogëluar apo luftuar ekonominë joformale.

Në raportet vendore dhe ndërkombëtare në vazhdimësi theksohet se ekonomia joligjore në Kosovë përbën më shumë se 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovë, Bedri Hamza, thotë se fokusi i autoriteteve në Kosovë, do të jetë luftimi i ekonomisë joformale dhe trajtimi i barabartë i të gjitha bizneseve.

“Luftimi i informalitetit të fokusohet në dy drejtime, jo vetëm në rritjen e të hyrave për arkën e shtetit që është shumë e rëndësishme, por mbi të gjitha në trajtimin e barabartë të tatimpaguesve. Nuk mundet dikush të paguajë taksa e dikush të mos paguajë. Nuk mund të zhvillohet një biznes nëse përballet me konkurrencë të pandershme, prandaj ju inkurajoj që të zbatohet ligji drejt dhe të trajtohen të gjithë tatimpaguesit barabartë”, thekson Hamza.

Ai shton se ekonomia joformale në Kosovë ka shënuar rënie. Ai ka kërkuar nga mekanizmat ndërkombëtarë që të vijnë dhe të matin nivelin e ekonomisë jo formale, pasi që, sipas tij, deri sa janë shënuar rritje të të hyrave nga ATK, niveli i kësaj ekonomie do të duhej të shënonte rënie.

Luftimi i ekonomisë joformale, si një nga problemet më të mëdha në ekonominë e Kosovës, është theksuar edhe në paketën vjetore të zgjerimit të Komisionit Evropian, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG