Ndërlidhjet

Raportet e Senatit dokumentojnë ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Dy raporte të përgatitura për Senatin amerikan kanë dokumentuar ndikimin që ka pasur fushata e drejtuar nga rusët për të ndryshuar opinionin e votuesve amerikanë gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale më 2016.

Raportet, të publikuara më 17 dhjetor, janë përgatitur për Komitetin e Senatit për Inteligjencë, njëherësh njërin nga panelet kongresionale që heton si Rusia ka synuar të ndikojë në zgjedhjet që i ka fituar presidenti aktual, Donald Trump.

Pas hetimit të miliona postimeve në Twitter, Facebook, videove në YouTube, fotografive në Instagram dhe pjesës tjetër të përmbajtjes në rrjetet sociale, raportet janë të një rëndësie të veçantë për të kuptuar se si rusët kanë keqpërdorur teknologjinë për të shpërndarë dezinformimin.

Komuniteti i Inteligjencës amerikane ka vërtetuar në janar të vitit 2017 se Moska ka favorizuar Trumpin për dallim nga rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton dhe përmes hakimit të kompjuterëve dhe propagandës në rrjetet sociale ka ndikuar në ndjenjat e votuesve.

Në njërin nga raportet janë pasqyruar detaje të reja, rreth asaj se si rusët që kanë punuar në kompaninë me seli në Shën Petersburg, Agjencia për Kërkime në Internet, kanë krijuar profile të rreme dhe kanë përdorur rrjetet sociale si Facebook, Twitter dhe Google për të shpërndarë dezinformata me qëllim të mbështetjes së Trumpit dhe denigrimit të Clintonit.

E njohur zakonisht si “qendër e çorientimit”, Agjencia për Kërkime në Internet është raportuar të jetë financuar nga biznesmeni i lidhur me Kremlinin, Yevgeny Prigozhin.

Ai dhe 12 persona tjerë janë paditur nga Këshilltari Special, Robert Mueller në muajin shkurt me akuza për mashtrime bankare, komplot dhe vjedhje të identitetit.

“Është e qartë se të gjitha mesazhet kanë pasur qëllim që të jenë përfituese për Partinë Republikane, sidomos për Donald Trumpin”, është thënë në raportin, detajet e të cilit janë publikuar për herë të parë nga gazeta, The Washington Post.

Ky raport është përpiluar nga Projekti i Propagandës Kompjuterike i Universitetit të Oksfordit dhe kompania për analizimin e mediave sociale, Graphika.

Në shumicën e postimeve në rrjetet sociale, raportet janë fokusuar në atë se si përmbajtja e sponsorizuar nga Rusia ka pasur synim të ndikojë në pikëpamjet e konservatorëve në çështjet si imigrimi dhe të drejtat për armët.

Raporti i tyre ndërkaq është përgatitur nga hulumtuesit për Njohuri të Re në kuadër të Universitetit të Kolumbisë dhe është fokusuar në operacionet ruse që kanë shënjestruar njerëzit dhe ngjyrë dhe disa komunitete tjera që përkrahin demokratët.

Përveç tjerash raporti ka analizuar edhe si këto operacione kanë tentuar të përçajnë sistemin elektoral amerikan, si dhe kanë shpërndarë dezinformata për çështjet rreth asaj se sa herë mund të kenë votuar disa persona.

Në raport është thënë se Agjencia për Kërkime në Internet “ka krijuar platforma mediale me synim të ndikimit në komunitetin e njerëzve me ngjyrë, ashtu që të krijojë një ekosistem me qëllim të ndikimit”.

Në të dyja raportet është theksuar se si Agjencia për Kërkime në Internet nuk ka shpërndarë mesazhet vetëm në Instagram, Facebook dhe Twitter, mirëpo edhe në platformat tjera si Tumblr, Pinterest, YouTube, Reddit, Vine dhe Google+.

“Përgjatë përpjekjeve të njëpasnjëshme, Agjencia për Kërkime në Internet ka shfrytëzuar ndarjet në shoqërinë tonë, dhe dobësitë në sistemin tonë të informacionit”, është thënë në raporte.

Ata kanë shfrytëzuar edhe pakënaqësitë që kanë ekzistuar në shoqëri dhe paragjykimet e ndryshme në mënyrë që të ndikojnë në perceptimet amerikane, është thënë në raportin e ashtuquajtur Njohuria e Re.

Në këto raporte janë analizuar të dhëna dhe përmbajte nga viti 2016 deri në mes të vitit 2017. Në të dhëna nuk përfshihen zgjedhjet e mbajtura për Kongres më 2018.

Ndërkohë një raport i kërkuar nga Shtëpia e Bardhë, nëse votimet për Kongres të këtij viti janë ndikuar nga aktorë të jashtëm, pritet të publikohet nga agjenci të inteligjencës dhe ato për zbatim të ligjit më 21 dhjetor.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG