Ndërlidhjet

A mund ta ndalojë opozita hovin e Erdoganit?


Nga një tubim parazgjedhor në Turqi...

Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Turqi do të marrë detyrën me më shumë kompetenca se secili president turk që ka pasur deri më tash – përfshirë të drejtën për të sunduar me dekret dhe për të shpërndarë parlamentin.

Me shpresën për të parandaluar rizgjedhjen e Recep Tayyip Erdoganit, parti të ndryshme opozitare janë bërë bashkë në aleancë edhe për zgjedhjet parlamentare, edhe për ato presidenciale, që mbahen sot.

Aleanca Kombëtare mbështet kandidatin sekular për president, Muharrem Ince, të nominuar nga Partia Republikane Popullore.

Aleanca përfshin socialdemokratë laikë, konservatorë të qendrës së djathtë, konservatorë liberalë nacionalistë dhe islamistë konservatorë.

Kandidatët për parlament nga Aleanca Kombëtare zotohen se, nëse sigurojnë shumicën e legjislaturës, do t’i shfuqizojnë ndryshimet kushtetuese që janë miratuar në një referendum kontrovers më 2017. Këto ndryshime pritet të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve dhe do ta transformojnë sistemin parlamentar të Turqisë në sistem presidencial.

Përveç zgjerimit të kompetencave presidenciale, këto ndryshime gjithashtu do të heqin postin e kryeministrit dhe do të shfuqizojnë shumë kontrolle dhe balancime që janë projektuar për të ndihmuar parlamentin përballë keqpërdorimit të kompetencave presidenciale.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit dhe partneri i saj i vogël i koalicionit, Partia e Lëvizjes Nacionaliste, nga ekstremi i djathtë, i kanë hartuar ndryshimet kushtetuese dhe i kanë shndërruar në ligj, me qëllim forcimin e sundimit të Erdoganit – një sundim për të cilin shumë ekspertë të pavarur thonë se po lëviz drejt autoritarizmit.

Një fije shprese për kandidatin presidencial të opozitës

Popullariteti i Erdoganit duket se është lëkundur muajve të fundit për shkak të përkeqësimit të ekonomisë, opozitës së tij të vendosur kundër kurdëve në gjithë rajonin dhe shqetësimeve për përndjekjen e vazhdueshme të rivalëve politikë, që nga përpjekja e dështuar për grushtshtet në Turqi, në korrik të vitit 2016.

Erdogan mendohet të ketë shanse të forta për t'u rizgjedhur edhe për një mandat pesëvjeçar. Por, sondazhet e opinionit tregojnë se do të jetë e vështirë për të për të fituar në rrethin e parë dhe se ai, me gjasë, do të shkojë në balotazh kundër Inces, më 8 korrik.

Gonul Tol, drejtore e studimeve turke në Institutin e Lindjes së Mesme, me seli në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjedhjet e sotme "mund të jenë shansi i fundit për Turqinë që të shmangë rënien në autoritarizëm, me Erdoganin”.

Tol thotë se Ince ka shanse ta mposhtë Erdoganin në rrethin e dytë të votimeve, nëse ato realizohen pa parregullsi.

Por, për ta bërë këtë, Tol thotë se Ince duhet të arrijë mbështetjen e kurdëve në Turqi dhe “të bindë konservatorët fetarë se liritë fetare që i kanë pasur nën sundimin e Erdoganit, do të mbeten në fuqi”.

Nick Danforth, analist në Qendrën për Politika në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se “nëse votat numërohen në mënyrë të drejtë, opozita ka shanse të mira ta ndalojë Erdoganin në rrethin e parë”.

“Në rrethin e parë, nëse opozita bashkohet e gjitha pas Inces dhe nëse votat numërohen në mënyrë të drejtë, Ince ka shanse të mundë Erdoganin”, thotë Danforth.

Autoriteti i Erdoganit testohet të dielën
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:04:56 0:00

Sipas analistes Tol, edhe nëse nuk ka mashtrime në zgjedhje, fushata zgjedhore “nuk ka qenë e lirë dhe e drejtë”.

Ajo thotë se goditja e Erdoganit, pas puçit të dështuar, nën një gjendje të jashtëzakonshme, ka shtypur mediat opozitare anembanë vendit.

"Nëse Erdogan fiton presidencën, por partia e tij në pushtet humb shumicën parlamentare, mendoj se parlamenti mund të luajë ende rol në drejtim të balancimit të Erdoganit", thotë Tol.

"Por, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të kemi një sistem demokratik funksional dhe ta rikthejmë demokracinë turke, edhe me një parlament që kontrollohet nga opozita. Situatë ideale për demokracinë turke do të ishte nëse opozita fiton edhe presidencën, edhe parlamentin", përfundon Tol.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG