Ndërlidhjet

Falet Fitër Bajrami pa praninë e besimtarëve


Fotografi nga arkivi.

Pas përfundimit të Muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë në mbarë botën sot kremtojnë festën e Fitër Bajramit. Në Kosovë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, falja e namazit të Bajramit, u bë pa praninë e besimtarëve.

Në ceremoninë e faljes së Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ishin të pranishëm vetëm rrethi i ngushtë i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se sot është me ndjenja të përziera, pasi siç u shpreh ai, për herë të parë gjatë Bajramit po ju drejtohet pa praninë e besimtarëve në xhamia, për shkak të pandemisë.

“Në përballje me pandeminë, institucionet tonë brenda mundësive kanë bërë më të mirën e mundshme për ta ruajtur shëndetin e popullatës sonë, për çfarë meritojnë mirënjohjen e respektin tonë. Falënderim të veçantë në këtë ditë të madhe festive, padyshim se meriton populli ynë i mrekullueshëm, i cili në shkallë të lartë dhe me përgjegjësi zbatoi udhëzimet e rekomandimet e institucioneve tona përgjegjëse e profesionale”, tha Tërnava.

Pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës më 14 mars pezulloi faljen e organizuar nëpër xhamitë e Kosovës. Myftiu Tërnava, në mesazhin e tij të Bajramit, tha se e kupton dëshirën e besimtarëve që sot të jenë të pranishëm në xhami, por ai tha se pezullimi i faljes ishte “domosdoshmëri për të mirën tonë dhe për të mirën e shëndetit publik”.

“Në këtë ditë Bajrami, ju ftoj që të keni durim edhe për pak kohë, derisa ta kalojmë rrezikun nga virusi COVID-19, ju ftoj që të shmangni vizitat familjare, miqtë dhe farefisin, vetëm e vetëm me qëllim të ruajtjes së shëndeti tonë. Lusim Zotin e madhërishëm në këtë ditë feste, që sa më parë të kalojë pandemia, e derisa të jetë kështu, lutuni në shtëpitë tuaja, bëni namazin në shtëpitë tuaja, festoni në shtëpitë tuaja, uroni e përgëzoni njëri-tjetrin me mjete të komunikimit të cilat sot fatbardhësisht i kemi në posedim. Dashtë Zoti që sa më parë t’i kthehemi normalitetit, t’i kthehemi shkollave, universiteteve, xhamive dhe vendeve të punës”, tha myftiu Tërnava.

Xhamia Qendrore në Prishtinë, e mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Xhamia Qendrore në Prishtinë, e mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Në Kosovë, aktualisht janë 1,032 raste me koronavirus, ku 785 persona janë shëruar dhe 29 pacientë kanë vdekur.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

XS
SM
MD
LG