Ndërlidhjet

Zbehje e rolit të Thaçit në dialogun me Serbinë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet që më 24 qershor të takojë sërish homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Thaçi pritet që të ulet përballë Vuçiqit, ndërkohë që në Prishtinë nuk ka siguruar përkrahjen e kërkuar politike për të vazhduar me rolin e tij prijës në këtë fazë të dialogut me Serbinë. Thirrjeve të tij për një konsensus dhe kompromis të brendshëm politik rreth kësaj faze të dialogut, spektri politik opozitar i është përgjigjur negativisht.

Por, presidenti Thaçi, në një konferencë për medie, të mërkurën, ka thënë se si president i vendit ka obligim kushtetues ta përfaqësojështetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, respektivisht, që t’i prijë dialogut deri në fund të procesit.

“Çështja e dialogut me Serbinë dhe e arritjes së kësaj marrëveshjeje ka gjithsesi karakter të interesit nacional dhe shtetëror për Kosovën. Për këtë shkak, mendoj që nevoja për arritjen e kësaj marrëveshjeje i tejkalon mandatet politike tona të përkohshme, shkon edhe përtej raporteve aktuale midis partive qeverisëse dhe atyre opozitare, duke i bërë jo relevante relacionet afatshkurtra midis politikanëve dhe partive kosovare. Kjo çështje na takon të gjithëve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Por, deklaratat e shumicës së përfaqësuesve të partive politike, të cilat të mërkurën janë takuar në tryezën e ftuar nga Partia Social Demokrate, kanë dëshmuar se ende nuk ka ndonjë konsensus të spektrit politik lidhur me qasjen në procesin e dialogut e sidomos, ndaj rolit udhëheqës të presidentit Thaçi.

Shpend Ahmeti, kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, nikoqire e tryezës, ka thënë se Kosova është shtet parlamentar dhe mandatin për udhëheqjen e procesit të dialogut e jep vetëm Kuvendi i Kosovës.

“Në Kushtetutë nuk parashihen dialogët me Serbinë për njohje të dyanshme. Jo pse dikush është president duhet ta udhëheqë edhe dialogun. Mirëpo, në qoftë se mandatohet nga Kuvendi, duhet të jetë për shkak se Kuvendi ia ka dhënë detyrën dhe Kuvendi mund ta shkarkojë këdo nga kjo pozitë”, tha Ahmeti.

Në anën tjetër, Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka theksuar se për këtë parti është e rëndësishme që Kosova në dialog të përfaqësohet me pjesëmarrje sa më të gjerë të spektrit politik.

“Mandatimin, aktualisht e ka bërë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Për Partinë Demokratike të Kosovës janë të rëndësishme modeli dhe pjesëmarrja sa më e gjerë. Institucionet nuk mund të jenë të përjashtuara. Unë, sinqerisht, e kam pak të vështirë që ta kuptoj se si mundet dikush të mendojë që nuk duhet të udhëheqë institucioni”, theksoi Krasniqi.

Por, Avdulla Hoti, shef i Grupit Parlamentar të partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se të gjithë duhet të sillen brenda mandatit kushtetues.

“Askush nuk mund të marrë kompetenca shtesë më shumë se sa që i jep Kushtetuta e vendit. Mandati për dialogun me Serbinë nuk mund të merret me konferenca për medie, por merret në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi i Kosovës nuk ka platformë për ta mandatuar presidentin për dialogun me Serbinë. Në fuqi është platforma e vitit 2011 që e mandaton Qeverinë për këtë dialog”, tha Hoti.

Arbrie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ky subjekt politik opozitar nuk frikësohet nga dialogu me Serbinë, por nga marrëveshjet e dëmshme, që sipas saj, mund t’i bëj presidenti Thaçi.

“Aq më tepër nuk frikësohemi dhe kemi besim të plotë te Uashingtoni dhe te Brukseli. Por, ne frikësohemi nga Thaçi dhe nga këto qeveri, të cilat, tashmë e kanë treguar se sa të dëmshme janë për vendin dhe sa larg mund të shkojnë në nënshkrimin e marrëveshjeve që e cenojnë vendin”, u shpreh Nagavci.

Ilir Deda nga subjekti politik Alternativa, theksoi se pa mandatin e Kuvendit, presidenti Thaçi nuk mund t’i përfaqësojë institucionet e shtetit në dialogun e Brukselit.

“Do të thotë, edhe Thaçi, kurdo që të shkojë, në këtë vikend, në Bruksel, ai shkon në emrin e tij personal. Asgjë që merret ai vesh me Vuçiqin atje, nuk është obligative për Kuvendin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. nëse Thaçi nuk e kupton këtë, do t’ia dërgojmë ‘Komentarin e Gjykatës Kushtetuese’, i cili ia tregon kompetencat atij se çfarë janë”, theksoi Deda.

Sidoqoftë, vet presidenti Thaçi ka paralajmëruar se takimi me 24 qershor në Bruksel, me presidentin serb, Vuçiq, do të shënojë fillimin e fazës së fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që siç është paralajmëruar, do të përmbyllet me marrëveshje juridikisht obliguese për palët. Presidenti Thaçi ka vlerësuar se faza e fundit e procesit të dialogut do të jetë e rëndë dhe e vështirë, si dhe që duhet të përmbyllet me një marrëveshje, siç e ka cilësuar ai, historike ndërmjet të dy vendeve.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG