West nis fjalën hyrëse
Kryeprokurorja Kimberly West nisi fjalën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke e akuzuar Thaçin dhe katër të akuzuarit të tjerë për përpjekje për të "minuar" Gjykatën Speciale.
"Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë shkelur vendimet gjyqyqësore që kanë pasur për synim që dëshmitarët dhe viktimat të japin dëshmi pa pasur frikë dhe që të kenë besimin se do t’u ruhej identiteti", tha ajo.
"Thaçi akuzohet se në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar që të ndërhyjë në dëshmitë e dëshmitarët dhe ka shkelur të gjitha rregullat e gjykatës që kanë pasur të bëjnë me mbrojtjen e informacionit konfidencial. Të bashkëakuzuarit kanë marrë pjesë në këto krime", shtoi West.
West: Veprat në këtë rast, arsyeja pse u krijua Specialja
Prokurorja e specializuar West tha se sjellja e të akuzuarve përbën thelbin se pse është krijuar Gjykata Speciale në Hagë.
“Krijimi i kësaj gjykate nuk kishte të bënte thjesht për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por përfshinte në mënyrë specifike krimet e përfshira në këtë çështje gjyqësore”, tha ajo.
West i cilësoi të akuzuarit si pjesë e një grupi “të vogël në Kosovë që vendosin interesin e tyre mbi të tjerëve”, duke premtuar se do të ekspozojë veprimtarinë e tyre.
“Nëse të akuzuarit kanë pasur sukses në ndikimin e dëshmitarëve nuk ka rëndësi”, tha ajo.
ZPS thotë se nuk janë incizuar bisedat e Thaçit me avokatët e tij
West tha se çështja ka të bëjë me audio-incizime, të bisedave mes Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë dhe dokumenteve që kanë këmbyer.
Ajo tha se Thaçi ka komunikuar me avokatët e tij, por shtoi se “asnjë nga këto biseda nuk është incizuar”, duke shtuar se të vetmet incizime janë të lidhura me biseda të paprivilegjuara.
Prokurorja West flet për rolin e të akuzuarve
Prokurorja e specializuar West pretendoi se Thaçi dha udhëzime për të ndikuar te dëshmitarët dhe për të “ndërhyrë në drejtësi”.
“Vepër penale është nxjerra e informacioneve konfidenciale për dëshmitarët”, tha ajo.
Sipas saj, Kilaj mori nga Thaçi në qendrën e paraburgimit “dëshmitë paraprake konfidenciale të dëshmitarëve me qëllim që të ndërhynte në dëshminë e tyre. Këto dokumente janë konfiskuar nga shtëpia e tij”.
“Smakaj u bashkua në përpjekjen e Thaçit për dëshmitarët dhe mori një dokument prej 10 faqesh, që ishte në përputhje me udhëzimet që kishte dhënë Thaçi për dëshmitarët. Ky dokument u konfiskua në makinën e tij”, tha West.
Sa i përket Kuçit, që në kohën e aktakuzës ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, Wes tha se ai “ka dhënë në vazhdimësi sugjerimet e tij se çfarë duhet të thoshin dëshmitarët e shënjestruar në të mirë të Thaçit”.
Sipas saj, audio-incizimet tregojnë “besnikërinë ndaj Thaçit” të të akuzuarve të tjerë .
“Të gjithë të akuzuarit kanë pasur një synim të vetëm: pengimin e procedurës penale në përfitim të Thaçit”, tha ajo.