Ndërlidhjet

Pandemia ndryshon traditën e myslimanëve për festën e Bajramit


Një besimtar mysliman falet në një xhami në Bejrut.
Një besimtar mysliman falet në një xhami në Bejrut.

Këtë fundjavë, myslimanët në mbarë botën shënojnë festën e Fitër Bajramit, me të cilën edhe përfundon Muaji i shenjtë i Ramazanit.

Por, këtë vit për shkak të masave kundër pandemisë, shumë myslimanë në botë nuk do të mund ta shënojnë këtë festë, sipas traditave të zakonshme.

Në varësi të pozicionit të hënës, festimet e Bajramit, këtë vit, fillojnë më 23 maj ose më 24 maj.

Shumë ceremoni të lutjeve të festës së Bajramit, festivale në natyrë dhe festime të tjera publike janë anuluar në të gjithë botën për shkak të pandemisë së COVID-19.

Kufizimet e udhëtimit gjithashtu po ua pamundësojnë shumë familjeve që të mblidhen për të festuar. Ekspertët shëndetësorë thonë se tubimet mund të rezultojnë me shpërthime të reja të epidemisë.

Shumë tregje, që normalisht do të ishin të mbushura me blerës para Bajramit, janë të mbyllura si pjesë e masave kundër COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Edhe tradita e dhënies së parave për të varfrit është ndikuar nga kufizimet dhe shqetësimet në rritje se sëmundja mund të transmetohet te personat që marrin paratë.

Ekspertët thonë se kërcënimi më i madh për shëndetin publik, gjatë festës së Bajramit është tradita e besimtarëve, të cilët mblidhen së bashku për lutje në xhami. Kjo praktikë nga disa klerikë konsiderohet e obligueshme, ndërsa nga disa të tjerë shihet si e preferueshme.

Edhe në komunitetet konservatore myslimane, ku xhamitë kanë mbetur të hapura gjatë gjithë Ramazanit, disa besimtarë kanë zgjedhur të mos shkojnë për t’u falur.

Fshati afgan i Tagabit, është në verilindje të Kabulit, në provincën Kapisa. Banorët e tij shkojnë në xhami për lutje.

Por, pandemia është në mendjen e shumë njerëzve.

Shqetësime në Afganistan

Në fillim të kësaj jave, kufomat e tre viktimave nga koronavirusi, u kthyen në Tagab, nga një spital në Kabul.

"Do të jetë shumë ndryshe nga Bajramet e mëparshme", i tha Shërbimit afgan të Radios Evropa e Lirë, Tagab denizen Fazal Rabi, një banor i fshatit.

"E takova një mik të punës dhe ai më tha që nuk më ka parë kohët e fundit në xhami dhe donte të dinte nëse isha i zënë", tha Rabi.

"Unë i thashë që nuk jam i zënë- kështu që nuk mund të jetë një pretekst për të mos marrë pjesë në lutje në xhami. Por, unë i thashë që është për shkak të karantinës që po vazhdon. Pandemia e koronavirusit është këtu dhe, prandaj, nuk shkoj në xhami", tha ai.

Një besimtar në Kabul duke lexuar Kuran.
Një besimtar në Kabul duke lexuar Kuran.

Në provincën e afërt, Laghman në qytetin Mehtarlam, Imran Arab po planifikon të fillojë festën e Bajramit, ashtu si bën çdo vit.

Pasi të lahet në mëngjes, ai do të veshë rroba të reja para se imami vendas të fillojë me lutjet e Bajramit.

Ashtu si festat e tjera të Fitër Bajramit, Arab do të hajë ndonjë copë tortë dhe do të lexojë Kuran.

Por, Arab dhe familja e tij, do të qëndrojnë larg nga turma që pritet të mblidhet në xhaminë e tyre lokale, këtë vit.

"Unë kam këtë frikë nga koronavirusi dhe kam në plan të qëndroj në shtëpi", tha Arab.

