Ndërlidhjet

Mbi 10 për qind e FSK-së përbëhet nga pjesëtarët e pakicave


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi

Mbi 10 për qind e përbërjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nga komunitetet pakicë, përfshi pjesëtarë të komunitetit serb, boshnjak, rom, kroat e të tjerë.

Përfaqësuesit e institucioneve dhe ata të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se tashmë në këtë forcë janë përmbushur standardet evropiane, për përbërjen shumëetnike të saj.

Zëvendësministri në largim i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Muhamet Latifi tha për Radion Evropa e Lirë se në përbërjen e FSK-së janë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Sipas tij, me këtë përbërje, po zbehen edhe paragjykimet e komuniteteve që kanë ekzistuar më herët.

"Tash për tash, edhe ky paragjykim mendojmë që është tejkaluar edhe nga komuniteti serb, duke u bazuar në argumente dhe fakte që vetëm këtë vit ne kemi pasur një kampanjë të rekrutimit të komunitetit serb dhe ka pasur kërkesa për t’iu bashkuar FSK-së. Ata kanë qenë nga të gjitha pjesët e Kosovës", tha Latifi.

Përveç numrit prej 45 pjesëtarëve nga komuniteti serb që janë pjesë e FSK-së, pritet që edhe 61 pjesëtarë tjerë, nga 1 korriku, pas përfundimit të trajnimeve, t'i bashkohen FSK-së.

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka hartuar enkas strategjinë për përfshirjen e komuniteteve pakicë në këtë institucion.

Zëvendësministri Muhamet Latifi tha për Radion Evropa e Lirë se kjo strategji do të ndihmojë që sa më shumë pjesëtarë të komuniteteve të jenë pjesë e FSK-së dhe ushtrisë së ardhshme.

"Kjo strategji parasheh mbështetjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëmarrjen e tyre në FSK dhe në ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Strategjia është nënshkruar dhe plani i veprimit është përgatitur, kështu që në muajt në vijmë ajo do të fillojë të zbatohet”, tha Latifi.

Anton Quni, ish-anëtar i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësimi i të gjitha komuniteteve në Forcën e Sigurisë së Kosovës është në nivelin e duhur. Sipas Qunit, komuniteti serb ka pasur dhe ka ende problem për të qenë pjesë e kësaj force.

"Flas për komunitetin serb, kanë problem me rrethin e tyre, paragjykohen nga rrethi i tyre. Ka pasur raste që edhe pasi janë inkuadruar në FSK, janë detyruar të largohen për shkak të presionit dhe paragjykimeve ndaj tyre. Por, mendoj se me kohë do të tejkalohen edhe këto", tha Quni.

Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht ka mandatin e një force emergjencash dhe ngritet nën mbikëqyrjen e NATO-s. Ajo synon që në të ardhmen të shndërrohet në Forca Ushtarake të Kosovës. Por, për këtë transformim, nevojiten ndryshime kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, ku duhet të sigurohet edhe mbështetja e deputetëve serbë, të cilët deri më tani kanë qenë kategorik kundër.

Anton Quni thotë se partitë politike serbe kanë qenë dhe mbeten pengesë kur është në pyetje çështja e transformimit të FSK-së në forcë me mision ushtarak.

"Po është ndikimi i drejtpërdrejt te ata të interesuarit që mendojnë të bartin uniformën e FSK-së. Kur dëgjojnë deklarata kundër FKS-së nga deputete serbë apo nga politikëbërsitë në Beograd, natyrisht që atëherë kanë hezitime edhe vet të interesuarit", tha Quni.

Në Kosovë, ka serbë që nuk e pranojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës.

FSK-ja është forcë shumë-etnike dhe aktualisht ka këtë përbërje të komuniteteve:

Komuniteti ashkali: 29 pjesëtarë ose 1.21%

Komuniteti boshnjak: 43 pjesëtarë ose 1.79%

Komuniteti kroat: 3 pjesëtarë ose 0.13%

Komuniteti egjiptian: 13 pjesëtarë ose 54%

Komuniteti goran: 2 pjesëtarë ose 0.08%

Komuniteti rom: 2 pjesëtarë ose 0.08%

Komuniteti serb: 45 pjesëtarë ose 1.88 %

Komuniteti turk: 49 pjesëtarë ose 2.04 %

Komuniteti maqedonas: 1 pjesëtar ose 0.04%

XS
SM
MD
LG