Për dokumentin që iu sekuestrua Smakajt
Prokuroria e Specializuara tha se sikurse dokumenti që iu gjet Kilajt, edhe Smakajt iu gjet një dokument në makinën e tij, për të cilin pretendoi se ka dhënë udhëzime Thaçi.
Prokuroria lëshoi pjesë të një audio-incizimi që tha se i përket datës 7 tetor 2023, të takimit të Thaçit, Smakajt dhe Artan Behramit.
Aty, tha Prokuroria, Thaçi jep udhëzime se çfarë duhet të flasë Bislim Zyrapi, sikurse sa anëtarë kishte deri më 1998 Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, se Thaçi kishte qenë në periudha të ndryshme jashtë Kosovës dhe ai të përqendrohej në dëshminë e tij në komandantë të tjerë dhe Adem Demaçit.
Dokument i sekuestruar në makinën e Smakajt, Prokuroria tha se ka të nënvizuar “aspekte që minimizojë rolin udhëheqës të Thaçit në UÇK”.
Ky dokument, sipas Prokurorisë, u printua në Hagë nga Thaçi vetëm pak orë para vizitës së Behramit dhe Smakajt.
ZPS: Të pandehurit synuan pengimin e dëshmitarëve
Nga ZPS-ja thanë se Thaçi udhëhoqi tri grupe të ndryshme, në përpjekjet e tij për të ndikuar te dëshmitarët.
Sipas Prokurorisë, grupi i parë Fazliu, përbëhej nga i akuzuari Fadil Fazliu dhe djali i tij Fahriu. Grupi Smakaj, përbëhej nga ish-shefi i AKI-së, Blerim Shala dhe Artan Behrami. Ndërkaq, në grupin e Kilajt ishte edhe Vllaznim Kryeziu.
“Provat tregojnë se anëtarët e secilit prej grupeve Fazliu, Smakaj, Kilaj, të udhëhequr nga Thaçi, morën pjesë qëllimshëm në një grup përpjekja e të cilit ishte për të penguar dëshmitarët e shënjestruar të çështjes 6 [rasti për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit]. Nuk ka asnjë dyshim, të akuzuarit e dinin se çfarë po bënin dhe e dinin se ishte vepër penale”, tha një nga prokurorët e specializuar.
Prokurorët përmendën se për veprat e pengimit të personave zyrtarë, dënimi që parashihet me ligje të Kosovës është 1 deri në 5 vjet burgim.
Prokuroria përfundon deklaratën hapëse, kërkon dënimin e të akuzuarve
ZPS përmbylli deklaratën hapëse, duke argumentuar se provat e saj ndaj pesë të akuzuarve janë “bindëse”.
“Ata kanë kryer vazhdueshëm krimet e përmendura në aktakuzë me vetëdije dhe kërkojmë që ata të dënohen në përputhje me ligjin”, tha ZPS.
Mbrojtja e Smakajt: Ai është i pafajshëm, nuk ka folur me Zyrapin për dëshminë në Hagë
Avokati i Smakajt, Jonathan Rees, tha se klienti i tij asnjëherë nuk ka diskutuar me Bislim Zyrapin për dëshminë e tij në Hagë.
“Smakaj, pavarësisht se ka qenë mik me Bislim Zyrapin dhe është takuar me të rregullisht, nuk ka pasur diskutime me Zyrapin lidhur me dëshminë e tij për çështjen 6 [për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit] dhe nuk i ka treguar asnjë dokument lidhur me të”, tha Rees.
Sa i përket dokumentit që ZPS thotë se ai gjeti në veturë Smakajt, mbrojtja e tij tha se nuk ka asnjë dëshmi se ky dokument ishte në veturën e Smakajt dhe as kush e solli aty, duke mohuar se ishte marrë nga Smakaj në Hagë.
Ai madje tha se ZPS nuk ka dhënë dëshmi se kush e ka printuar këtë dokument të titulluar “për avokatët” në qendrën e paraburgimit në Hagë.