Ndërlidhjet

Sfida e pashmangshme e Gjykatës Speciale


Hagë: Ndërtesa ku do të vendoset Gjykata Speciale

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, thonë se Gjykata Speciale është një sfidë e pashmangshme, por e kalueshme. Ndonëse e kanë cilësuar si të padrejtë këtë gjykatë, liderët institucionalë, nuk e kanë thënë qartë nëse do t’i inkurajojnë apo dekurajojnë deputetët që të procedojnë tutje me shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara (Gjykatën Speciale).

Përfaqësuesit ndërkombëtarë, i kanë shtuar trysnitë politike mbi lidershipin e Kosovës që të tërhiqet nisma për shfuqizimin e Speciales.

Ndërkohë, lidhur me këto zhvillime në Kuvendin e Kosovës, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes tha nuk ka kurrfarë komenti.

"Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre në përputhje me Ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe amendamentin kushtetues", tha për Radion Evropa e Lirë, Benes.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar nuk mund të ketë drejtësi ndërkombëtare aty ku synohet të vendoset barazimi në mes të një agresori dhe viktimës.

Ai tha po ashtu se nuk mund të ketë as drejtësi aty ku tentohet të vendoset barazimi në mes një ushtrisë së Serbisë, e cila ka bërë gjenocide, dhe një lëvizjeje çlirimtare, siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

"Çdo përpjekje që përmes gjykatave të deformohet karakteri i saj, (luftës çlirimtare) paraqet një sfidë të madhe për të gjithë ne. Tani para nesh kemi një sfidë të pashmangshme, por të tejkalueshme. Sfida e Gjykatës Speciale është një betejë që Kosova duhet ta fitojë, sepse e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë”, është shprehur Veseli në akademinë përkujtimoreme rastin e 19 vjetorit të masakrës së Reçakut.

Veseli, tha se funksionimi i Gjykatës Speciale, është një betejë që duhet ta bashkojë popullin dhe jo ta ndajë atë.

Siç tha ai, entuziastët e kësaj gjykate, duhet ta kuptojnë se nuk është në pyetje fati individual i pjesëtarëve të UÇK-së, por është në pyetje, “integriteti moral i luftës e bashkë më të edhe themeli mbi të cilin qëndron liria dhe shteti i Kosovës”.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me ketë çështje ka theksuar se rruga e kosovarëve për ndërtimin e shtetit nuk ishte dhe nuk është aspak e lehtë.

"Nëse besojmë në të drejtën tonë, ja dalim dhe do t’i mbetemi çdoherë besnikë të drejtës sonë", tha Haradinaj.

Çështja e Gjykatës Speciale është aktualizuar pas nismës së 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, për shfuqizimin e Ligjit për këtë gjykatë.

Ende nuk dihet nëse Kryesia e Kuvendit të Kosovë, të mërkurën, do ta vë apo jo në rend të ditës së seancës së ardhshme plenare këtë nismë të deputetëve.

Zyrtarët nga Kuvendi i Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë, se ende nuk ka një qëndrim të qartë për atë se si do të veprohet tutje.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se nga ajo që dihet është se deputetët e PDK-së, nuk i kanë tërhequr nënshkrimet e tyre nga kërkesa që është bërë.

"Unë i llogaris vetëm ata që i tërheqin nënshkrimet me deklaratë në administratën e Kuvendit ku janë të dorëzuar nënshkrimet. Tjetër rrugë nuk ka”, tha Haliti.

Për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, tha Halit, nënshkrimet i kanë dhënë disa deputetë dhe sipas t'i nuk mund të konsiderohen qëndrime të partive politike.

"Tani besoj se partia [PDK] do të ketë një qëndrim. Nesër kemi mbledhje,nëse diskutohet, atëherë nesër do ta merrni vesh", tha Haliti.

Shtetet e Kuintit i kanë paralajmëruar drejtuesit institucionalë të Kosovës se vendi mund të përballet me pasoja në rast të shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Nga ana tjetër, shoqatat e dala nga lufta në Kosovës, mendojnë se Gjykata Speciale dhe drejtësia ndërkombëtare është e padrejtë në raport me Kosovën.

Xhavit Jashari, përfaqësues i këtyre organizatave tha se Gjykata Speciale, duhet të formohet vetëm për atë që kanë bërë krime dhe masakra, dhe jo për UÇK-në.

"Nuk ka forcë që mund ta argumentojë dhe nuk ka forcë që mund të barazojë luftën e UÇK-së me gjithë ato që ka bërë ushtria, policia dhe shteti serb në Kosovë", tha Jashari.

Raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë mund të përkeqësohen ndjeshëm, në rast se institucionet vendosin të shfuqizojnë Ligjin për Gjykatës Speciale, përkatësisht Dhomat e Specializuara, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Mandati i Gjykata Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

XS
SM
MD
LG