Ndërlidhjet

Familja që riktheu sigurinë me anë të vaksinimit


Familja Fejzullahu nga Prishtina

“Nuk e di nëse ka ndonjë masë apo vaksinë që nuk do të pranoja ta merrja, vetëm që të shkoja te nëna dhe të mos frikësohesha se mund t’ia bart virusin”.

Kështu nis rrëfimin Afërdita Uka-Fejzullahu - vetë nënë e dy fëmijëve - teksa kujton pranverën e vitit 2020, apo kohën kur shpërtheu pandemia e koronavirusit.

Sikurse shumë vende të tjera, Kosova ndërmori masa të rrepta izolimi atëbotë, duke kufizuar lëvizjet, reduktuar kontaktet dhe mbyllur shërbimet jothelbësore.

Njohuritë për trajtimin e një koronavirusi të ri ngjitës ishin të kufizuara, ndërsa vaksina nuk kishte.

Për dy muaj, Afërdita me bashkëshortin dhe fëmijët e mitur qëndruan pothuajse të mbyllur në shtëpinë e tyre në Prishtinë.

“Më digjte malli për ta takuar nënën që isha mësuar ta takoj shpesh”, rrëfen Afërdita.

Nëna e saj kishte sëmundje kronike dhe kjo e bënte më të cenueshme nga koronavirusi.

Në përpjekje për ta ruajtur nga infektimi i mundshëm, Afërdita ndërpreu vizitat te prindërit e saj.

Rreth dy muaj pas shpërthimit të pandemisë, nëna i vdiq. Dhe ky, thotë Afërdita, ishte momenti më i rëndë emocional për të.

Situata epidemiologjike, në anën tjetër, diku stabilizohej, diku rëndohej.

Për vaksina kundër koronavirusit as që bëhej fjalë deri në dhjetor të 2020-s, e në Kosovë as edhe dy-tre muaj më vonë.

Afërdita, ndërkohë, u infektua me koronavirus, bashkë me vajzën dhe djalin e saj. Fëmijët e kaluan me simptoma të lehta, por jo edhe Afërdita.

Afërdita Uka-Fejzullahu
Afërdita Uka-Fejzullahu

“Unë kam pasur shumë probleme shëndetësore, në momente të caktuara kam menduar se do të jem viktima e radhës nga koronavirusi”, thotë ajo.

Kosova nisi fushatën e vaksinimit në fund të marsit, 2021 - e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Afërdita, e cila punon si zëdhënëse në ndërmarrjen publike për ngrohje “Termokos”, thotë se është vaksinuar në qershor.

“Në kohën kur ka filluar administrimi i vaksinave në Kosovë, në rastin e parë që më është ofruar mundësia, e kam marrë vaksinën”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Bashkëshorti i saj, Sabedin Fejzullahu, i cili punon si mjek gjinekolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, u vaksinua në Kukës të Shqipërisë në muajin mars.

Qeveria e Shqipërisë organizoi vaksinimin e qindra punëtorëve shëndetësorë nga Kosova, në kohën kur kjo e fundit nuk kishte vaksina.

Video nga arkivi i REL-it:

Shqipëria vaksinon mjekët e Kosovës
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

“Vaksinimi është metoda më efektive dhe më e lira dhe duhet t’iu besojmë institucioneve shëndetësore. Duhet të vaksinohemi sipas protokolleve që ekzistojnë”, thotë dr Fejzullahu për Radion Evropa e Lirë.

“Fatkeqësisht, një pjesë e popullatës ende heziton ta marrë vaksinën, duke u besuar konspiracioneve të ndryshme, por që dy shekuj vaksinimi është metodë efektive dhe më e lira për t’u mbrojtur nga sëmundjet virale”, shton ai.

Edhe pse të vaksinuar dhe me lehtësim masash gjithandej, çifti Fejzullahu vazhdoi kufizimet edhe për një kohë, nga frika për fëmijët. Olsa, 16 vjeçe, dhe Joni, 13 vjeç, nuk mund të vaksinoheshin për shkak të moshës.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kishte miratuar fillimisht vetëm vaksinimin e personave 18 vjeç e lart.

“Brenga jonë si prindër ishte se si t’ia bënim me fëmijët dhe të siguronim vaksina [për ta]. Druanim se mund të infektohen në shkollë... Pastaj, edhe mërziteshin, gjatë gjithë kohës brenda shtëpisë, kërkonin të dilnin në ambiente të jashtme”, kujton Afërdita.

Brenga e tyre filloi të zvogëlohej në muajin shtator, kur Ministria e Shëndetësisë e Kosovës miratoi vaksinimin e mbi 16-vjeçarëve me vaksinën Pfizer/BioNTech.

Olsa thotë se ishte ndër të parët e kësaj grup-moshe që kishte shkuar me dëshirë të vaksinohet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Nxënësja e klasës së 11-të në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë është vaksinuar tashmë me dy doza.

“Ndihem më e sigurt me vaksinë, lëviz më lirshëm. Arsye tjetër e vaksinimit ka qenë të mos e rrezikoj familjen dhe shoqërinë, që unë ta bart virusin te ta. Tashmë jam më e sigurt dhe mundësitë janë më të vogla që të infektohem për herë të dytë. Edhe familja, edhe rrethi janë më të mbrojtur”, thotë Olsa, e cila mban në çantë certifikatën e vaksinimit.

“Certifikata e vaksinimit është kusht për të hyrë në disa lokale dhe është një lloj komoditeti për të dalë më lirshëm me familje dhe shoqëri”, thotë ajo.

Video nga arkivi i REL-it:

Pse duhet t'i vaksinoni fëmijët?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:10:41 0:00

Rreth dy muaj pas Olsës, me dozën e parë u vaksinua edhe vëllai i saj, Joni.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës miratoi vaksinimin e fëmijëve 12 deri në 15 vjeç më 2 nëntor.

Joni është në klasën e tetë në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë dhe thotë se është i vetmi në klasë i vaksinuar.

“Nuk kam hezituar fare, kjo është e vetmja masë mbrojtëse. Ndoshta edhe bisedat e prindërve për efektin pozitiv të vaksinimit kanë ndikuar që unë vetë të kërkoj vaksinimin. Tash e ndiej veten më të sigurt”, thotë ai.

Joni ka pasur edhe një arsye tjetër për vaksinim:

“E kam bërë edhe për gjyshërit e mi. Gjyshërit nga ana e babait jetojnë në Angli dhe i pres me padurim. Babai i mamit jeton në kryeqytet [Prishtinë] dhe shpesh shkoj për vizitë dhe ai vjen te ne. Nuk dua t’i rrezikoj ata, sepse janë më të vjetër dhe më të rrezikuar. Thjesht, dua t’i përqafoj, sepse i vaksinuar, mundësitë janë më të vogla për transmetim të virusit”, thotë Joni.

Më 9 dhjetor, në Kosovë filloi edhe dhënia e dozës së tretë dhe asaj përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.

Anëtarët e familjes Fejzullahu thonë se do ta marrin edhe dozën e tretë.

Familja Fejzullahu
Familja Fejzullahu

Vaksinat që jepen në Kosovë, janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca - të dyja të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Deri në ditët e fundit të dhjetorit, në Kosovë janë vaksinuar plotësisht mbi 43 për qind e qytetarëve.

Ekspertët shëndetësorë thonë se për ta pasur virusin nën kontroll, duhet të vaksinohet mbi 85 për qind e popullsisë së një vendi.

Hezitimi për t’u vaksinuar ka të bëjë kryesisht me çështjen e besimit.

Kritikët thonë se vaksinat kundër koronavirusit janë zhvilluar për një kohë rekord të shkurtër, marrë parasysh që për zhvillimin e vaksinave në të kaluarën, janë dashur vite, e madje edhe dekada.

Profesionistët shëndetësorë, megjithatë, sigurojnë se vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit janë të sigurta dhe efektive.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG