Ndërlidhjet

Haradinaj: Kushtetuta është vija e kuqe në dialog


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova ka vija të kuqe në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe ato sipas tij, janë në Kushtetutën e vendit.

Duke folur në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se kushdo që shkelë parimet e vendosura në Kushtetutë, do të shkarkohet, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, me dy presidentët e mëparshëm të Kosovës.

“Ju e dini se janë shkarkuar presidentë sepse kanë shkelur Kushtetutën. Ne kemi vija të kuqe, ne i kemi në Kushtetutën e vendit. Jemi të shpallur shtet, kemi territor. Nëse dikush del jashtë këtyre, ju e dini, është shkarkuar presidenti dy herë. Unë e kuptoj idenë që të nxjerrim vija të kuqe, që janë parimore, por ne e kemi kontratën nga e cila askush nga ne në Kosovë nuk guxojmë të dalim. Ajo është Kushtetuta e vendit. Konsensusi politik i brendshëm nuk është vetëm t’i mbrojmë vijat, por është që të afirmojmë të drejtën tonë”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj po ashtu tha se ka parë sinjale të mira nga dy partitë në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, rreth dialogut në Bruksel.

Ai tha se në këtë fazë të dialogut duhet të përfshihen partitë e përfaqësuara në Kuvend, veçanërisht ato në opozitë.

“Dialogu nuk ka alternativë, duhet të ecim drejt dialogut. Po ashtu, dialogu nuk mund të ikë nga rregulli institucional, pra është e pamundur që të iket nga institucionet e vendit. Mirëpo, në dialog është mirë që të përfshihen institucionet, nënkuptohet këtu Parlamenti dhe partitë politike në Kuvend dhe ato opozitare, por edhe shoqëria civile”, u shpreh ai.

Qeveria, njoftoi Haradinaj, ka përgatitur një raport rreth arritjeve dhe sfidave të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës.

“Ajo që kemi dhënë në këtë raport është gjendja reale e të arriturave, e shkallës së zbatimit (të marrëveshjeve), por edhe sfidave. Mendoj se ai (raporti) është një pasqyrë e mirë se çfarë ka ndodhur”, tha Haradinaj.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Sipas Bashkimit Evropian, ky dialog duhet të përfundojë me arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, që pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG