Ndërlidhjet

Gjykata lë në burg dy rusët dhe ukrainasin e arrestuar në Shqipëri


Dy shtetasit rusë, Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin, dhe ukrainasi Fiodor Mihailoviq. Gjykata e Elbasanit, 24 gusht 2022.
Dy shtetasit rusë, Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin, dhe ukrainasi Fiodor Mihailoviq. Gjykata e Elbasanit, 24 gusht 2022.

Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg dy rusët dhe ukrainasin, që u arrestuan në uzinën e armëve në Gramsh, pasi sulmuan dy ushtarë të Shqipërisë.

Gjykata dha masën e sigurisë "arrest me burg" për të tre personat e arrestuar në flagrancë. Ata do të qëndrojnë në burg derisa të përfundojnë hetimet.

Ndaj dy shtetasve rusë, 33-vjeçaren Svetlana Timofoeva, 23-vjeçarin Mikhail Zorin, si dhe atij ukrainas Fiodor Mihailoviq rëndojnë akuzat “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Goditja për shkak të detyrës”, teksa u vlerësua i ligjshëm arrestimi i tyre.

Gjyqtarja e rastit, Pajtime Fetau, tha se pas shqyrtimit të provave të sjella nga prokuroria, u gjykua se dyshimet e akuzës janë të bazuara.

Seanca e gjykimit të këtyre tre shtetasve të huaj u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi konsiderohet që ka sekrete shtetërore në hetim.

Të shtunën e 20 gushtit, këta tre persona tentuan të futen në uzinën e Gramshit, ku u ndaluan nga dy roje ushtarake. Ata i sulmuan rojet ushtarake me sprej neuroparalizues. Të dy ushtarët kanë përfunduar në spital për shkak të sulmit, me dëmtime të lehta në fytyrë.

Të arrestuarit, në dëshmitë e tyre kanë thënë se janë fotografë dhe se kanë blog ku postojnë kryesisht foto dhe video të ish-bazave ushtarake të Bashkimit Sovjetik.

Ata kanë thënë se fotografojnë kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe që nuk përdoreshin më nga shteti. Gjithashtu, ata kanë treguar se kanë fotografuar bunkerë dhe tunele të nëndheshme, si dhe vende të uzinës e territore të braktisura.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka thënë se rasti po hetohet me seriozitet.

Opozita në Shqipëri ka kritikuar institucionet e sigurisë së vendit për këtë ngjarje, duke thënë se është cenuar siguria kombëtare.

XS
SM
MD
LG