Ndërlidhjet

Gjykata Ndërkombëtare Penale do të hetojë “ngjarjet në Ukrainë”


Fotografi ilustruese nga arkivi.

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, ka thënë se do të nisë hetime “për ngjarjet e lidhura me Ukrainën”, pas pushtimit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

“Sot dua të njoftoj se kam vendosur të nis hetimet për situatën në Ukrainë sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Khan përmes një deklarate më 28 shkurt.

Khan ka thënë se hetimet do të analizojnë krimet e mundshme të luftës, të kryera edhe para pushtimit që ka nisur javën e kaluar nga Rusia, e cila më 2014 ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Ai ka thënë se Gjykata veçse ka kryer disa hetime preliminare për krimet e lidhura me shtypjet e dhunshme të protestave pro-evropiane në Kiev më 2013-2014, si dhe për supozimet për krime në Krime, pas aneksimit.

“Duke marrë parasysh zgjerimin e konfliktit në ditët e fundit, synoj që ky hetim të përfshijë edhe dyshimet e reja që bijnë nën juridiksionin e zyrës sime, të cilat janë kryer nga çfarëdo pale dhe në çfarëdo pjese të territorit të Ukrainës”, ka thënë ai.

Sipas rregullave për Gjykatën me bazë në Hagë, kur një prokuror vendos të nisë hetimet, ai duhet të kenë autorizimin e dhomës së procedurës paraprake, apo duhet të kërkojë një shtet si palë që t’i referohet situatës.

Vetë Ukraina nuk është palë në Statutin e Romës, i cili përbën themelet e Gjykatës, andaj nuk mund t’i referohet rastit para prokurorëve. Rusia është nënshkruese e këtij traktati.

Khan ka thënë se do të bëjë thirrje për më shumë mbështetje buxhetore dhe njerëzore për të nisur hetimet pasi “rëndësia dhe urgjenca e misionit tonë është shumë serioze për t'u mbajtur peng i mungesës së mjeteve”.

Në Harkiv raportohet për dhjetëra viktima civile
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

XS
SM
MD
LG