Ndërlidhjet

Ish-prokurori Blakaj thotë se vazhdimisht kishte presion nga Lumezi


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, përmes një letre publike, ka shkruar se Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, e kishte penguar në punën e tij. Blakaj shkruan se Lumezi i kishte kërkuar llogari se përse e kishte intervistuar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli si dëshmitar “në rastin e veteranëve”.

Ish-prokurori Blakaj, shkruan se Lumezi i kishte thënë se Kadri Veseli kishte imunitet dhe nuk ka pasur nevojë ta thërras si dëshmitar.

“Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi urgjentisht më ftoi në zyrën e tij dhe kërkoi llogari pse e kam ftuar në intervistim Kadri Veselin (madje edhe si dëshmitar) për rastin e ‘veteranëve’, duke u arsyetuar ‘se ata kanë imunitet nuk ka nevojë që t’i thërrasësh’, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi, nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”, shkruan Blakaj në këtë letër.

Bakaj ka shkruar se Lumezi i kishte folur edhe për rastin “Pronto”. Ai ka thënë se kryeprokurori Lumezi kishte provuar ta frikësojë, se nëse nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do ta dërgonte në komision disiplinor.

Ish-prokurori special, i cili pas dorëheqjes ka shkuar në Amerikë, ka folur edhe për kërcënimet që kishte marrë, derisa ishte duke u marrë me rastin e veteranëve.

“Kam pranuar thirrje telefonike nga persona të njohur e të panjohur. Më kanë kontaktuar personalisht edhe fizikisht, duke më përcjellë lloj-lloj mesazhesh, e duke u thirrur në luftën e shenjtë të UÇK-së ‘se ki kujdes ku je hi’, ‘ki kujdes se po do me i njollos vlerat e luftës’, ‘pse, a po të dhimbsen paret e shtetit ty, a mos po t’i marrim ty’, ‘lëre bëja si tjerët’ etj”, shkruan më tej Blakaj në këtë letër.

“Opinioni duhet ta di se ky rast ka nxjerrë në pah realitetin se çfarë niveli, integriteti dhe morali kemi, me çfarë lehtësie abuzojmë dhe e vjedhim shtëpinë tonë dhe se me sjellje të tilla vazhdimisht jemi duke e fyer, sakrificën dhe mundin e shumë gjeneratave, në veçanti të atyre që kanë luftuar dhe rënë për këtë vend. Andaj, unë vlerësoj se ne duhet të kemi frikë vetëm nga një fakt, e ai është turpi, e unë, për asnjë moment nuk pranoj të jem prokuror i shtetit dhe të turpërohem, sepse ky është kërcënuesi më i madh”, ka shkruar Elez Blakaj.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit thonë se ende nuk kanë ndonjë reagim zyrtar lidhur me letrën e ish-prokurorit special, Elez Blakaj.

XS
SM
MD
LG