Ndërlidhjet

SHBA: Përkujtohet Magnitsky që vdiq në burgun e Moskës


Sergei Magnitsky
Sergei Magnitsky

Në shënimin e tetëvjetorit të vdekjes së avokatit, Sergei Magnitsky, në një burg në Moskë, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur përkushtim për vazhdimin e zbatimit të legjislacionit për imponim të sanksioneve kundër rusëve, për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Ne e nderojmë përkujtimin e Sergei Magnitskyt, i cili vdiq më 16 nëntor të vitit 2009, derisa ishte në një burg të Moskës”, tha mbrëmë vonë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

“Një hetim nga Këshilli presidencial rus për të drejtat e njeriut, ka gjetur se Magnitsky ishte rrahur shumë në burg dhe anëtarët e këshillit thanë se vdekja e tij është pasojë e rrahjeve dhe torturës nga zyrtarët policorë”, tha Nauert, dhe ka shtuar se “Magnitsky ka zbuluar një skemë të madhe mashtruese të taksave të kryer nga zyrtarët rusë dhe ishte burgosur nga ata, krimet e të cilëve u zbuluan nga ai”.

Zëdhënësja Nauert ka theksuar se “autoritetet e Rusisë kanë dështuar t’i mbajnë përgjegjës ata që janë të përfshirë në vdekjen e tij dhe për më tepër, gjatë muajve të fundit duket se gjithnjë e më tepër propagandon teori të konsipracionit të parapara për ta shmangur vëmendjen nga krimi”.

“Në nderim të guximit të jashtëzakonshëm të Magnitskyt, ne vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet që ata të cilët janë të përfshirë në trajtimin e tij në burg dhe pastaj në vdekjen e tij, të mbahen përgjegjës”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

Në këtë kuadër, ajo ka theksuar se në këto përpjekje përfshihen implementimi i Aktit Magnitsky të vitit 2012, sipas të cilit janë imponuar sanksione kundër rusëve që mendohet se ishin të përfshirë në ndjekjen e Magnitskyt dhe, po ashtu, për abuzuesit e tjerë të dyshuar të të drejtave të njeriut.

I ndjeri Sergei Magnitsky, ishte i punësuar nga financiari i Shteteve të Bashkuara, William Browder, i lindur në Britani, kur ai ishte arrestuar dhe akuzuar nga zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit në Rusi, se ka kryer mashtrim të njëjtë tatimor në skemën mashtruese në vlerë prej 230 milionë dollarëve, që ai kishte ndihmuar për ta zbuluar.

Zbatimi i legjislacionit të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara në vitin 2012, pra tri vjet pas vdekjes së Sergei Magnitskyt, ishte njëri prej zhvillimeve që ndodhën në periudhën e tensioneve në rritje ndërmjet Shteteve të Bashkara dhe Rusisë.

Moska ishte përgjigjur duke mos u lejuar amerikanëve adoptimin e fërmijëve rusë.

Pas kësaj, Rusia e pat ndërmarrë një hap të pazakonshëm duke e mbajtur një proces gjyqësor kundër Magnitskyt, pas vdekjes së tij, me ç’rast ai u shpall fajtor për mashtrim tatimor në vitin 2013.

Ky proces gjyqësor pas vdekjes së Magnitskyt gjërësisht ishte kritikuar nga aktivistët për të drejtat e njeriut dhe qeveritë perëndimore.

Nga ana tjetër, financieri amerikano-britanik, William Browder, ishte gjykuar në mungesë dhe është dënuar me nëntë vjet burg, në rastin i cili i ka thelluar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të dejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Rusi, nën presidentin, Vladimir Putin.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG