Ndërlidhjet

Afër 5 mijë të rinj të prekur nga COVID-19


Nxënësit me maska në një shkollë në Prishtinë, fotografi nga arkivi.

Në Kosovë, rreth 5.000 persona nga mosha zero deri në 19 vjeç janë prekur me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi. Kjo sëmundje vazhdon t'i prek kryesisht personat e rritur, e më pak fëmijët.

Ministria e Shëndetësisë tha për Radion Evropa e Lirë se nga mosha zero deri në 9 vjeç janë infektuar me koronavirus 1.050 fëmijë, kurse nga mosha dhjetë e deri në 19 vjeç janë regjistruar 3.631 raste me COVID-19.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku-Qosaj, tha për Radion Evropa e Lirë se që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë, në klinikën që ajo drejton janë trajtuar afërsisht 100 fëmijë që janë infektuar me këtë virus.

Ajo tha se në repartin e dedikuar për rastet me COVID-19, një fëmijë ka humbur betejën me këtë sëmundje.

“Prej fillimit të pandemisë nuk ka qenë numri shumë i madh i fëmijëve që kanë pasur nevojë për hospitalizim. Deri tash kemi pasur gjithsej 85 fëmijë që kanë pasur nevojë për hospitalizim. Mirëpo, një numër i madh i fëmijëve janë mjekuar në mënyrë ambulatore”, tha Telaku-Qosja.

"Nga fëmijët që kanë qenë të shtrirë, kuptohet ka pasur edhe aty fëmijë ndoshta me një gjendje klinike pak më të rëndë, mirëpo fatmirësisht të gjithë e kanë tejkaluar. Në gjendje klinike pak më të rëndë kanë qenë fëmijët të cilët kanë pasur disa sëmundje kronike, bashkëshoqëruese nëse mund të them, dhe vetëm një nga ta e kemi humbur”, shtoi ajo.

Nxënësit po vijojnë mësimin në shkollat e Kosovës, por gjithmonë duke respektuar rekomandimet për mbrojtje nga COVID-19 të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Në rast se një nxënës i një klase rezulton pozitiv me koronavirus, e gjithë klasa për dy javë izolohet dhe kalon në mësimin online.

Inspektorati në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se vetëm në gjysmëvjetorin e dytë, që ka nisur më 18 janar, janë infektuar 189 mësimdhënës në shkollat e Kosovës.

Kurse, që nga fillimi i viti shkollor 2020/2021, me koronavirus janë infektuar 2.641 mësimdhënës. Inspektorati i Ministrisë së Arsimit nuk ka dhënë informacione se sa nxënës janë infektuar me këtë virus.

Të dhëna për infektimin e nxënësve nuk ka publikuar as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se aktualisht vetëm në një shkollë fillore në Komunën e Vushtrrisë, në fshatin Nedakoc, po zhvillohet mësimin online për shkak të infektimit të pesë mësimdhënës me koronavirus.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, tha për Radion Evropa e Lirë, se gjendja në shkollat e Kosovës, sa i takon pandemisë, është stabile.

"Ka raste të koronavirusit, por jo në përmasa të mëdha. Kurse, sa i takon rasteve dhe testeve, sipas informacioneve zyrtare që i kemi, vazhdohet të bëhen testet sipas strategjisë që e ka Ministria e Arsimin në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, do të thotë atëherë ku ka nevojë", tha Reshiti.

Edhe Rrahman Jashari nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), thekson se gjendja në shkollat e Kosovës është e mirë, sa i përket pandemisë.

"Është e natyrshme që në këtë situatë, aty ku paraqiten raste me COVID-19, të bëhen testet. Shkollat janë duke vepruar sipas rekomandimeve të Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe manualit të përgatitur për pandeminë", tha Jashari.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se fëmijët deri tash e kanë përjetuar sëmundjen COVID-19, kryesisht me simptoma të buta.

Sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo ndodh për faktin se shumica e fëmijëve nuk zhvillojë simptoma të sëmundjes.

Madje edhe transmetimi i virusit nga një fëmijë në një fëmijë tjetër, është i vogël.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG