Ndërlidhjet

Kushtetuesja: Tri gjykata cenuan të drejtën kushtetuese të ish-ambasadorit Kastrati


Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se ish-ambasadorit të Kosovës, Avni Kastrati i është cenuar e drejta kushtetuese për “qasje në drejtësi” lidhur me rastin e padisë që ai ka ngritur ndaj shkarkimit të tij me dekret të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Kastrati ishte shkarkuar nga detyra e ambasadorit në Slloveni, në maj të vitit 2021, përmes dekretit të presidentes Osmani.

Kundër këtij dekreti, Kastrati parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ia hodhi poshtë padinë, si të palejuar. Ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme.

Kastrati më pas parashtroi kërkesë individuale në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme, të 22 shtatorit 2021.

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin që shpalli të premten, ka konstatuar se “dekreti i kontestuar i presidentes për lirimin nga pozita të parashtruesit të kërkesës” i takon “grupit të dekreteve të karakterit individual të cilat mund të kontestohen në gjykatat e rregullta”.

“Hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për ‘qasje në drejtësi’ në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në aktgjykimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, më 13 janar.

Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se vendimi i tri gjykatave, asaj Supreme, e Apelit dhe asaj Themelore në Prishtinë, nuk janë në përputhje me nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Më 19 maj të vitit 2021, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani miratoi propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirim nga detyra të 13 ambasadorëve të Kosovës, siç ishte thënë, të emëruar politik.

Në mesin ambasadorëve të shkarkuar ishte edhe Avni Kastrati, asokohe ambasador në Slloveni.

Në bazë të nenit 93 të Kushtetutës së Kosovës, Qeveria i “propozon Presidentit të Republikës së Kosovës emërimet dhe shkarkimet për shefa të misioneve diplomatike të Kosovës”.

Ndërkaq, sipas paragrafit 25 të nenit 84 të Kushtetutës, presidenti i vendit “emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë”.

XS
SM
MD
LG