"Nëse shkoj për të bërë lutjen e Bajramit në xhami, në atë rast, ne do të detyrohemi të qëndrojmë në shtëpi në karantinë", tha ai.

Sardar Mohammad, një banor afër Kabulit, thotë se këtë vit, njerëzit duhet të heqin dorë nga ideja për t'u mbledhur së bashku për lutjet e Bajramit.

"Ata duhet t'i kushtojnë vëmendje dhe t'i imponojnë vetes kufizime", thotë ai, duke përmendur që dhjetëra të burgosur në burgun Pul-e Charkhi janë testuar pozitivisht për koronavirus, përfshirë edhe disa familje që jetojnë aty pranë.

"Mijëra njerëz bëhen bashkë për t'u lutur. Nëse vetëm një person me koronavirus vjen atje, mund të infektojë 100 njerëz të tjerë dhe të shkatërrojë tërë fshatin", thotë Mohammad.

Festimet 'unike' të Rusisë

Myftiu i Rusisë, Talgat Tadzhuddin, thotë se i gjithë Muaji i Ramazanit ka qenë "unik" këtë vit.

Kleriku i lartë mysliman i Rusisë miratoi mbylljen e xhamive gjatë Ramazanit, për shkak të pandemisë dhe ka këmbëngulur që të mos ketë tubime masive dhe lutje në grup.

Tadzhuddin thotë se besimtarët nuk janë të detyruar të shkojnë në një xhami për lutjet në grup.

Sipas tij, në vend se të shkojnë në xhami, ata mund t'i përmbushin obligimet e tyre gjatë Ramazanit, duke shikuar fjalimet e imamëve në internet dhe duke lexuar Kuran.

Vitet e fundit në Moskë, autoritetet janë detyruar të mbyllin rrugët gjatë festës së Bajramit për shkak të turmave të mëdha të njerëzve të mbledhur në xhamitë kryesore të qytetit - përfshirë shumë punëtorë migrantë nga vendet kryesisht myslimane.

Por, këtë vit, xhamitë e Moskës do të jenë të mbyllura gjatë festës së Bajramit.

Ndërkohë, në rajonin e Dagestanit në Kaukazin e Veriut, autoritetet njoftuan më 21 maj se qytetet Kizlyar dhe Kizilyurt do të jenë katër ditë në izolim gjatë festës së Bajramit.

Atje, autoritetet gjithashtu thanë se po konsideronin një izolim të mundshëm në kryeqytetin e Dagestanit.

Disa punëtorë dezinfektojnë një xhami në Dagestan.
Disa punëtorë dezinfektojnë një xhami në Dagestan.

Në Çeçeninë fqinje, ku tubimi në xhami për namazet e Bajramit konsiderohet si një detyrim për myslimanët, autoritetet gjithashtu kanë anuluar lutjet masive dhe kanë urdhëruar që xhamitë të mbyllen.

Por, ministri i Brendshëm çeçen, Ruslan Alkhanov, i zgjeroi këto kufizime, duke njoftuar një izolim katërditor të njerëzve në gjithë Çeçeninë, përveç stafit nga shërbimet e urgjencës.

Alkhanov tha se ata që shkelin këtë vendim, nga 23 maj deri më 26 maj, "do të ndëshkohen në përputhje me ligjin".

Më vonë, mediat ruse, raportuan se Ramzan Kadyrov, udhëheqësi autoritar çeçen, i mbështetur nga Kremlini - ishte vënë nën vëzhgim mjekësor në Moskë, për shkak të një dyshimi se është infektuar me koronavirus.

Myftiu i Çeçenisë, Salakh Mezhiev, u bëri thirrje myslimanëve që të festojnë Bajramin në shtëpi me familjet e tyre.

Kufizime të tilla në shumë vende të botës, ndikojnë gjithashtu në traditën e bamirësisë, e cila është një shtyllë e Islamit dhe një aspekt i rëndësishëm i Ramazanit.

Sipas traditës, besimtarët që marrin pjesë në lutjet e Bajramit, u japin dhurata dhe të holla njerëzve të varfër, afër xhamive.

