Ndërlidhjet

Shqipëria evakuon 15 persona nga Izraeli, tre prej tyre nga Kosova


Flamuri i Izraelit. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Flamuri i Izraelit. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Pesëmbëdhjetë shtetas shqiptarë, mes të cilëve tre nxënës nga Kosova që ndodheshin në Izrael në kohën kur Irani kreu sulm ndaj Izraelit, pritet të kthehen mbrëmjen e së hënës.

Mbrëmjen mes 13 dhe 14 prillit, Irani sulmoi Izraelin me dronë dhe raketa, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri, më 1 prill.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë bëri të ditur se 15 qytetarët janë larguar nga Tel Avivi ditën e dielë dhe ndodhen në Qipro. Fluturimet e tyre drejt Shqipërisë u anuluan mëngjesin e së dielës për shkak të situatës së tensionuar në rajon.

Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës e Kosovës konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se tre shtetas kosovarë janë rrugës për t'u kthyer në Kosovë.

"Gjithashtu Ambasada e Republikës së Kosovës ka vazhduar komunikimin e rregullt me shtetasit tjerë qe ndodhen ende në territor dhe, sipas kërkesave të tyre, u kemi ofruar ndihmë për largim, duke siguruar aranzhimin e biletave dhe ndihmë logjistike", tha Ministria kosovare për REL.

Ministria tha se asnjë shtetas kosovar "nuk ka pësuar lëndime, nuk ka pasur vështirësi në lëvizje apo vështirësi të çdo natyre tjetër".

Sipas saj, në Izrael gjenden edhe rreth 15 qytetarë nga Kosova të cilët "nuk kanë treguar interesimin për t’u larguar" nga ky vend.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Shqipërisë u tha se pesë nga të evokuarit janë punonjës të Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë dhe familjarë të tyre.

Ata gjendeshin në Izrael me ftesë të ambasadores shqiptare, Meri Kumbe, dhe autoriteteve izraelite për të marrë pjesë në aktivitetin turistik “Allbania all senses”, ku ishin të pranishëm edhe operatorë turistikë izraelitë.

“Prej mbrëmjes të së shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Shqipërisë në Izrael dhe Egjipt, nisëm punën për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Në Qipro ndodhen edhe dhjetë nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, shtatë prej të cilëve nga Shqipëria dhe tre nga Kosova.

“Sot në mbrëmje të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës. Po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielë, ndërsa përgatitej fluturimi i radhës”, tha ministria shqiptare.

Ndërkaq, bëhet e ditur se 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e 14 prillit nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe.

Izraeli, që nga 7 tetori, po zhvillon luftë në Gazë kundër Hamasit - grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - pasi grupi radikal kreu sulm vdekjeprurës në jug të Izraelit.

Ambasadorja e Shqipërisë, Meri Kumbe ka deklaruar për mediat në Shqipëri se prej muajit tetor të vitit 2023, kur nisi lufta në Gazëm janë evakuuar 330 persona nga Izraeli drejt Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG