Ndërlidhjet

Tiranë: Escobar bën thirrje për kandidatë me integritet në zgjedhje


I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar të martën në Tiranë me krerë institucionalë, pak para zgjedhjeve lokale të 14 majit në këtë shtet.

Escobar është pritur nga presidenti, Bajram Begaj, kryeministri, Edi Rama dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ambasada amerikane në Shqipëri, ka thënë se thirrja e Escobarit për liderët ka qenë që ”të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit dhe të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë”.

Thirrje të ngjashme ka bërë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ditë më parë.

“Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritjet e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë. Strategjia kundër korrupsionit e presidentit (të SHBA-së, Joe)Biden, identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare”, ka thënë Kim, më 24 mars.

Ajo, gjithashtu, ka kërkuar nga partitë politike “të sigurohen që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare”.

Vizita e Escobarit është realizuar dy ditë para nisjes së fushatës zgjedhore.

Aktualisht partitë politike kanë regjistruar kandidatët dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kryen verifikimin e tyre.

Partia Socialiste dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”, në të cilin bëjnë pjesë “Partia e Lirisë” e Ilir Metës dhe një grup deputetësh demokratë - që udhëhiqen nga Sali Berisha - garojnë me kandidatë në 61 bashkitë e vendit.

Partia Demokratike ka dalë me kandidatë në vetëm 15 bashki, pasi nuk është arritur kompromis që dy grupimet brenda Partisë Demokratike, të dalin me kandidatë të përbashkët.

Ndarja e thellë në PD është krijuar në maj të vitit 2021, kur SHBA-ja ka shpallur ish-kryeministrin Berisha si person të padëshiruar.

Lulzim Basha, që atëbotë ka qenë kryetar i partisë, pati marrë vendim për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar.

Diçka e tillë ka rezultuar me krijimin e strukturave paralale brenda partisë më të madhe opozitare, e madje edhe në protesta të dhunshme.

Kandidatët e propozuar dhe të mbështetur nga Sali Berisha nuk do të garojnë nën logon e PD-së, por të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që drejtohet nga partia e së majtës e Ilir Metës - Partia e Lirisë.

Aktualisht thuajse të gjitha bashkitë e vendit drejtohen nga Partia Socialiste, për shkak se opozita i pati bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2019.

XS
SM
MD
LG