Këtë vit, aktivistët nga fondacionet që ndihmojnë njerëzit e varfër në Kaukazin e Veriut dhe Moskë, thanë se gjatë muajit të Ramazanit, nuk do të vendosin as tendat e tyre tradicionale të bamirësisë.

Rustan Minnikhanov, presidenti i Republikës së Tatarstanit të Rusisë, më 20 maj, e informoi presidentin rus, Vladimir Putin, se myslimanët e këtij vendi do ta festojnë Fitër Bajramin në shtëpi.

Anulimet në Azinë Qendrore

Në Taxhikistan dhe Kirgizi, klerikët myslimanë njoftuan se kanë anuluar tubimet tradicionale publike në xhami për lutjet e Bajramit.

Në fakt, të gjitha ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore këtë vit kanë ndaluar tubimet për iftar, gjatë gjithë muajit të Ramazanit.

Në Kazakistan, Myftiu, Nauryzbai Kazhy Tanganuly njoftoi anulimin e të gjitha tubimeve të lutjeve në xhamitë e vendit.

Uzbekistani fqinj gjithashtu ka mbyllur xhamitë gjatë gjithë muajit të Ramazanit.

Kufizime më të lehta në Pakistan dhe Iran

Respektimi i masave shëndetësore gjatë muajit të Ramazanit ka ndryshuar nga një vend në tjetrin.

Në Pakistan, xhamitë që ishin mbyllur në mars dhe prill, janë hapur për ritualet fetare.

Në këtë vend janë lehtësuar edhe masat tjera të izolimit.

Besimtarët duke u falur në Islamabad më 22 maj.
Besimtarët duke u falur në Islamabad më 22 maj.

Shërbimi pakistanez i Radios Evropa e Lirë raporton se shumë njerëz të mbledhur në xhamitë pakistaneze, nuk po zbatojnë masat e duhura shëndetësore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lehtësimi i masave gjithashtu ka rezultuar me tubime të njerëzve në tregjet publike për të blerë ushqime dhe dhurata për festën e Bajramit.

Në Iran, vend ky i cili është goditur rëndë nga pandemia, qeveria thotë se lutjet e Bajramit do të lejohen në zonat që janë përcaktuar si vende me “rrezik të ulët".

Kufizimet e udhëtimit midis provincave iraniane gjatë festës së Bajramin janë lejuar, për t’iu mundësuar familjeve iraniane të bëhen bashkë dhe të festojnë.

Në fillim të marsit, xhamitë dhe faltoret e shenjta në të gjithë Iranin ishin mbyllur.

Por, javët e fundit, u lejua rihapja e xhamive në më shumë se 130 qytete "me rrezik të ulët" - me kusht që besimtarët të respektojnë masat shëndetësore.

Gjatë hyrjes në xhami, besimtarët duhet të mbajnë maska dhe doreza dhe mund të qëndrojnë brenda vetëm për 30 minuta.

Në xhamitë e Iranit gjithashtu është e ndaluar të shërbehet ushqimi dhe pijet. Aty duhet të ketë edhe dezinfektues për duar.

"Distanca fizike është më e rëndësishme se lutja kolektive", deklaroi presidenti iranian, Hassan Rohani më 4 maj, kur xhamitë filluan të rihapen.

Teherani gjithashtu ka anuluar tubimet mbarëkombëtare në Ditën e Kudsit që janë mbajtur që nga viti 1979, kur Ajatollah Ruhollah Khomeini, shpalli të premten e fundit të Ramazanit si një ditë kur myslimanët shprehin zemërimin ndaj Izraelit dhe solidaritetin me palestinezët.

Në vend të kësaj, udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, planifikon të mbajë një fjalim televiziv kombëtar më 22 maj.

Që nga 21 maji, Irani ka raportuar rreth 130,000 raste të infektuarve me koronavirus, përfshirë më shumë se 7,200 vdekje - megjithëse ekspertët dyshojnë se Teherani nuk i ka raportuar të dhënat e plota.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG