ZPS thotë se nuk janë incizuar bisedat e Thaçit me avokatët e tij
West tha se çështja ka të bëjë me audio-incizime, të bisedave mes Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë dhe dokumenteve që kanë këmbyer.
Ajo tha se Thaçi ka komunikuar me avokatët e tij, por shtoi se “asnjë nga këto biseda nuk është incizuar”, duke shtuar se të vetmet incizime janë të lidhura me biseda të paprivilegjuara.
West: Veprat në këtë rast, arsyeja pse u krijua Specialja
Prokurorja e specializuar West tha se sjellja e të akuzuarve përbën thelbin se pse është krijuar Gjykata Speciale në Hagë.
“Krijimi i kësaj gjykate nuk kishte të bënte thjesht për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por përfshinte në mënyrë specifike krimet e përfshira në këtë çështje gjyqësore”, tha ajo.
West i cilësoi të akuzuarit si pjesë e një grupi “të vogël në Kosovë që vendosin interesin e tyre mbi të tjerëve”, duke premtuar se do të ekspozojë veprimtarinë e tyre.
“Nëse të akuzuarit kanë pasur sukses në ndikimin e dëshmitarëve nuk ka rëndësi”, tha ajo.
West nis fjalën hyrëse
Kryeprokurorja Kimberly West nisi fjalën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke e akuzuar Thaçin dhe katër të akuzuarit të tjerë për përpjekje për të "minuar" Gjykatën Speciale.
"Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë shkelur vendimet gjyqyqësore që kanë pasur për synim që dëshmitarët dhe viktimat të japin dëshmi pa pasur frikë dhe që të kenë besimin se do t’u ruhej identiteti", tha ajo.
"Thaçi akuzohet se në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar që të ndërhyjë në dëshmitë e dëshmitarët dhe ka shkelur të gjitha rregullat e gjykatës që kanë pasur të bëjnë me mbrojtjen e informacionit konfidencial. Të bashkëakuzuarit kanë marrë pjesë në këto krime", shtoi West.
Gjykatësi: Synohet që argumentet mbyllëse të ZPS-së të zgjasin deri më 13 mars
Para se të japë fjalën për palët për deklaratat hyrëse gjykatësi i vetëm i rastit, Christopher Gosnell, tha se dëshmitarët e ZPS-së duhet të përfundojnë dëshmitë e tyre deri më 6 mars dhe me argumentet mbyllëse më 13 mars.
Ai tha se 13 marsi është datë e synuar, pasi data përfundimtare për mbylljen e ZPS do të përcaktohet kur të bëhen parashtrimet e palëve.
Ai tha se mëton që seancat të jenë të hapura, vetëm kur kërkohet e kundërta apo kur ka informacione konfidenciale.