Ndërlidhjet

Erdogan shpallet fitues


Stamboll, 24 qershor, 2018.
Stamboll, 24 qershor, 2018.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shpalli fitore në zgjedhjet presidenciale të së dielës dhe tha se aleanca e udhëhequr nga Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka fituar shumicën parlamentare.

Erdogan ka mundur rivalin e tij më të afërt në raundin e parë, duke fituar më shumë se 50 përqind të votave, tha udhëheqësi i Komitetit Suprem të Zgjedhjeve (YSK), Sadi Guven, pa dhënë shifra të sakta.

Guven tha se 99.1 përqind të votave janë numëruar. Sipas tij votat e mbetura nuk do të ndikojnë në rizgjedhjen e Erdoganit.

YSK pritet të publikojë rezultatet përfundimtare në 10 apo 11 ditët në vijim.

Në po të njëjtën kohë, agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, raportoi se me gati të gjitha votat e numëruara, Erdogan fitoi 53% të tyre, ndërsa rivali i tij më i afërt, Muharrem Ince, 31%.

Sipas burimit të njëjtë, AKP-ja kryeson me 43% të votave, ndërsa opozita kryesore, Partia Popullore Republikane, ka 23%.

Opozita, megjithatë, i kundërshton këto shifra, duke thënë se shumë vota janë ende pa u numëruar.

Sipas rezultateve jozyrtare, partia pro-kurde HDP po ashtu pritet të kalojë pragun prej 10% të votave dhe të hyjë në parlament.

Të dielën, në Turqi u mbajtën edhe zgjedhjet presidenciale, edhe ato parlamentare.

Këto zgjedhje fillimisht kanë qenë të parapara për nëntor të vitit 2019, por janë sjellë më herët nga Erdogan.

Dalja në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale ka qenë 87 përqind, kanë thënë zyrtarët.

“Kombi më ka dhënë besimin dhe përgjegjësinë e presidencës dhe detyrës ekzekutive”, tha Erdogan gjatë një fjalimi televiziv nga Stambolli.

“Mesazhi është i qartë”, shtoi ai.

“Me dalje gati 90 përqind, Turqia i ka treguar gjithë botës mësime për demokracinë”.

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët, pavarësisht se nga cila parti janë, që kanë dalë në zgjedhje për të shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike”, tha 64 vjeçari.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka përgëzuar Erdoganin për rizgjedhjen e tij, duke thënë se rezultatet kanë treguar “autoritet të madh politik” dhe mbështetje masive.

Autoriteti i Erdoganit testohet të dielën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:56 0:00

Turqia mbetet në gjendje të jashtëzakonshme, e cila është vënë që pas përpjekjes për grushtshtet atje, në korrik të vitit 2016.

Zgjedhjet u mbajtën nën masa të rrepta të sigurisë. Vetëm në Stamboll, mbi 38 mijë policë kanë qenë në detyrë.

Shqetësime për kërcënimin e mundshëm të votuesve ka pasur sidomos në zonat juglindore të Turqisë, ku vota kurde ka qenë e rëndësishme për rezultatin.

Aktivistët e të drejtave të njeriut po ashtu kanë thënë se mediat nuk kanë qenë të lira për të raportuar për të gjitha palët.

Erdogan ka dominuar politikën turke për më shumë se 15 vjet, fillimisht si kryeministër dhe nga viti 2014 si president.

Sipas grupeve monitoruese, nën sundimin e Erdoganit, Turqia është bërë vendi që ka burgosur më së shumti gazetarë në botë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG