Ndërlidhjet

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë paraqitjes para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 9 nëntor 2020.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë paraqitjes para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 9 nëntor 2020.

Deklarim pafajësie, akuza për ndërhyrje e përgjime: Çka ndodhi në nisje të gjykimit për pengim të drejtësisë

  • Në Gjykatën Speciale janë mbajtur deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
  • Të pesë të akuzuarit në rastin për pengim të drejtësisë gjatë seancës u deklaruan të pafajshëm. Prokurori publikoi disa përgjime, për të mbështetur pretendimet e saj se Thaçi ka bërë përpjekje për të ndikuar mbi dëshmitarë.
  • Aktakuza pretendon se për disa muaj gjatë vitit 2023 ata kanë ndikuar në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit, dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
  • Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria ftoi dëshmitarin e parë, të mbrojtur, i cili do të vazhdojë dëshminë javën e ardhshme.
12:00 27.2.2026

ZPS: Udhëzimet e Thaçit kishin në shënjestër dëshmitarë specifikë

Prokurori Joshua Hafetz në nisje të fjalës së tij shfaqi fragmente të bisedave të incizuara në Hagë, gjatë takimeve të Thaçit me vizitorët e tij, përfshirë disa nga të akuzuarit, ku ai pretendoi se është tentuar të ndikohej te dëshmitarët.

“ZPS do të tregojë se udhëzimet e Thaçit kishin një shënjestër: shënjestër ishin dëshmitarët specifikë, dëshmia e të cilëve, sipas Thaçit përbënte kërcënim”, tha ai duke shtuar se synimi ishte të shmangej ky kërcënim.

Sipas tij, motivi i Thaçit ishte se ai “nëse gjendet fajtor” në rastin për krime lufte, “do të dënohet me burgim të gjatë” dhe prandaj, sipas ZPS-së, ai përdori mënyra për të ndërhyrë në drejtësi.

“Provat do të tregojnë se sapo filloi çështja [për krime lufte] Thaçi u përqendrua në pengim të dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij. Thaçi kishte dy lloj dëshmitarësh. Të parët ishin personat e brendshëm të UÇK-së, që në mënyrë të veçantë i identifikoi Thaçi, që mendoi se ishin vendimtar në gjykimin ndaj tij, të cilët duhet të flisin për strukturën e UÇK-së dhe rolin drejtues të Thaçit. Lloji i dytë ishin dëshmitarët viktima që mund ta implikonin atë”, tha prokurori.

12:11 27.2.2026

ZPS: Thaçi, përmes Fazliut, e udhëzoi Remin si të dëshmonte


Prokurori Joshua Hafetz pretendoi se akuzat ndaj Fadil Fazliut kanë të bëjnë me udhëzimet që ai mori dhe ia përcolli Rrustem Mustafës- Remit, se si dëshmonte në Hagë gjatë gjykimit të Thaçit.

Fazliu e kishte vizituar Thaçin në paraburgim në Korrik të vitit 2023. Sipas ZPS, me të kuptuar Thaçi se kur do të jepte dëshminë në Hagë Remi, si dëshmitar i ZPS, djali i Fazliut e kontaktoi Remin dhe më pas ai u takua me të akuzuarin.

“Tre ditë më vonë Fazliu shkoi e takoi Thaçin në Hagë dhe vizita u incizua”, tha prokurori.

Pesë ditë pasi ZPS njoftoi për dëshmitarin për 26 qershor, djali i Fazliut kontaktoi Remin që Fadil Fazliu të takohej në Kosovë. Tre ditë më vonë Fazliu shkoi e takoi Thaçin në Hagë dhe vizita u incizua në bazë të një urdhi gjyqësor.

“Gjatë vizitës ai foli për dëshminë e Remit dhe tha se dëshmia e tij ishte vendimtare dhe se ai do të vendoste precedentin e dëshmitarëve pasues që do ta ndiqnin atë, duke thënë atë që Thaçi i tha në hollësi se si do të duhej të ishte dëshmia e Mustafës, çfarë duhej të thoshte ai, në mënyrë që Remi të kthehej në Kosovë 'ose si hero ose si njeri i turpëruar'. Thaçi i dha urdhër Fazliut që këto udhëzime t’ia jepte Mustafës para se ai të dëshmonte në Hagë”, tha prokurori duke shtuar se Fazliu u pajtua dhe madje kontribuoi se çfarë duhej të thoshte Mustafa.

Ndërkaq, Kuçi, tha ai, foli me Thaçin për ndikim ndaj dy dëshmitarëve dhe një viktime.

12:17 27.2.2026

Prokurori thotë se Kilaj u udhëzua se si një viktimë të ndryshonte dëshminë

Gjatë seancës, prokurori tha se në vizitën në Hagë, Kilaj kishte marrë udhëzime se si dëshmitari 4, të ndryshonte dëshminë.

Ky dëshmitar ishte viktimë, “që më parë e kishte implikuar Thaçin lidhur me keqtrajtimin që i kishin bërë anëtarë të UÇK-së”.

Kilaj, tha Prokuroria, mori shënime gjatë takimit në Hagë.

“Thaçi nënvizoi rreshtin dhe faqen e dëshmisë paraprake të dëshmitarit, saktësisht se çfarë duhej të ndryshonte ai”, pretendoi prokurori.

12:23 27.2.2026

Prokuroria: Thaçi dhe Smakaj biseduam për dëshminë e Zyrapit

Gjatë dy vizitave në qendrën e paraburgimit në Hagë, Smakaj, tha Prokuroria, mori udhëzime nga Thaçi se si të ndikohej në dëshmitarë.

Një nga ta u tha se ishte Bislim Zyrapi. Prokurori tha se Thaçi dha detaje se si ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Zyrapi – dëshmitar i Prokurorisë – të dëshmonte.

“[Thaçi] Dha udhëzime si të jepte dëshmi, se duhej të ishte konciz, të mos i jepte shumë gojës”, tha ai, duke shtuar se Thaçi kishte dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarët e mbrojtur dhe duke pretenduar se ishte “tallur me dy prej tyre, dhe një nga ta ishte me aftësi të kufizuara”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG