Ndërlidhjet

Rritje e eksportit të bimëve aromatike dhe mjekësore


Bimët e Kosovës në sofrat e vendeve të BE-së
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

Bimët e Kosovës në sofrat e vendeve të BE-së

Me ngjyra të ndritshme vjollcë dhe të kaltër, lulet e cianit që ndryshe njihen si çikore përshkojnë kopshtin e Gjylë Ramës në Istog.

Gjyla ka rreth pesë vjet që mbjellë këtë lule e cila tradicionalisht është përdorur kundër gurëve në mëshikëzën e vrerit dhe veshka, për pastrimin e gjakut dhe kundër reumatizmit.

Në 33 ari tokë në Istog, Gjyla ka mbjellë bimë të ndryshme aromatike që përdoren si lëndë e parë për çaj, ushqim e ilaçe.

Ajo tregon se lulet kërkojnë ujitje dhe kujdes të përditshëm.

“Kjo do punë, nuk do të ndejë, shkojnë dëm...se një ditë nëse nuk mblidhet, lulja ndihet keq. Se sa më shumë që e mbledh, ka lule më shumë", tregon ajo për Radion Evropa e Lirë.

Gjyla Rama.
Gjyla Rama.

Për rreth pesë vjet, Gjyla me ndihmën edhe të familjarëve, siguron të ardhura nga kultivimi i bimëve, të cilat pas tharjes ia shet kompanisë “Agro Product”.

Bimët e mbledhura e të kultivuara që certifikohen si organike, mbërrijnë më vonë nëpër vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

“Tash i kemi dërguar 18 kilogramë, i kemi edhe 10-15 kilogramë të thara, të gatshme për t’i dërguar”, tregon ajo.

Disa kilometra larg kopshtit të mbjellë me cian, në fshatin Vrellë rritet bima e lulediellit e çaji mentë në tokën që e punon Safete Bicaj.

Safetja ka arritur që të trefishojë hapësirën e tokës në të cilën mbjellë mentë dhe tani paguan një punëtore në baza mujore për t’i ndihmuar në mbledhjen e bimëve.

Petalet e lulediellit që Safetja i mbledhë, përdoren në disa produkte mjekësore dhe kremra në kozmetikë.

“Ia nisim zakonisht tri-katër orë në mëngjes edhe hyjmë brenda. I marrim lulet. Ciani duhet të mblidhet çdo ditë, shkoj i dërgoj në serë, i thaj, pastaj i marr lulet e diellit, vetëm kokën ia shkulim dhe hyjmë brenda i heqim petalet”, thotë ajo.

Dy fermeret nga Istogu janë pjesë e 618 fermerëve të kontraktuar për kultivimin e bimëve aromatike dhe medicinale për kompaninë “AgroProduct” dhe 53 qendrat e tyre grumbulluese.

Mbi 95 për qind e bimëve eksportohen

Erërat e luleve që thahen dhe përpunohen brenda fabrikës së “AgroProduct”, me pronar Halit Avdiajn, ndihen ende pa hyrë brenda objektit.

Thasët e mëdhenj, me emrin e secilit produkt të etiketuar shfaqin lloje të bimëve nga më të ndryshmet që janë mbledhur nga 3.240 persona të kontraktuar që mbledhin bimë të egra nëpër malet e Kosovës.

Momentalisht, kompania mbledh rreth 104 lloje të bimëve dhe 96 për qind të produkteve eksportohen në vende të Evropës, kryesisht në Gjermani, Zvicër e Austri.

Avdiaj thotë kur nisën punën në këtë kompani në vitin 2002, gjetën një situatë ku mbledhja e këtyre produkteve në vend kishte pësuar një ndërprerje shumëvjeçare që nga koha e ish-Jugosllavisë.

“Në njërën anë kanë qenë kapacitetet shumë të rritura të bimëve të egra që nuk janë shfrytëzuar për vite me radhë. Në anën tjetër, ajo gjeneratë që është marrë me grumbullim të bimëve ka vdekur, kështu që ne na është dashur prej fillimit të organizojmë gjithçka sa i përket sektorit të grumbullimit”, thotë Avdija.

Grumbullimi i bimëve aromatike dhe mjekësore në fabrikën “Agro Product”.
Grumbullimi i bimëve aromatike dhe mjekësore në fabrikën “Agro Product”.

Kompania e Avdiajt ka një marrëdhënie të veçantë me fermerët e kontraktuar, ndërsa për të siguruar certifikimin organik, rruga e një bime të mbledhur apo certifikuar dokumentohet në secilin hap dhe gjithmonë mund të gjurmohet prapa te fermeri që e ka mbledhur.

“Blerësi e kërkon këtë sepse ai do ta ketë rrugën e produktit të vetë, të shkojë deri në fund edhe pa dijeninë tonë të kontrollojë produktin e vetë dhe kush ia ka siguruar”, thotë ai.

Potenciali ekonomik i industrisë së bimëve aromatike e mjekësore

Në dhjetë vjetët e fundit, Kosova është ngritur në tabelën e vendeve që eksportojnë produkte organike nëpër Evropë. Në vitin 2019, Kosova eksportoi 8.15 milionë euro vlerë të këtyre produkteve.

Industrinë e bimëve aromatike dhe medicinale po e sheh si të ardhmen e bujqësisë në Kosovë, profesori i degës së Biologjisë në Universitetin e Prishtinës, Avni Hajdari.

Ai tregon se bimë të reja e të rralla që rriten në Kosovë kanë potencialë për zhvillim edhe më të madh të këtij sektori.

Një nga telashet e industrisë, sipas profesorit është fakti se bima e njëjtë mund të ketë specifika të ndryshme, varësisht nga toka ku rritet dhe të ndikojë në mungesë të uniformitetit të produkteve.

“Për shembull, një bimë që rritet në rrafshin e Kosovës mund të ketë përbërje kimike pothuajse krejt tjetër se sa një bimë tjetër që rritet në rrafshin e Dukagjinit. Prandaj përzgjedhja e këtyre bimëve me substanca specifike dhe kultivimi i tyre do ta zgjidhte këtë problem”, thotë ai.

Bimët e mbledhura në Kosovë eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian.
Bimët e mbledhura në Kosovë eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian.

Në tre vjetët e fundit, rritja e vlerës së eksportit ishte për dy milionë euro.

Sipas hulumtimit mbi tregun e bimëve arsyet kryesore për trendet pozitive të eksportit të këtij sektori janë: rritja e kërkesës për produkte të shëndetshëm në të gjithë botën, cilësia e mirë e produkteve të ofruara në treg si dhe lidhjet e mira të tregut të zhvilluara nga eksportuesit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG