Ndërlidhjet

‘Euforia’ në zbehje rreth liberalizimit të vizave


Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Bruksel

Numri i shteteve të Bashkimit Evropian të cilat po hezitojnë të miratojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në vazhdimësi po shënon rritje, thonë analistë të çështjeve integruese evropiane.

Holanda, Gjermania, Franca, Belgjika, janë disa nga shtetet, që sipas analistëve, janë duke hezituar të japin miratim pozitiv për heqjen e vizave për Kosovën.

Rritja e disponimit kundër heqjes së vizave te këto vende, kishte shtyrë kohët e fundit institucionet e Kosovës që të ndërmarrin aktivitete lobuese në përpjekje të sigurimit të mbështetjes për Kosovën.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë se gatishmëria e shteteve të BE-së për të shtyrë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën nuk po shkon duke u rritur, por duke u zbehur.

“Në votimin e fundit për liberalizim të vizave për Kosovën është parë hezitim nga Gjermania, Franca dhe Holanda, por ky numër i shteteve tani ka kaluar në 10 apo 12 shtete. Nëse ka hezitime nga këto tri shtete pengesa është evidente pasi që vendet e vogla nuk mund të jenë bllokuese në këtë proces, kryesisht po flas për vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, ato nuk e kanë fuqinë bllokuese”, thekson Kryeziu.

Ai thekson se pa një konsensus të këtyre shteteve të mëdha është problem të shtyhet përpara agjenda e procesit të liberalizmit të vizave për Kosovën, megjithatë ai shton se autoritetet në Kosovë janë ato që mund t'ja lehtësojnë vendimmarrjen vendeve të Bashkimit Evropian.

“Lobimi më i mirë që mund bëhet tek vendet anëtare të Bashkimit Evropian është nëse ne arrijmë të avancojmë agjendën tonë evropiane brenda Kosovës dhe të kemi një levë shtyse që të ndihmojnë dhe t’iu lehtësojmë vendeve anëtare që të përfundojnë vendimmarrjen politike brenda dy trupave legjislativ; Parlamentit dhe Këshillit”, thotë Kryeziu.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, por edhe deputetë nga partitë në pushtet dhe opozitë, kohëve të fundit kanë shpeshtuar udhëtimet në vendet e Bashkimit Evropian, siç është thënë, për të lobuar për liberalizmin e vizave.

​Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet është dashur të punojnë pak më tepër në lobim, pasi që është ditur se opinioni nuk është shumë i mirë nga disa vende anëtare të BE-së

Ai shton se qysh nga muaji korrik është dashur të bëhen përpjekje maksimale për t’i mbërri këto vende (Franca, Gjermania, Holanda e Belgjika) dhe për ta ndryshuar qëndrimin e tyre.

“Mendoj se kohët e fundit ka pasur një intensifikim, do të thosha në dy-tri javët e fundit, por personalisht mendoj se është dashur të bëhet pak më tepër, jo vetëm në aspektin e lobimit te këto vende por është dashur që të ketë një klimë më të mirë politike të brendshme, që natyrisht të mos shfaqen dukuri të karakterit negativ, veçanërisht ato që atakojnë sundimin e ligjit, që jemi dëshmitarë të disa aferave të ditëve ose javëve të fundit”, thotë Ujkani.

Autoritetet në Prishtinë janë deklaruar se deri në fund të këtij viti, presin nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian të marrin vendim pozitiv lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Por, zyrtarë nga Bashkimi Evropian në vazhdimësi janë duke kërkuar që të mos jepen data të liberalizimit.

Hashtag: Diskutimi i 'pafund' për vizat​

​Profesor Emrush Ujkani thekson se në aspektin procedural koha nuk ka ikur, por në aspektin përmbajtjesor ka një dozë hezitimi.

Ai shton se nëse vërehet që ka një hezitim për t’i dhënë dritë jeshile një vendimmarrjeje të tillë, atëherë nuk e dërgojnë në vendimmarrje, sepse siç thekson Ujkani ‘nuk është një sinjal i mirë jo vetëm për BE-në, por edhe për qytetarët e Kosovës’.

“Unë mendoj se mundësitë janë ende sepse natyrisht e di që Këshilli do të ketë takimin e vet, takime të rregullta. Mandej do të jetë ai (takimi) i dhjetorit, (ku) do të vendoset. Unë sërish, në aspektin procedural nuk them se nuk ka mundësi, por për të ardhur deri tek ajo duhet të ketë disa përgatitje të cilat mendoj që nuk janë bërë sa duhet”, thotë Ujkani.

Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian në korrik të këtij viti dhe votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, në shtator, sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së i japin vlerësimet e tyre.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG