Ndërlidhjet

Escobar dhe Lajçak këtë javë në Kosovë dhe Serbi


I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë një vizite në Prishtinë më 2022.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë një vizite në Prishtinë më 2022.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, pritet që më 20 janar të vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë, për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel. Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se i dërguari i Bashkimit Evropian do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha për gazetarët se datat e vizitave të Lajçakut bëhen të ditura kur të konsiderohet se është e duhur nga ana e delegacioneve dhe zyrave përkatëse të bllokut evropian në Prishtinë dhe Beograd.

Dy të dërguarit kohëve të fundit kanë vepruar bashkërisht me qëllim që të rrisin gjasat për sukses në dialog. Në Bruksel, disa herë kanë thënë se angazhimi i përbashkët BE-SHBA është treguar i dobishëm për të bindur palët që të ulin tensionet.

Escobar dhe Lajçak më 9 janar janë takuar me ambasadorët e shteteve të NATO-s me të cilët kanë biseduar për situatën në Kosovë dhe rajon dhe kanë paraqitur para tyre edhe planet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se Kosovën dhe Serbinë së shpejti do ta vizitojë edhe i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, dhe ai i Gjermanisë, Jens Plotner, por aktualisht nuk është saktësuar nëse këta dy diplomatë do të shoqërojnë Escobarin dhe Lajçakun.

Megjithatë, sipas burimeve, tashmë është arritur një pajtim i gjerë për të mbështetur propozimin franko- gjerman për një marrëveshje bazë mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se ky propozim është “propozim evropian” dhe ka mbështetjen e të gjitha shteteve të BE-së. Këtë plan e përkrah edhe SHBA-ja.

Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve që Escobar dhe Lajçak do të kenë në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.

Sa i përket një takimi të ri mes bartësve të dialogut, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, diplomatët në Bruksel nuk kanë përmendur ndonjë datë, por kanë thënë se “po punohet që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo varet nga vullneti i të dyja palëve dhe gatishmëria e tyre për të arritur rezultate konkrete”.

Synimi i bllokut evropian është që takimi Kurti-Vuçiq të ndodhë para fundit të muajit janar.

Herën e fundit që Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar rund bisedimesh ishte më 21 nëntor të vitit 2022.

Ndërkaq, temë e diskutimeve gjatë vizitës së Escobarit dhe Lajçakut pritet të jenë edhe tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë – që mbajtën të bllokuar për 20 ditë veriun e Kosovës në fundin e vitit 2022 – dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog.

Kosova është nën presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës.

Gjatë një vizite në Prishtinë më 11 janar, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga "Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë".

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, kryeministri Kurti ka shprehur qëndrimin e se është kundër një asociacioni njëetnik. Megjithatë, së fundmi ai nuk ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të diskutohet në kuadër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u pyet nëse BE-ja mbështet krijimin e Asociacionit sipas Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ashtu siç ka kërkuar SHBA-ja.

“Kosova më 2013 bëri një marrëveshje për themelimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje ishte arritur me mirëkuptim nga të gjitha palët e përfshira. Nuk ishte anuluar apo tërhequr asnjëherë. Ishte ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. Duke bërë këtë, Kosova mori një obligim ndërkombëtar për ta zbatuar këtë marrëveshje”, tha Stano.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 për themelimin e Asociacionit është keqinterpretuar. Gjykata asnjëherë nuk ka thënë se Asociacioni nuk duhet të themelohet. Prandaj ne presim nga Kosova që të respektojë obligimet që ka marrë në dialog. I takon Kosovës që të propozojë rrugën drejt zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, shtoi ai.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Prishtina kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

XS
SM
MD
LG