Ndërlidhjet

Largimi i ambasadorëve politikë, “vendim i domosdoshëm”


Kosovë: godina e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e ambasadorëve të emëruar mbi baza politike, ka qenë i domosdoshëm, thotë profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti dhe Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ka miratuar më 19 maj propozimin e Qeverisë së Kosovës, për lirim nga detyra të ambasadorëve të emëruar politikë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se bëhet fjalë për largimin e 13 ambasadorëve. Ata janë Beqë Cufaj- Gjermani, Nait Hasani – Shqipëri, Arbër Vllahiu – Çeki, Lirim Grejqevci – Holandë, Shpend Kallaba – Hungari, Gezim Kasapolli – Kroaci, Avni Kastrati – Slloveni, Gjergj Dedaj – Maqedoni e Veriut, Hajdin Abazi – Australi, Ylber Hysa – Mal i Zi, Avni Arifi – Emiratet e Bashkuara Arabe, Amir Ahmeti – Katar dhe ambasadori në Francë, Qëndrim Gashi.

Profesori Afrim Hoti, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se për shkak të mbingarkesës me staf politik, në shërbimin diplomatik të Kosovës, ka qenë i nevojshëm një ndryshim dhe ristrukturim thelbësor, në mënyrë që të respektohet baza ligjore.

“Pa dashur të reflektojë në shkarkimet aktuale, mendoj se diplomacia jonë ka nevojë për një veprim të tillë. Mbi këtë bazë, fatkeqësia nuk ka ardhur si rezultat i ndryshimit të qeverive, por si rezultat i implikimeve të shumta politike dhe të tejkalimit të këtij 50 për qindëshit të të emëruarve politikë. Mendoj se kjo e ka stërngarkuar dhe e ka bërë shërbimin e jashtëm shumë jo profesional, sepse në shumë vende vërtet kemi pasur ngarkesë të madhe, shtim të numrit të stafit të jashtëm kurse rezultatet kanë qenë shumë të vogla”, tha Hoti.

Largimi i ambasadorëve politikë, vendim i duhur

Kurse, Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive në Institutin e Prishtinës për Studime Politike, ka thënë se deri në 80 për qind e ambasadorëve kanë qenë të emëruar mbi baza politike.

“Ajo që mbetet të shihet, është se si do të vazhdohet tutje dhe si do të emërohet stafi i ri. Këtu është mirë që qeveria të respektojë kuotën 50 për qind, për të emëruar ambasadorë të karrierës. Gjithashtu, edhe në emërimin e ambasadorëve politikë, ata mos të përzgjidhen vetëm se janë anëtarë partiakë, siç kanë qenë praktikat në të kaluarën, por të jenë ambasadorë me ekspertizë dhe profesionistë, të cilët vërtet mund të përfaqësojnë vendin në mënyrë të denjë”, tha Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve, duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.

Gërvalla: Përzgjedhja e ambasadorëve të rinj, javët e ardhshme

Por, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se në javët e ardhshme do të bëhet përzgjedhja e ambasadorëve dhe shefave të misioneve të rinj. Përmes një video-mesazhi, të enjten, Gërvalla ka thënë se lirimet e fundit përbëjnë vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Ky vendim do të pasohet nga vendimet e tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik përgjatë standardeve ndërkombëtare. Ky vendim ndër të tjera, krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor, që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesëve të misioneve, të jenë anëtarë të shërbimit të jashtëm të Republikës se Kosovës”, është shprehur Gërvalla.

Largimin nga pozita e ambasadorit, e ka konfirmuar edhe Hajdin Abazi, ambasadori i Kosovës në Australi, përmes një postimi në Facebook të enjten.

“Në ditën që bëra fiks dy vjet nga prezantimi i kredencialeve në Australi, nga Presidentja e Kosovës më erdhi Dekreti për lirimin nga detyra”, ka shkruar ai, duke shtuar se kërkesa e qeverisë për lirimin e tij në gjysmë të mandatit, “nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci”.

Opozita: Vendim skandal në politikën e jashtme

Pas tërheqjes se tyre kanë reaguar disa nga partitë në opozitë, duke thënë se vendimi i fundit krijon imazh negativ në politikën e jashtme. Ariana Musliu-Shoshi, deputete nga Partia Demokratike e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, e quan vendim skandaloz largimin e ambasadorëve në kohë pandemie, pasi sipas saj, emërimi i ambasadorëve të rinj do të marr shumë kohë.

“Qeveria Kurti, po dërgon mesazh të keq ndaj botës. Kjo qeveri po dërgon mesazh të keq, ndaj çdo kujt që i ka shërbyer këtij vendi. Kjo qeveri po dërgon mesazh që përndjekja politike e saj është e vetmja që dinë të bëjnë dhe assesi respektimi i çdo kujt që ka kontribuar ndaj këtij vendi”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, këtë vendim e ka quajtur të paprecedent dhe të papjekur politikisht, e i cili do të ketë ndikime negative në politikën e jashtme të Kosovës.

Por, profesori Afrim Hoti, thotë se tërheqja e ambasadorëve politikë nuk mund të ketë ndikime negative në politikën e jashtme.

“Nuk mendoj se kjo çështje do të reflektojë në kuptimin negativ në politikën e jashtme. Sepse nuk po flasim për mbyllje të misioneve të Kosovës jashtë vendit, por po flasim për ndryshime që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, vlerëson në një moment të caktuar se duhet të ndodhin. Përfaqësitë jashtë vendit funksionojnë dhe do të vazhdojnë të funksionojnë po ashtu. Ndërkohë që paralelisht më funksionimin e tyre, do të mendohet për kompletimin e tyre, me staf të ri”, thekson Hoti

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka hapur misione diplomatike në të gjitha kontinentet. Ministria e Jashtme ka qenë shpesh cak i kritikave të shumta, pas raportimeve për emërime në poste diplomatike të familjarëve të personave të angazhuar në politikë.

Edhe shteti i Malit të Zi, vitin e kaluar ka tërhequr shtatë diplomatë, pas ndryshimit të qeverisë së këtij shteti, në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020. Qeveria e re dhe Ministria e Punëve të Jashtme, vendosën të zëvendësojnë shtatë ambasadorë malazezë.

Sidoqoftë, Qeveria nuk mundi t'i largonte ambasadorët me vete, sepse sipas Kushtetutës së Malit të Zi, tërheqja dhe emërimi i ambasadorëve është kompetencë e presidentit të Malit të Zi.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, ndër kompetencat e presidentit të shtetit është "emërimi dhe tërheqja e ambasadorëve dhe shefave të misioneve të tjera diplomatike të Malit të Zi jashtë vendit, me propozim të Qeverisë dhe me mendimin e komisionit parlamentar përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare ".

Presidenti malazez Millo Gjukanoviq, së pari hodhi poshtë kërkesën e Qeverisë për të tërhequr shtatë ambasadorët, duke thënë se Qeveria nuk kishte shpjeguar arsyet për largimin e tyre.
Por, pas konsultimeve të mëvonshme, presidenti malazez Millo Gjukanoviq, lëshoi një dekret duke tërhequr shtatë diplomatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG