Ndërlidhjet

Gjykatësi thotë se ish-ndihmësi i Trumpit “e shiti” SHBA-në


Derisa Flynn hyri në gjykatë të martën, një numër i vogël protestuesish u mblodh para saj.
Derisa Flynn hyri në gjykatë të martën, një numër i vogël protestuesish u mblodh para saj.

Michael Flynn, ish-këshilltar i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ”e ka shitur” vendin e tij kur ka gënjyer FBI-në për kontaktet e tij me Rusinë, tha një gjykatës amerikan.

Flynn është dashur të dënohet të martën, por avokatët e tij kërkuan shtyrje të aktgjykimit pas komenteve të ashpra të gjyqtarit.

Flynn e ka pranuar fajësinë në dhjetor të vitit 2017, duke thënë se ka gënjyer për kontaktet e tij me ambasadorin rus në SHBA.

Ai është figura e parë e administratës së Trumpit që përballet me dënim në hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Kremlinit në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Disa orë para se Flynn të paraqitej në gjykatën në Uashington, presidenti Trump i shkroi në Twitter: “Paç fat në gjykatë”.

Trump vazhdimisht kritikon hetimet që po bën Departamenti amerikan i Drejtësisë në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm të ndihmësve të tij me zyrtarët rusë, për ta ndihmuar zgjedhjen e tij president më 2016.

Gjykatësi Emmet Sullivan u pajtua për shtyrjen e dënimit të Flynnit deri më 13 mars.

Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, i cili po udhëheq hetimet e çështjes ruse, kërkoi që Flynn të kursehet nga dënimi me burg.

Zyra e Muellerit përmendi si arsye bashkëpunimin “thelbësor” të Flynnit me hetimet dhe karrierën e tij në shërbimin ushtarak.

Megjithatë, gjykatësi Sullivan i tha Flynnit: “Kjo është një shkelje shumë serioze”.

“Një zyrtar i lartë i qeverisë ka bërë deklarata false para FBI-së... Padyshim, ju e shitët vendin tuaj”, tha gjykatësi Sullivan.

Ai tha se nuk mund ta fshehë përbuzjen e tij për veprën penale.

Gjykatësi Sullivan po ashtu pyeti prokurorët nëse zyra e këshilltarit të posaçëm e ka konsideruar ndonjëherë akuzimin e Flynnit për tradhti.

Flynn e ripranoi fajin e tij në gjykatë dhe tha se “ka qenë i vetëdijshëm” se gjatë intervistës me FBI-në, gënjimi ka qenë krim.

Në një intervistë për Fox News, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se Flynn “është zënë në pritë” nga agjentët e FBI-së, të cilët, sipas saj, “kanë thyer çdo protokoll që kanë”.

Flynn, gjeneral i pensionuar i ushtrisë amerikane, e ka gënjyer FBI-në për bisedat e tij me ish-ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kislyak.

Ai ka bërë deklarata të rreme në janar të vitit 2017 kur ka thënë se nuk i ka diskutuar sanksionet kundër Moskës me Kislyakun përpara se Trump të merrte detyrën.

Flynn po ashtu ka gënjyer për kërkesën e tij te Kislyaku që Rusia të shtyjë ose bllokojë një votim në Kombet e Bashkuara për një rezolutë që dënonte vendbanimet izraelite.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG