Ndërlidhjet

Delawie: Ata që e shfuqizojnë Ligjin për Specialen do të përballen me pasoja të ashpra


Porosia e ambasadorit Delawie rreth nismës së deputetëve për Specialen
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:45 0:00

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë në Kosovë që të heqin dorë nga shfuqizimi apo ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Në të kundërtën, ai ka thënë se politikanët që do të përballen me pasoja të rënda.

“Deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra” ka deklaruar Delawie. Këto komente ai i ka bërë në ditën kur Kryesia e Kuvendit po vendosë nëse do të përfshijë për seancën e radhës së Kuvendit nismën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Dëshiroj të flas me ju, qytetarët e Kosovës se përse Gjykata Speciale është kaq e rëndësishme për Kosovën dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka që kanë në fuqi për të siguruar që gjykata ta përfundojë mandatin e saj”, ka thënë Delawie.

Kosova e ka bërë këtë Gjykatë, vazhdoi Delawie, për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata persona që janë akuzuar se kanë kryer krime kundër individëve të tjerë, gjatë kohës së luftës së Kosovës për liri.

“Kosova ka luftuar më 1999 dhe ne kemi qëndruar pranë jush, kemi qëndruar me viktimat, kemi qëndruar përkrah drejtësisë. Askush nuk do të mundet ndonjëherë t’i rishkruajë librat e historisë për fushatën e krimeve mizore të Republikës Federale të Jugosllavisë, por realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve, për çka edhe duhet të japin llogari”, ka theksuar ambasadori amerikan.

“Kjo është përse duhet Gjykata Speciale. Viktimat, rastet e të cilave mund të ndiqen penalisht nga Gjykata Speciale përfaqësojnë shumë etni, shqiptarë, romë, serbë e tjerë dhe të gjithë kanë qenë kosovarë. Andaj të gjithë meritojnë trajtim të barabartë para ligjit”, theksoi ai.

“Kjo Gjykatë na intereson sepse ndërhyrja e jonë më 1999 ishte e bazuar në idenë se krimet e luftës ndaj kujtdo, ishin sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe mbajmë në mend vuajtjet e një milion kosovarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, të strehuar nëpër male apo përtej kufirit maqedonas. Dëshironim drejtësi për ta. Ushtarët amerikanë vënë jetën e tyre në rrezik për ta mbrojtur atë parim dhe ua kemi borxh që të vazhdojmë ta mbrojmë këtë parim edhe sot”, ka thënë ambasadori amerikan.

Ai tha po ashtu, se Gjykata nënkupton se Kosova nuk mund të jetë vend i tillë ku mosndëshkimi do të ishte normë.

“Ta pranosh ketë realitet do të nënkuptonte kthim në udhëheqin e stilit të epokës së Millosheviqit të cilën një gjeneratë e qytetareve kosovar kanë luftuar për ta rrëzuar”, theksoi ai.

“Gjykata Speciale në intereson, sepse duam që Kosova ta marrë vendin e saj si shtete evropian duke ju bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ndryshimi apo zhbërja e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe demonstrimi i përbuzjes për sundimin e ligjit do ta vë Kosovën mbrapa me vitet të tëra në integrimin e saj drejt institucioneve evropiane”, vijoi ambasadori amerikan.

Në vijim, Delawie u është përgjigjur edhe pohimeve të disa liderëve në Prishtinë, se punën e Gjykatës Speciale mund ta marrin sipër edhe institucionet vendore të drejtësisë. Por, ai ka hedhur dyshime.

“Ne kemi investuar shumë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, por ky sistem ende nuk e ka demonstruar që është i aftë që të ndajë drejtësi në rastet e profilit të lartë dhe dëshmitarët vazhdojnë që të jenë subjekt i frikësimeve, kërcënimeve dhe dhunës. Ende nevojitet një mekanizëm i jashtëm. Drejtësia për viktimat ka pritur kohë të mjaftueshme”, tha Delawie.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të ë Kosovës që të këmbëngulin që udhëheqësit e tyre ta mbrojnë të drejtën për drejtësi.

“Pyetini, çfarë lloji dëshironi që Kosova të bëhet. A dëshironi që Kosova të bëhet vend ku sundimi i ligjit nuk aplikohet për ata që kanë pushtet, fuqi apo miq politikanë? A dëshironi që Kosova të jetë një vend i tillë, ku kriminelët nuk përballen me asnjë pasojë për krimet e tyre? A dëshironi që Kosova të mbetet prapa, kur të tjerët t’i bashkohen Bashkimit Evropian?”, ka shtruar dilemat dhe pyetjet ai.

“Apo, a mos dëshironi që Kosova të jetë ai vend ku respektohet sundimi i ligjit, ku mbrohen të drejtat e viktimave dhe e cila e merr vendin e vet të duhur si anëtare e respektuar e bashkësisë ndërkombëtare në aleancë me vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Delawie.

“Ky është vizioni im për vendin tuaj, për të ardhmen e vendit tuaj. Nëse e ndani këtë vizion, atëherë qëndroni përkrah drejtësisë, qëndroni krah viktimave, qëndroni bashkë me mua kundër kësaj përpjekjeje për ta zhbërë përkushtimin e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale. Kjo është krejt ajo çka unë dëshiroj për Kosovën, që Kosova të ketë sukses si një vend i drejtë, i pranuar dhe me prosperitet”, ka deklaruar në fund Delawie.

XS
SM
MD
LG