Ndërlidhjet

Gruaja iraniane vazhdon të kërkojë drejtësi për vëllain e vrarë në protestat e vitit 2022

Protestë kundër sundimtarëve klerikë të Iranit para Ambasadës iraniane në Meksiko Siti në vitin 2022.
Protestë kundër sundimtarëve klerikë të Iranit para Ambasadës iraniane në Meksiko Siti në vitin 2022.

Shahriar Mohammadi ishte në mesin e qindra njerëzve të vrarë gjatë shtypjes së përgjakshme të protestave “Gruaja, Jeta, Liria” nga autoritetet iraniane, të cilat shpërthyen katër vjet më parë.

Demonstratat mbarëkombëtare u nxitën nga vdekja në paraburgim e Mahsa Aminit, një gruaje të re e cila ishte akuzuar për shkeljen e ligjit të diskutueshëm për hixhabin në Iran.

Protestat nisën si kundërshtim ndaj zbatimit të dhunshëm detyrues të shamisë islame, por u shndërruan në një nga sfidat më të qëndrueshme ndaj sundimtarëve klerikalë të Iranit, të cilët përdorën forcë vdekjeprurëse për t’i shtypur protestat, duke vrarë rreth 500 njerëz, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.

Mohammadi u qëllua në qytetin veriperëndimor Bukan në nëntor të vitit 2022. Forcat iraniane të sigurisë hapën zjarr ndaj automjetit të tij dhe 28-vjeçari më vonë vdiq në spital nga plagët e marra, ka thënë familja e tij.

Katër vjet nga vdekja e Mahsa Aminit, iranianet shpërfillin ligjin për hixhabin Katër vjet nga vdekja e Mahsa Aminit, iranianet shpërfillin ligjin për hixhabin
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:06 0:00

“Është shumë e vështirë t’i përshkruash me fjalë këto katër vjet”, tha motra e tij, Asrin Mohammadi, për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë (REL).

“Jeta jonë ndryshoi dhe u përmbys plotësisht”, shtoi ajo.

Në përpjekje për të kërkuar drejtësi për vdekjen e Mohammadit, familja e tij u përplas drejtpërdrejt me autoritetet.

Policia iraniane arrestoi dhe mori në pyetje Asrinin dhe vëllain e saj tjetër, Miladin, tha ajo. Gjithashtu, familjes iu ndalua të vizitonte varrin e Mohammadit dhe të mbante tubime për të përkujtuar vdekjen e tij.

“Për shkak se kërkuam drejtësi, u arrestuam, u torturuam – psikologjikisht dhe fizikisht – dhe u detyruam të emigronim”, tha Asrin.

“Këto katër vjet kanë qenë jashtëzakonisht të vështira, veçanërisht duke pasur parasysh përmasat e humbjes që përjetuam”, theksoi ajo.

“U detyrova ta braktis atdheun tim”

Asrin dhe vëllai i saj u larguan nga vendi dhe shkuan në Kanada menjëherë pasi u liruan nga paraburgimi, tha ajo.

“Doja të qëndroja në Iran dhe të bëja diçka, në mënyrë që përgjegjësit të paguanin një çmim”, tha Asrin. “Fatkeqësisht, ata vazhduan të më ndiqnin dhe ngritën një çështje shumë serioze kundër meje. Prandaj, u detyrova ta braktis atdheun tim”.

Edhe në mërgim, ajo dhe vëllai i saj kanë vazhduar luftën e tyre për drejtësi, duke punuar me organizata të njohura për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International, për të dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për të përgatitur dosje të hollësishme të rasteve.

“Nuk pres që drejtësia të vihet në vend brenda natës”, tha Asrin. “Por dua që të gjithë të përfshirët – ata që urdhëruan vrasjet, ata që kryen shtypjen dhe ata që qëlluan me armë – një ditë të gjykohen dhe të mbajnë përgjegjësi para gjykatave të pavarura”.

Amnesty International më 16 shtator publikoi një raport prej më shumë se 1.000 faqesh në të cilin akuzoi autoritetet iraniane për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, vrasjes, torturës, zhdukjes me forcë, burgosjes, përdhunimit dhe persekutimit gjatë protestave të vitit 2022.

Bazuar në intervistat me 270 njerëz dhe analizimin e më shumë se 2.000 videove, raporti gjeti 87 zyrtarë iranianë, për të cilët Amnesty International tha se duhet të hetohen për krime kundër njerëzimit.

Kjo organizatë për të drejtat e njeriut tha se autoritetet shënjestruan në mënyrë disproporcionale pakicat etnike kurde dhe baluçe të Iranit, “me shtypje vdekjeprurëse dhe i nënshtruan ato ndaj krimit kundër njerëzimit të persekutimit”.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG