Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it

Pjesëtarë të KFOR-it amerikan në Kosovë - fotografi arkivi
Pjesëtarë të KFOR-it amerikan në Kosovë - fotografi arkivi

E ardhmja e trupave amerikane në Kosovë mbetet e paqartë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë.

Gjermania konfirmon se është në koordinim të vazhdueshëm me Uashingtonin dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e misionit paqeruajtës, KFOR, por nuk sqaron nëse po diskutohet edhe reduktimi i trupave amerikane.

“Forcat amerikane luajnë rol të rëndësishëm në KFOR”, tha një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur nëse me aleatët është diskutuar mundësia e reduktimit të kontingjentit amerikan në Kosovë, ai tha:

“Qeveria gjermane është në koordinim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me NATO-n dhe aleatët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, lidhur me të ardhmen e KFOR-it”.

Ai shtoi se hollësitë e planifikimit të misionit nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie.

Përgjigjja vjen pas konsultimeve të 17 nëntorit në Bruksel, ku aleatët e NATO-s diskutuan me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Elbridge Colby, për të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

Para takimit, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se priten ndryshime në numrin e trupave amerikane, por se përmasat e tyre mbeten të paqarta.

Ai theksoi nevojën për koordinim me Uashingtonin, në mënyrë që të shmangen boshllëqet në mbrojtjen evropiane.

Pas konsultimeve, Colby tha se shpreson që rishikimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë të përfundojë deri më 1 dhjetor.

Ai nuk konfirmoi nëse do të ketë reduktim trupash, por tha se SHBA-ja duhet t’i shpërndajë forcat sipas nevojave të saj globale, përfshirë angazhimet në rajonin e Indo-Paqësorit.

Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk nënkupton tërheqjen e SHBA-së nga angazhimet në Evropë.

Sipas një raporti zyrtar amerikan, në fund të shtatorit 2026, rreth 78 mijë pjesëtarë ushtarakë amerikanë ndodheshin në zonën e përgjegjësisë së Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM), krahasuar me rreth 90 mijë në fund të vitit 2024.

Gjermania ka praninë më të madhe të trupave amerikane në Evropë, me rreth 37 mijë ushtarë të stacionuar, sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Mbrojtjes për marsin 2026.

Në Itali ishin të stacionuar rreth 12.800 ushtarë amerikanë, në Mbretërinë e Bashkuar rreth 10.400 dhe në Spanjë rreth 3.800.

Forca amerikane janë të pranishme edhe në Poloni, Rumani dhe vende të tjera të Evropës Lindore, përfshirë përmes dislokimeve me rotacion.

SHBA-ja zgjeroi praninë e saj ushtarake në Evropë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, për të forcuar mbrojtjen e aleatëve të NATO-s.

A pritet reduktim i trupave amerikane në Kosovë?

Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar tashmë ndryshime në kontributin e tyre në KFOR.

Në qershor, Komanda Evropiane e SHBA-së konfirmoi se do ta përshtatë gradualisht kontributin amerikan në mision, në përputhje me planet e NATO-s.

Sipas një zyrtari të saj, përshtatja do të bëhet në faza, bazuar në vlerësimin e rrezikut.

Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë më 16 qershor, ai nuk specifikoi numrin e ushtarëve që mund të preken nga ndryshimet.

Një kërkesë tjetër për sqarime iu dërgua Departamentit amerikan të Mbrojtjes më 20 nëntor, por mbeti pa përgjigje.

Ndërkohë, një burim i Radios Evropa e Lirë, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se ekziston një plan për reduktimin e ndjeshëm të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë.

Sipas tij, numri i pjesëtarëve amerikanë mund të ulet nga rreth 650 aktualisht në afërsisht 50 deri në shkurt të vitit 2028.

Synimi, sipas burimit, është që brenda dy vjetësh SHBA-ja të ketë vetëm një rol të kufizuar ushtarak në Kosovë, ndërsa disa pozita mund të mbeten në shtabin e KFOR-it, në kampin Film City në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto informacione.

Autoritetet amerikane dhe NATO-ja nuk kanë njoftuar publikisht për një plan të tillë.

Çfarë ndryshimesh ka paralajmëruar NATO-ja?

Në qershor, NATO-ja njoftoi se do ta përshtatë gradualisht praninë e saj ushtarake në Kosovë, me synimin që brenda një viti numri i trupave të kthehet në nivelet e para vitit 2023.

Vendimi u arsyetua me përmirësimin e situatës së sigurisë.

NATO-ja kishte dërguar përforcime në vitin 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmin e armatosur në Banjskë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 20 tetor, një zyrtar i NATO-s tha se misioni kishte rreth 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere.

Sipas tij, ndryshimet do të jenë graduale dhe do të varen nga vlerësimet e sigurisë. Ato mund të pezullohen ose të kthehen mbrapsht, nëse situata në terren e kërkon këtë.

Aleanca ka theksuar se mund ta përforcojë KFOR-in nëse rrezikohet siguria në Kosovë ose stabiliteti rajonal.

NATO-ja nuk ka sqaruar se si do të ndikojë riorganizimi në kontingjentin amerikan, por ka mirëpritur kontributin afatgjatë të SHBA-së dhe angazhimin e trupave të reja amerikane në mision.

A mund ta shtojë Gjermania praninë e saj?

E pyetur nëse do të shqyrtonte dërgimin e më shumë ushtarëve në Kosovë, në rast të një reduktimi amerikan, Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Qeveria gjermane nuk spekulon për vendimet e mundshme të qeverive të tjera”, tha zëdhënësi për Radion Evropa e Lirë.

Ai rikujtoi se Parlamenti gjerman, në qershor, e zgjati edhe për një vit mandatin e forcave gjermane në KFOR, duke lejuar dislokimin e deri 400 ushtarëve.

Shtetet e Bashkuara udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, me seli në kampin Bondsteel, afër Ferizajt.

Forcat amerikane janë të pranishme në Kosovë që nga viti 1999, kur NATO-ja dislokoi misionin paqeruajtës pas përfundimit të luftës.

KFOR-i vepron në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

NATO-ja ka theksuar se, pavarësisht ndryshimeve të planifikuara, mandati i misionit dhe angazhimi i saj për sigurinë e Kosovës mbeten të pandryshuar.

  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë dhe autore e magazinës së përjavshme televizive 'Expose'.

​
XS
SM
MD
LG