Ndërlidhjet

Besimtarët në Maqedoninë e Veriut falin Bajramin me maska


Besimtarët në Shkup falin Bajramin me maska
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Besimtarët në Shkup falin Bajramin me maska

Në xhamitë e Maqedonisë së Veriut, besimtarët myslimanë, falën sot namazin e Fitër Bajramit. Por, ndryshe nga herë të tjera, për shkak të pandemisë së koronavirusit, besimtarët kishin të vendosur në fytyrë maska dhe u detyruan që të mbajnë distancë nga njëri-tjetri.

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, thotë për Radion Evropa e Lirë se pandemia ka bërë që Bajrami i sivjetmë të jetë më i ndryshëm dhe sipas tij, qytetarët duhet ta kremtojnë këtë festë në përputhje me rregullat e vendosura për kujdesin ndaj shëndetit.

“Është e rëndësishme të potencojmë dhe të porosisim të gjithë besimtarët që në këtë Bajram të jenë shumë të vëmendshëm në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe njëherësh të kryejnë bazën e fesë që ka të bëjë edhe me aspektin shpirtëror, afërsisë mes njerëzve edhe pse këtë vit nuk do të mund t’ua shtrijmë dorën të afërmve, por ne mund t’ua shtrimë zemrën”, thotë myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili.

Maqedonia e Veriut rihap xhamitë për besimtarët
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Ai thekson se namazi i Fitër Bajramit ka karakter kolektiv dhe si i tillë nuk mund të falet në shtëpi dhe pa praninë e një imami, duke mohuar se falja e përbashkët e namazit të Bajramit do të vë në rrezik shëndetin e qytetarëve.

“Nuk mendojmë se paraqet rrezik (falja e namazit të Bajramit) sepse qeveria e vendit tonë, me masat lehtësuese ka marrë edhe shumë vendime të tjera. Nëse mendojmë se xhamia në këtë rast praqet rrezik, atëherë jemi kontradiktorë me veten tonë dhe vendimet e marra sepse nuk mund të paraqesë rrezik dita e diel dhe dita e hënë dhe të mos paraqes rrezik dita e martë, kur do të hapen kafiteritë apo pritet të fillohet edhe me aktivitete të tjera shoqërore”.

“Marrë parasysh se Bashkësia Fetare Islame ka marrë një vendim të tillë, këtë e ka bërë duke të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me situatën e krijuar nga koronavirusi dhe duke respektuar të gjitha rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për të mbrojtur shëndetin e besimtarëve dhe jam plotësisht i bindur që ne si institucion e kemi dertin edhe më të madh për shëndetin e besimtarëve sesa mund ta ketë dikush tjetër”, thotë Ismaili.

Maqedoni e Veriut, 24 maj, 2020.
Maqedoni e Veriut, 24 maj, 2020.

Ai njëherësh thekson se besimtarët në këtë ditë feste mund të jenë shumë afër njëri-tjerrit përmes përdorimit të teknologjisë dhe këtë vit ata duhet t’i shmangin vizitat në shtëpi te të afërmit.

“Ne me të vërtetë jemi organizuar aq bukur, sa edhe intervalin kohor për faljen e namazit të Bajramit e kemi shumë të shkurtër. Kemi siguruar kushte për mbajtjen e distancës fizike, mjetet për dezinfektim, maska, të gjitha këto pa përkrahjen e shtetit, me vetë kontributin dhe iniciativën tonë. Madje mund të kontribuojmë pozitivisht që edhe këtë ditë feste të Bajramit, t’i orientojmë besimtarët që formën tradicionale të tubimeve familjare, këtë vit ta anashkalojnë, duke iu shmangur këtyre tubimeve për të mbrojtur shëndetin e tyre. Pra, ne mund të luajmë vetëm rol pozitiv në këtë drejtim”, thotë myftiu i Shkupit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka lejuar faljen e Bajramit në xhami, pasi paraprakisht Bashkësia Fetare Islame kishte miratuar një vendim që falja e namazit të Bajramit të bëhet nën masa të veçanta, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Edhe pse është lejuar falja e namazit të Bajramit, Maqedonia e Veriut hyn në izolim të dielën prej orës 11:00 deri të martën në ora 5:00.

Koronavirusi ndryshoi këtë vit edhe traditën e faljes së namazit të teravive gjatë Muajit të Ramazanit. Qytetarët nuk u lejuan që të marrin pjesë në këtë namaz për shkak të orës policore dhe për shkak se xhamitë ishin të mbyllura për më shumë se një muaj.

Pasi u rihapën xhamitë, besimtarët në Maqedoninë e Veriut u lejuan që të falnin dy namaze, atë të drekës dhe iqindisë, duke respektuar distancën fizike dhe mbajtjen e maskave.

XS
SM
MD
LG