Ndërlidhjet

Mjetet e ndara nga Kosova për mbrojtje para Dhomave të Specializuara


Fotografi nga arkivi.

Rreth 61 mijë euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për të mbuluar shpenzimet e disa prej personave të intervistuar nga Prokuroria e Specializuar, që funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara (që njihen si Gjykata Speciale) me seli në Hagë.

Deri më tash, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë konfirmuar dy aktakuza, për të cilat është njoftuar publiku - kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës dhe një aktakuzë e përbashkët ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga 2019-ta, qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t'u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.

Qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar janë intervistuar: ish-kryeministri Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Rexhep Selimi, Agim Çeku, Jakup Krasniqi e të tjerë. Disa prej tyre janë mbrojtur në heshtje.

Rreth 61 mijë euro, Qeveria e Kosovës mbuloi shpenzimet e disa të intervistuarve në Hagë

Në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale, i miratuar nga Kuvendi Kosovës në vitin 2015, thuhet se “ata kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur”. Ligji u garanton mbulimin e shpenzimeve për avokatë personave të akuzuar.

Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka ofruar tri vendime të qeverisë, në bazë të të cilave thuhet se janë shpenzuar mjete për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar, të dyshuar apo të përfshirë në çfarëdo forme në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Bazuar në këto vendime, del se shuma e shpenzuar arrin afërsisht deri 61 mijë euro.

"Sipas vendimit të qeverisë nr. 14/94 të datës 19.3.2019, janë shpenzuar mjete në shumën prej 40,000 € (euro); Sipas vendimit të qeverisë nr. 10/88 të datës 05.02.2019 janë shpenzuar mjete në vlerën prej 30,000 € ( sipas paragrafit 3 pika 3.1;3.2 dhe 3.3 ); Shuma prej 9,187 € sipas vendimit nr. 10/88 të datës 05.02.2019, janë kthyer mjetet në buxhetin e Republikës së Kosovës", thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Në vendimin me numër 14/94, të datës 19 mars, 2019, të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, thuhet se “vlera prej 40 mijë eurosh është ndarë për përkrahje financiare për Lahi Brahimaj, i akuzuar potencial në procesin gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara. Lahi Brahimaj, ishte shpallur i pafajshëm në vitin 2012, nga Tribunali i Hagës, nga të gjitha pikat e aktakuzës së ngritur për krime lufte.

Kurse në vendimet tjera, mjete janë ndarë për Sami Lushtakun, në vlerë 9,187 euro. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, në janar të vitit 2019, është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Për Sylejman Selimin janë ndarë 13,822 euro. Sylejman Selimi, ish- komandant i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në muajin shkurt të vitit të kaluar, u intervistua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë në cilësinë e të dyshuarit.

Për Mahir Hasani janë ndarë 6,991 euro. Hasani, është një nga komandantët e UÇK-së, që gjatë vitit të kaluar është intervistuar në Hagë.

“Shuma prej 9,187 euro, është kthyer në buxhetin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Këto vendime janë nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Shuma e buxhetit të këtij viti për këtë çështje ka qenë rreth 7 milionë euro, thotë për REL Ministria e Drejtësisë.

Në buxhetin e vitit 2021 janë ndarë rreth 6.7 milionë euro

Por, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë me vetë faktin që Kuvendi i Republikës së Kosovës ka transferuar kompetencat lidhur me gjykimin e personave të akuzuar në një shtet të tretë, siç është Holanda, ka marrë mbi vete edhe mbulimin e shpenzimeve të këtyre personave deri në fazën ata kur të kryejnë një aktgjykim të formës së prerë.

“Pagesat në këtë fazë nga ana e qeverisë, nuk mbesin të papaguara. Në qoftë se personat mund të dënohen me burgim nga ana e Gjykatës, në Ligjin mbi Dhomat e Specializuara përcaktohet edhe konfiskimi i pasurisë së tyre. Prandaj, në qoftë se kjo do të ndodhë, gjykata gjatë shqiptimit të dënimit mund të llogarisë se sa ka paguar Qeveria e Kosovës për secilin dhe pastaj këto para të kthehen mbrapa. Gjithmonë nëse personat kanë pasuri të mjaftueshme për të mbuluar këto shpenzime”, thekson Miftaraj.

Dërgimi i liderëve të UÇK-së në Hagë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

Ligji, mbështetje financiare i siguron edhe anëtarëve të ngushtë të familjes të personave të akuzuar për krimet e pretenduara, përfshirë këtu edhe shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës.

Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, tha se rreth 6.7 milionë euro janë paraparë në buxhetin e vitit të ardhshëm për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave, të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale.

Gjykata Speciale merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000. Ajo financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës, ndonëse prokurorët dhe gjykatësit janë ndërkombëtarë.

Selia e kësaj Gjykate është në Hagë, ku Mbretëria e Holandës ka ratifikuar Marrëveshjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë do të sigurojë zbatimin e këtij ligji, deri në përfundim të zhvillimit të procedurave gjyqësore ndaj personave të akuzuar potencialë pranë Dhomave të Specializuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG