Ndërlidhjet

Ftesa e vonuar për konsensus rreth dialogut


Kuvendi i Kosovës

Pak ditë para takimit në Bruksel me homologun e tij, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar konsensus për dialogun, jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga mediat dhe shoqëria civile.

Por, kjo kërkesë e të parit të shtetit, nuk po merret parasysh nga shoqëria civile dhe mediat. Sipas tyre, ky është veprim i vonuar i presidentit Thaçi.

Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialog në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nevoja për konsensus ka lindur para një viti kur është kuptuar se Kosova dhe Serbia janë duke shkuar drejt përfundimit të dialogut.

“Patjetër që mbështetja që shoqëria civile mund t’i japë këtij procesi është e mirëseardhur, por mbi të gjitha ky është një proces shtetëror, ku duhet të ketë një konsensus mes partive politike, të ketë një bashkërendim të institucioneve dhe patjetër të formohen edhe grupe të ekspertëve për çështjet, të cilat pritet të diskutohen në kuadër të këtij procesi”, thotë Jeta Krasniqi.

Ndërkaq, analisti Imer Mushkolaj, vlerëson se kjo kërkesë e presidentit Thaçi është e vonuar. Sipas tij, mediat kanë kryer në vazhdimësi punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme sa i përket raportimit për dialogun.

“Zotëri Thaçi e ka ditur që së shpejti do të fillojë faza e re e dialogut me Serbinë dhe këtë thirrje ose pikërisht përpjekjen për të arritur konsensus, është dashur ta bëjë shumë më herët. Tash kur ai po e bën një thirrje të tillë, e kam fjalën se të dielën mbahet takimi i radhës ose takimi i parë për fazën finale të dialogut, rrjedhimisht është shumë vonë që të arrihet një konsensus i tillë”, vlerëson Mushkolaj.

Tryeza e radhës e partive politike, e organizuar nga PSD-ja, 21 Qershor 2018
Tryeza e radhës e partive politike, e organizuar nga PSD-ja, 21 Qershor 2018

Presidenti Thaçi u ka bërë ftesë publike edhe subjekteve politike për përfshirje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thirrjeve të tij për një konsensus dhe kompromis të brendshëm politik rreth kësaj faze të dialogut, spektri politik opozitar u është përgjigjur negativisht.

Madje, në tryezën e fundit të organizuar nga Partia Social Demokrate, është propozuar që procesin e dialogut me Serbinë ta udhëheqë Kuvendi i Kosovës.

Sidoqoftë, të dielën më 24 qershor në Bruksel, do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel presidentësh.

Ky takim do të ketë në fokus diskutimin rreth marrëveshjeve të arritura deri më tani, sfidat e zbatimit të tyre, si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG