Ndërlidhjet

“Ftohje” e raporteve Serbi – Maqedoni


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka theksuar se tërheqja e gjithë personelit të Ambasadës serbe në Maqedoni, erdhi pasi që autoritetet përkatëse kanë paraqitur dëshmi për një veprim ofensivë të inteligjencës kundër institucioneve të Serbisë.

"Organet tona kompetente konfirmuan dhe parashtruan argumente për veprimtari kundërzbulimi kundër institucioneve të Serbisë", deklaroi Vuçiq para gazetarëve.

Presidenti serb nuk ka dashur të paraqesë detaje të tjera, por ka nënvizuar se "për shtatë deri dhjetë ditë, gjërat do të jenë më të qarta".

Vuçiq njëherësh ka theksuar se megjithatë, Serbia do të vazhdojë që të kultivojë marrëdhënie miqësore me Maqedoninë.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka theksuar për mediat se Serbia do t’i ndërmarrë të gjitha masat që t’i mbrojë interesat e shtetit në rrethanat e krijuara së fundmi.

"Tashmë javën e ardhshme, pas takimit që do ta kemi, do të kemi edhe takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe një pjesë e personelit do të kthehet në Shkup. Ndërkaq, ambasadori do të kthehet më vonë, kur të mbarojmë me të gjitha konsultimet, të cilat synojmë t’i kryejmë këtu në Beograd”, ka theksuar ministri Ivica Daçiq.

Ndryshe, të gjithë të punësuarit nga Ambasada serbe në Shkup, të dielën në mbrëmje janë thirrur për konsultime urgjente në Beograd.

Para se të prononcohet Beogradi zyrtar, Qeveria e Maqedonisë përmes një komunikate për mediat gjatë të hënës ka theksuar se Republika e Maqedonisë zhvillon marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet fqinje, përfshi këtu dhe Serbinë.

Kur ekzistojnë çështje sensitive të hapura midis dy fqinjëve tanë, Qeveria e Maqedonisë gjithmonë i ndjek interesat e shtetit të bazuara në parimet e fqinjësisë së mirë dhe avancimit të bashkëpunimit rajonal, neutralitetit dhe mospërzierjes në kontestet midis vendeve", thuhet në njoftimin e Qeverisë në Shkup.

Kishte njoftime po ashtu, se tërheqja e personelit serb nga Ambasada në Shkup ndërlidhej edhe me mundësinë që Maqedonia të kërkonte votimin për pranimin e Kosovës në UNESCO, veprim ky që kundërshtohet ashpër nga Serbia.

"Lidhur me votimin e anëtarësimit të Kosovë në UNESCO, Qeveria e Republikës së Maqedonisë do ta ketë parasysh pozicionin e shumicës së vendeve anëtare të BE-së", theksohet në njoftimin për mediat të Qeverisë së Maqedonisë.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se tërheqja e gjithë stafit të ambasadës serbe në Shkup paraqet hap serioz në drejtim të tensionimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Kjo është një çështje shumë serioze që tregon se Serbia do t’i acarojë raportet me Maqedoninë në funksion të krijimit të një lloj trysnie gjatë votimeve eventuale në organizmat ndërkombëtare, me ç’rast nga Maqedonia pritet që të ndryshojë qëndrimin e saj në raport me Kosovën”, thekson Bllagoja Zashov, ish-ambasador. Sipas tij, tërheqja e tërë stafit diplomatik në konsultime tregon qatë se raportet mes Maqedonisë dhe Serbisë hyjnë në një fazë serioze të trysnisë diplomatike.

Ndërkaq ish-ambasadori, Alajdin Demiri thotë se ftohja e raporteve mes Serbisë dhe Maqedonisë synon të parandalojë zhvillimin e hetimeve nga ana e autoriteteve maqedonase rreth arsyeve pse një i punësuar i Ambasadës serbe ishte gjetur në mesin e protestuesve, të cilët me dhunë u futën në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill, ditën e zgjedhjes së kryetarit të këtij institucioni.

Në një mënyrë doli qartë në pah se shërbimet serbe ishin të përziera në zhvillimet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë gjatë zgjedhjes së kryetarit të këtij institucioni”.

Përderisa zhvillohen hetimet për atë se çka saktë ndodhi atë ditë në Kuvend dhe si i punësuari në Ambasadën serbe ishte i pranishëm në mesin e protestuesve, zhvillimet e fundit me tërheqjen e gjithë stafit të Ambasadës serbe mund të jenë një kundërpërgjigje ndaj hetimeve të autoriteteve të Maqedonisë, në mënyrë që mos të shkojnë deri në fund, nën pretekstin e ftohjes së marrëdhënieve mes Serbisë dhe Maqedonisë. Sqarim tjetër nuk ka”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Alajdin Demiri.

Ndryshe, marrëdhëniet diplomatike mes Maqedonisë dhe Serbisë, të vendosura në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, disa herë kanë pësuar luhatje, kryesisht për shkak të pozicionit të Maqedonisë karshi Kosovës.

Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës qysh në vitin 2008, me ç`rast Beogradi zyrtar, ambasadorin e Maqedonisë në Serbi, Aleksandar Vasilevski e kishte shpallur, person të padëshiruar (persona non grata).

XS
SM
MD
LG