Ndërlidhjet

Facebook i mbyll llogaritë Kadyrovit pas sanksioneve amerikane


Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov

Rrjeti social, Facebook ka thënë se ka bllokuar llogaritë e liderit çeçen të mbështetur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, pasi është bërë pjesë e sanksioneve financiare dhe atyre të udhëtimit të vëna nga Qeveria amerikane.

Përmes një deklarate, kompania ka thënë se ka pasur “obligim ligjor” të deaktivizojë llogaritë e Kadyrovit në Facebook apo Instagram, pas Zyra e Thesarit amerikan për Kontrollin e Aseteve të Huaja, e ka ndëshkuar liderin çeçen me sanksione.

Përmes një deklarate është thënë se Facebook ka kuptuar se këto llogari janë mirëmbajtur nga disa persona apo palë të cilët janë të sanksionuar nga SHBA-ja.

“Për këtë arsye, Facebook ka pasur obligim ligjor për deaktivizimin e këtyre llogarive”, është thënë tutje.

Ende nuk është bërë e qartë nëse ky rrjet social është në proces të marrjes së hapave të njëjtë edhe për llogaritë e personave të tjerë që janë të sanksionuar.

Facebook nuk ka pranuar t’i përgjigjet Shërbimit Qendror të Radios Evropa e Lirë, për detaje më të hollësishme.

Njoftimi i Thesarit për sanksionet kundër Kadyrovit janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme amerikane për të ndëshkuar personat që supozohet se janë duke abuzuar me të drejtat e njeriut, bazuar në Aktin Magnitsky.

Në njoftim thuhet se Departamenti i Thesarit e akuzon ish-luftëtarin rebel, i cili më vonë iu bashkua forcave të Moskës “për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht”, “torturë” dhe vrasje që janë jashtë proceseve gjyqësore.

Kadyrov që ka hedhur poshtë supozimet, është njëri nga personat më të spikatur rusë, që është shtuar në listën e sanksioneve të Aktit Magnitsky.

Ky ligj pati zemëruar zyrtarët rusë, të cilët në shenjë hakmarrjeje, më 2013 u kanë ndaluar shtetasve amerikanë të adoptojnë fëmijë rusë.

Kadyrov ka reaguar me shumë mllef për vendimin e Facebook, duke akuzuar rrjetin me seli në Shtetet e Bashkuara, dhe ka deklaruar se ky rrjet u është dorëzuar presioneve të Uashingtonit, duke i mbyllur llogaritë.

Llogaria e bllokuar e Ramzan Kadyrov në rrjetin social Facebook
Llogaria e bllokuar e Ramzan Kadyrov në rrjetin social Facebook

Ai ka thënë se nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga Instagrami, pasi ka dërguar kërkesë për ofrim të shërbimeve, sepse llogaritë e tij në gjuhën ruse kanë ndaluar së funksionuari.

Fillimisht llogaria e tij në gjuhën angleze nuk kishte probleme, ndonëse edhe ajo ka qenë e paqasshme më vonë.

Autoriteti i lartë për telekomunikime në Rusi, Roskomnadzor, ka kërkuar arsyetim nga Facebook dhe Instagram për deaktivizimin e llogarive të Kadyrovit.

“Më 26 dhjetor, Roskomnadzor ka kërkuar nga menaxhmenti i Facebook të qartësojë arsyet për bllokimin e llogarive të Kadyrovit në Facebook dhe Instagram”, ka thënë përmes një deklarate shërbimi për media i Roskomnadzorit.

Kadyrov ka më shumë se 3 milionë ndjekës në llogarinë e tij ruse në Instagram dhe më shumë se 750,000 në Facebook.

Në një nga postimet e tij të fundit në Instagram, përmes një video-incizimi ai është përgjigjur ndaj sanksioneve amerikane duke thënë se nuk ka arsye për të udhëtuar në SHBA.

“Jam krenar që nuk jam në favor të shërbimit special të SHBA-së”, ka thënë ai.

“Në fakt, SHBA-ja nuk mund të më fal, pasi i kam dedikuar tërë jetën tim, luftimit të terroristëve të huaj, në mesin e të cilëve ka bastardë nga shërbimet speciale të Amerikës”.

Instagram po ashtu ka bllokuar llogarinë e Ramzan Kadyrov
Instagram po ashtu ka bllokuar llogarinë e Ramzan Kadyrov

Përmes një postimi në Telegram më 28 dhjetor, ai ka premtuar se do të vazhdojë të publikojë qëndrimet e tij në Twitter, rrjetin e ri social, Mylistor dhe rrjetin rus, VKontakte, pasi tani nuk ka më qasje në Facebook dhe Instagram, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve TASS.

“Ne do të flasim të drejtën përmes çdo mundësie që kemi”, është cituar të ketë thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se emri i tij ka qenë në emrin e “blogerëvë rusë më të cituar” më 2017, nga një kompani ruse për vëzhgimin e mediave.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se Kadyrov ka përdorur kërcënimet dhe abuzimet për të mbajtur kontrollin në Çeçeni.

Ai është emëruar nga Putini udhëheqës i këtij rajoni më 2007.

Ligji i sanksioneve amerikane ka marrë emrin sipas Sergei Magnitsky, një avokat rus, i cili ishte arrestuar pasi kishte ndihmuar në zbulimin e një skene të mashtrimit me taksa në vlerë 230 milionë dollarë.

Ai ka vdekur derisa ishte në burg më 2009, pasi është raportuar për abuzim fizik ndaj tij.

Një hetim i Këshillit të Evropës ka ardhur në përfundim se kushtet e vdekjes së tij janë të barasvlefshme me torturë.

Facebook dhe rrjete të tjera sociale kanë qenë nën presion të ligjvënësve amerikanë, në atë që e kanë cilësuar si dështim për të parandaluar abuzimet e supozuara në rrjetin e tyre nga operacionet ruse gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Ligjvënësit amerikanë kanë lansuar gjatë muajit nëntor një listë të reklamave në Facebook të cilat ishin financuar nga kompani të cilat kanë pasur qëllim të rrisin emocionet për çështje të ndjeshme, siç janë kontrolli i armëve, marrëdhëniet racore, imigrimi dhe feja.

Facebook është përgjigjur duke thënë se është duke krijuar një platformë, e cila do t’iu mundësojë përdoruesve të kuptojnë nëse kanë pëlqyer apo ndjekur faqe apo llogari të lidhura me kompani të dyshimta ruse, të cilat zyrtarët amerikanë i akuzojnë për tentim të ndikimit në rezultatin e zgjedhjeve.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG