Ndërlidhjet

Afrimi i afatit rrit urgjencën për evakuimin e afganëve


Personat e evakuuar nga Kabuli përmes një avioni të ushtrisë së Francës arrijnë në Abu Dabi. 23 gusht 2021.
Personat e evakuuar nga Kabuli përmes një avioni të ushtrisë së Francës arrijnë në Abu Dabi. 23 gusht 2021.

Përpjekjet për të evakuuar mijëra njerëz nga Afganistani i kontrolluar tashmë nga talibanët, janë rritur të martën, ku Spanja ka paralajmëruar se do të lërë njerëz prapa dhe Franca ka thënë se ka vetëm edhe tri ditë për të përfunduar operacionet e evakuimit.

Trupat, e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë përshpejtuar operacionet e evakuimit, duke larguar mijëra persona nga Kabuli, pasi talibanët paralajmëruan se nuk do të lejojnë Shtetet e Bashkuar që të zgjasë afatin për tërheqjen nga Afganistani, raporton AFP.

Trupat ndërkombëtare kanë afat që deri më 31 gusht të tërhiqen nga Afganistani.

Presidenti Joe Biden ka thënë se ai shpreson që deri më 31 gusht të mund të tërhiqen të gjitha forcat amerikane, por ai po përballet me presion nga aleatët evropianë dhe Britania që ky afat të zgjatet.

Qeveria franceze tha të martën se nëse SHBA-ja i përmbahet këtij afati, Franca do të përfundojë operacionet e evakuimit nga aeroporti i Kabulit të enjten, më 26 gusht.

Spanja tha se nuk do të jetë në gjendje që të shpëtojë të gjithë afganët që kanë punuar me misionet spanjolle.

“Është një situatë shumë frustuese për të gjithë sepse edhe ata për që arrijnë në Kabul, qasja në aeroport është shumë e komplikuar”, tha ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles.

Britania tha se gjatë samitit virtual të G7-ës, që mbahet të martën, do të lobojë për zgjatjen e prezencës në Afganistan.

Rreth 50.000 të huaj dhe afganë janë larguar nga Afganistani përmes aeroportit të Kabulit, që prej se talibanët morën pushtetin 10 ditë më parë, ka thënë Qeveria amerikane.

Shumë afganë kanë frikë se do të rikthehen rregullat strikte nga Ligji i Sheriatit, që ishte zbatuar në Afganistan, kur talibanët udhëhoqën vendin nga viti 1996 deri më 2001. Ata po ashtu kanë frikë se militantët do t’iu hakmerren afganëve që kanë punuar me Qeverinë në Kabul, që është mbështetur nga Perëndimi.

“Talibanët janë të njëjtë sikurse 20 vjet më parë”, tha Nilofar Bayat, aktiviste për të drejtat e grave, e cila ka arritur në Spanjë pas evakuimit nga Afganistani.

“Nëse e shikoni Afganistanin tani, janë të gjithë burra, nuk ka gra sepse ata nuk e pranojnë gruan si pjesë të shoqërisë”, shtoi ajo.

Talibanët kanë thënë se për ta është “vijë e kuqe” afati i 31 gushtit për tërheqjen e trupave ndërkombëtare.

“Nëse SHBA-ja ose Mbretëria e Bashkuar do të kërkojnë kohë shtesë për të vazhduar evakuimet, përgjigja është jo... do të ketë pasoja”, tha për Sky News, Suhail Shaheen, zëdhënës i talibanëve.

Talibanët morën kontrollin e Afganistanit, pas vendimit të presidentit Biden për të tërhequr pothuajse të gjitha trupat amerikane nga Afganistani.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kishin rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG