Ndërlidhjet

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë paraqitjes para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 9 nëntor 2020.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë paraqitjes para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 9 nëntor 2020.

Deklarim pafajësie, akuza për ndërhyrje e përgjime: Çka ndodhi në nisje të gjykimit për pengim të drejtësisë

  • Në Gjykatën Speciale janë mbajtur deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
  • Të pesë të akuzuarit në rastin për pengim të drejtësisë gjatë seancës u deklaruan të pafajshëm. Prokurori publikoi disa përgjime, për të mbështetur pretendimet e saj se Thaçi ka bërë përpjekje për të ndikuar mbi dëshmitarë.
  • Aktakuza pretendon se për disa muaj gjatë vitit 2023 ata kanë ndikuar në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit, dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
  • Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria ftoi dëshmitarin e parë, të mbrojtur, i cili do të vazhdojë dëshminë javën e ardhshme.
12:34 27.2.2026

ZPS: Thaçi dhe Kuçi biseduan për tre dëshmitarë

Më 3 shtator 2023, në Hagë Thaçi dhe Kuçi diskutuan për tre dëshmitarë, pretendoi Prokuroria. Dy nga ta ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë Zyrapin dhe i treti ishte një person që do të dëshmonte për keqtrajtimin e pretenduar nga UÇK, tha ZPS.

Thaçi, tha ZPS, udhëzoi se si duhej të dëshmonin.

ZPS tha se ka prova që mbështesin të gjitha pikat e aktakuzës.

“Nuk janë vetëm këto pesë vizita. Ai përdori edhe vizita të tjera për të nxjerrë informacione konfidenciale dhe për të ndërhyrë në dëshmitarë. Motivi: që dëshmitarët të ndryshonin dëshmitë ose të dëshmonin në një mënyrë që ta ndihmonin çështjen e Thaçit”, tha ZPS.

12:45 27.2.2026

ZPS: Kemi nëntë audio-incizime të Thaçit në qendrën e paraburgimit në Hagë

Prokurori Joshua Hafetz tha se ka dëshmi të shumta kundër Thaçit dhe të akuzuarve, përfshirë nëntë audio-incizime në qendrën e paraburgimit në Hagë, thirrje telefonike, urdhra të gjykatës që pretendohet se janë shkelur dhe ekspertizë që dëshmojnë se dokumentet që u gjetën në Kosovë ishin printuar nga printeri që përdorte Thaçi në Hagë.

Gjatë seancës u shfaq edhe një audio-incizim i Thaçit dhe Fazliut në takimin e tyre më 2 korrik 2023 në Hagë.

Prokuroria tha se ata po flisnin për dëshminë e komandant Remit.

“Thuaj shkurt, po, jo, mos filozofo”, dëgjohet Thaçi në këtë audio-incizim.

Më vonë, ai thotë se të dëshmojë shkurt e jo 12 orë siç ishte planifikuar. “Shkurt jo 12 orë, se 12 orë pa rrëshqit diku nuk e lë”, tha Thaçi, sipas audio-incizimit të ZPS-së.

ZPS po ashtu shfaqi mesazhe të Mustafës dhe Fazliut, që këmbyen me t'u kthyer Fazliu në Kosovë, ku edhe ishin takuar.

13:00 27.2.2026

Prokuroria publikon pjesë të audio-incizimeve të takimit të Thaçit me Kilajn dhe Kryeziun

Prokuroria publikoi një audio-incizim që pretendoi se është nga takimi i 6 tetorit në qendrën e paraburgimit në Hagë mes Thaçit, Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut.

ZPS tha se Thaçi aty jep udhëzime për Kilajn dhe Kryeziun e si dëshmitari 4 – dëshmitar i mbrojtur i ZPS-së – të ndryshonte pjesë të dëshmisë.

“Faqja 7, pjesa 6, rreshti 9”, dëgjohet Thaçi duke thënë, pohoi Prokuroria, duke shtuar se këto pjesë duhej që ky dëshmitar t’i “korrigjonte” para se të dilte në gjykatore, përkatësisht gjatë seancës përgatitore me ZPS-në.

13:09 27.2.2026

Për dokumentin që iu gjet Kilajt

Prokuroria vazhdoi të fliste për dëshminë e dëshmitarit 4, që tha se Thaçi kërkonte që të ndryshohej.

ZPS shfaqi fotografi të një dokumenti të grisur që u gjet në banesën e Kilajt në Kosovë.

Faqja që u bashkua nga ekspertët shfaq, tha Prokurori, faqen 7, pjesën 6 të dëshmisë paraprake të dhënë nga ky dëshmitar.

“Dokumenti i sekuestruar nga Kilaj është pikërisht pjesa dhe faqja që Thaçi tha se dëshmitari duhej ta ndryshonte, që ai kërkoi këtë gjë Kilaj”, tha ZPS.

ZPS pretendoi ky dokument u pritua në qendrën e paraburgimit në Hagë nga Thaçi, dy ditë para vizitës së Kilajt dhe Kryeziut, së bashku me dokumente të tjera që kishin të bënin me dëshmitarin 4 të mbrojtur.

Sipas ZPS-së, kjo tregon se veprat penale u organizuan nga Thaçi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG